Drejtoria Antitrafik – Vijojnë takimet ndërgjegjësuese me studentë në Shkodër

11 Prill 2017, Shkodër - Ministria e Punëve të Brendshme/Zyra e Koordinatorit Kombëtar Antitrafikim, në kuadër të zhvillimit të takimeve ndërgjegjësuese me nxënës dhe studentë në disa qarqe të vendit, në datë 11 prill 2017 organizoi një forum ndërgjegjësues me studentë të Fakultetit të Shkencave Sociale të Universitetit ”Luigj Gurakuqi”, Shkodër, në të cilin morën pjesë rreth 60 studentë. Aktiviteti u zhvillua në bashkëpunim me Komitetin Rajonal të Luftës kundër Trafikimit të Personave Shkodër dhe Organizatës “Të ndryshëm dhe të Barabartë".

Qëllimi i takimit ishte jo vetëm ndërgjegjësimi i studentëve dhe stafit pedagogjik mbi fenomenin e trafikimit, dinamikën dhe pasojat e tij tek personat drejtpërdrejtë të prekur, por edhe mbi rolin e rëndësishëm që studentët luajnë në identifikimin dhe raportimin e viktimave/viktimave të mundshme të trafikimit, në përmirësimin e politikave shtetërore dhe ofrimin e shërbimeve cilësore ndaj viktimave të trafikimit, duke dhënë një kontribut konkret, të drejtpërdrejtë në rimëkëmbjen dhe riintegrimin afatgjatë të viktimave të trafikimit.

Drejtoresha e Përgjithshme e Antitrafikut dhe Azilit dhe përfaqësuesja e organizatës “Të Ndryshëm dhe të Barabartë” informuan studentët mbi format e trafikimit, mënyrat dhe treguesit për identifikimin e viktimave të mundshme të trafikimit, asistenca dhe ndihma që iu jepet këtyre viktimave, format e  raportimit, sikurse Linja Kombëtare 116006 dhe Aplikacioni “Raporto! Shpëto”!. Gjatë takimit u prezantua fotonovela “Një ëndërr e shkelur” dhe “Një fillim i ri”, si dhe u shpërndanë materiale ndërgjegjësuese.

Takimi i organizuar dje me studentët, i parapriu takimeve të tjera informuese që do të zhvillohen në 18 prill me studentët e qytetit të Vlorës dhe 8 maj me studentët e qytetit të Gjirokastrës.