Flash mob dhe UN Gift box - Aktivitet ndërgjegjësues për 1 Qershorin

1 Qershor 2017, Tiranë - Ministria e Punëve të Brendshme dhe Koordinatori Kombëtar për Çështjet e Luftës kundër Trafikimit të Personave, përpos mbrojtjes dhe asistencës për viktimat dhe viktimat e trafikimit, ka në fokus të punës së saj ndërgjegjësimin e komunitetit në lidhje me parandalimin dhe luftën kundër trafikimit të personave.

Në vijim të bashkëpunimit me aktorë shtetërorë dhe jo shtetërorë, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Koordinatori Kombëtar për Çështjet e Luftës kundër Trafikimit të Personave, krahas zhvillimit të takimeve ndërgjegjësuese në universitete, shkolla të mesme dhe 9-vjeçare, në datë 01.06.2017, nga ora 10:30-12:00, në Parkun Rinia zhvilloi aktivitetin ndërgjegjësues “Flash Mob”. Aktiviteti u organizua në kuadër të festës së fëmijëve, në bashkëpunim me organizatën “Të Ndryshëm dhe të Barabartë”.

Në këtë aktivitet morën pjesë rreth 60 të rinj, të cilët duke performuar një koreografi artistike, dhanë një mesazh sensibilizues lidhur me fenomenin e trafikimit dhe shfrytëzimit të fëmijëve. Në aktivitet u përfshinë qytetarë të ndryshëm dhe fëmijë, të cilët, përveçse shijuan numrin artistik bashkë me vullnetarët, u informuan mbi aktivitetin dhe mbi fenomenin e trafikimit të personave, nëpërmjet fletëpalosjeve të shpërndara nga vullnetarët.

Gjithashtu, në vijim të një tradite pozitive të krijuar nga vitit i kaluar, në bashkëpunim me fondacionin Mary Ward Loreto, po në parkun “Rinia”, prej datës 30 maj deri më 1 qershor, është vendosur Kutia informuese  “Un Gift Box”, e cila përmban informacione mbi format, mënyrat dhe  indikatorët për identifikimin dhe mbrojtjen e viktimave të trafikimit, si dhe mbi shërbimet që ofrohen për to.