Drejtoria Antitrafik nis takimet ndërgjegjësuese nga Tirana dhe Farkë e Vogël

Tiranë, 28 mars - Ministria e Punëve të Brendshme/Koordinatori Kombëtar për Çështje të Luftës kundër Trafikimit të Personave, në muajt Prill-Maj, në disa qarqe të vendit, do të zhvillojë takime sensibilizuese me nxënës dhe studentë, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, Komitetet Rajonale Antitrafik dhe  organizatat pritëse dhe riintegruese për viktimat/viktimat e mundshme të trafikimit.

Në zbatim të kalendarit të aktiviteteve të planifikuara për këtë periudhë, në datë 28 mars u zhvilluan dy takime informuese në bashkinë Tiranë dhe përkatësisht në gjimnazin “Asim Vokshi” dhe shkollën 9-vjeçare Farkë e Vogël. Në takime morën pjesë rreth 80 nxënës të të dy shkollave, mësues dhe psikologë.

Qëllimi i takimeve ishte komunikimi dhe ndërgjegjësimi i fëmijëve për fenomenin  e trafikimit, vendosja e urave të komunikimit me fëmijët dhe shpërndarja e informacionit tek bashkëmoshatarët e tyre lidhur më këtë fenomen duke krijuar kështu një rrjet nxënësish kundër trafikimit të personave.

E veçanta e takimit të organizuar në shkollën 9-vjeçare Farkë e Vogël ishte që vetë nxënësit ishin protagonistë dhe moderatorë të takimit. Disa nga nxënësit e kësaj shkolle kanë krijuar një rrjet vullnetarësh dhe informuan nxënësit mbi format e trafikimit, mënyrat dhe treguesit për identifikimin e viktimave të mundshme të trafikimit, asistenca dhe ndihma që iu jepet këtyre viktimave, format e  raportimit, sikurse Linja Kombëtare 116006 dhe Aplikacioni “Raporto! Shpëto! .