Konferencë përmbyllëse e projektit "Fuqizimi i kapaciteteve të strukturave shtetërore në mbrojtjen e viktimave të trafikimit të personave në Shqipëri”

15 Dhjetor 2016, Tiranë - Fjala e Zv.Ministrit Elona Gjebrea, njëkohësisht Koordinatore Kombëtare e Antitrafikut, në konferencën përmbyllëse të projektit “Fuqizimi i kapaciteteve të strukturave shtetërore në mbrojtjen e viktimave të trafikimit të personave në Shqipëri

 

I nderuar Z. Nikolla,

I nderuar Z. Muniz, Zv. Ambasador i Shteteve të Bashkuara,

Të nderuar zotërinj prefektë,

Të nderuar përfaqësues të strukturave të Policisë, organizatave ndërkombëtare dhe joqeveritare,

Të nderuar pjesëmarrës,

Faleminderit që jeni të gjithë këtu në konferencën përmbyllëse të një projekti kaq të rëndësishëm, sigurisht dhe me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës

Dëshiroj ta falënderoj Caritas Shqiptar dhe CRS, për kontributin që kanë dhënë në mbështetje të iniciativave të shtetit shqiptar për luftën kundër trafikimit të personave, dhe në mënyrë të veçantë Ministrisë së Punëve të Brendshme, në lidhje me zbatimin e këtij projekti.  

Dëshiroj të falënderoj dhe qeverinë amerikane për ndihmën e vazhduar që i ka dhënë qeverisë shqiptare në drejtim të forcimit të kapaciteteve në luftën kundër krimit, forcimit të institucioneve demokratike, zbatimit të ligjit dhe respektimit të të drejtave të njeriut në Shqipëri.

Më mirëkuptoni me falënderimet, por dëshiroj të falënderoj edhe prefektët e qarqeve Tiranë, Durrës, Kukës, Lezhë, Shkodër dhe Vlorë për angazhimin e tyre maksimal në zbatimin me rigorozitet të këtij projekti. Kanë dhënë një kontribut të vyer në implementimin e tij.

Projekti i nisur dy vjet më parë “Fuqizimi i kapaciteteve të strukturave shtetërore në mbrojtjen e viktimave të trafikimit të personave në Shqipëri” financuar nga Zyra mbi Trafikimin e Personave (J-TIP) e Departamentit të Shtetit pranë Qeverisë së SHBA dhe CRS, ka pasur si qëllim rritjen dhe përmirësimin e bashkëpunimit ndërmjet organizmave të qeverisë dhe organizatave të shoqërisë civile, në identifikimin dhe referimin e viktimave të trafikimit, me fokus viktimat/viktimat e mundshme të trafikimit, fillimisht në qarqet Kukës, Lezhë, Shkodër, Durrës dhe më pas Tiranë dhe Vlorë.

Ka qenë një praktikë shumë e mirë krijimi i një komiteti drejtues të kryesuar nga Prefektët në qytetet e përmendura, për të koordinuar më mirë punën dhe pse jo për të shkëmbyer eksperienca më të mira. Sigurisht ka qenë dhe prioritet i Qeverisë Shqiptare dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme pikërisht fuqizimi i Komiteteve Rajonale të cilat, për të dhënë të vërtetën, në 2013 nuk kishin atë gjallërinë dhe dinamizmin që ne do të donim të shihnim.

Objektivat e projektit synuan të kontribuojnë në përmirësimin e koordinimit të aktorëve kyç të përfshirë në përpjekjet kundër trafikimit në Shqipëri, dhe në rritjen e kapaciteteve profesionale të agjencive ligj zbatuese si dhe të personelit të shërbimeve sociale, për të identifikuar, intervistuar dhe referuar viktimat, në përputhje me Procedurat Standarde të Veprimit (PSV) dhe me Planin Kombëtar të Veprimit. Dhe do të thoja që ka qenë një projekt i mirëmenduar pasi të gjitha këto gjetje na kanë ndihmuar dhe do të na ndihmojnë dhe për të avancuar me objektivat tona (ku përfshihet dhe rishikimi i procedurave standarde të veprimit, iniciativë e përbashkët me IOM-in (Organizatën Ndërkombëtare për Migrimin), që shumë shpejt do të finalizohet me një VKM lidhur me të).

Projekti ka sjellë gjithashtu një kontribut në ngritjen e nënkomiteteve antitrafik në disa qarqe, si: Has, Tropojë, Krujë, Malësi e Madhe, etj. dhe hartimin e planeve të veprimit në këto qarqe. Për ta lidhur dhe me gjithë aktivitetin dinamik të zyrës sonë, kjo ka marrë dhe një vlerë të shtuar. Pasi, si rezultat i ndarjes së re territoriale, ka lindur nevoja e ngritjes së disa nënkomiteteve dhe pikërisht në harmonizim tashmë kemi dhe një VKM të miratuar për punën e tyre rajonale edhe aty ku nuk ishte e mundur ngritja e komiteteve. Besoj që për impaktin pozitiv të projektit dhe zbatimin korrekt të tij do të referojnë prefektët e qarqeve, duke sjellë praktikat pozitive dhe sfidat që kanë hasur gjatë implementimit të tij.

Një produkt risi e këtij projekti janë edhe dhomat e përmirësuara të intervistimit. Të gjithë e dimë se ka shumë nevoja të kemi kushte sa më dinjitoze në respekt të të drejtave të njeriut lidhur me viktimat e trafikimit në rastet kur ato identifikohen nga Policia Kufitare në shërbim me punonjësit socialë, dhe për këtë janë të nevojshme kushtet sa më dinjitoze në dhomat e intervistimit. Ndaj në fund të ndërhyrjes time dëshiroj të falënderoj në mënyrë të veçantë dhe Caritasin Shqiptar që ka qenë dhe fleksibël për nevojat tona të lindura gjatë një pune shumë pozitive dhe bashkëpunuese 2 vjeçare.

Sigurisht që gjithë kjo punë nuk do të bëhej pa stafin tonë përkatës. Dëshiroj të falenderoj stafin e Zyrës së Koordinatorit Kombëtar. Po ashtu dhe bashkëpunëtorët e z. Nikolla të cilët na e kanë bërë ne punë më të lehtë për të arritur sukses dhe të kemi se me çfarë të krenohemi.

Ne kemi kontribuar dhe në rritjen e kapaciteteve dhe në trajnimin e gjithë strukturave të Policisë. Meqenëse kemi një audiencë kaq të zgjedhur do doja vetëm thjesht të përmendja dy-tre shifra të fundit që kanë të bëjnë me statistikat e saponxjerra nga Zyra e Koordinatorit Kombëtar. Statistika që tregojnë punën ndërmjet Policisë, Prokurorisë dhe Gjykatës së Krimeve të Rënda. 

Unë e kam theksuar disa herë që në 2013 ishte jo shpresëdhënëse fakti që kishte vetëm një të dënuar nga Gjykata e Krimeve të Rënda. Por nga ana tjetër jam shumë e inkurajuar në lidhje me statistikat që kemi. Pasi vetëm në krye të tre viteve, kemi arritur që deri në nëntor të 2016-s të kemi 18 të dënuar. Kemi këtu dhe kryetarin e Gjykatës së Krimeve të Rënda. Mbase do të kemi rezultate më të mira dhe kjo shifër të shtohet pak deri në fund të dhjetorit 2016-s. Dëshiroj t’i falënderoj për një punë shumë të mirë që kanë pasur, pavarësisht se gjithmonë ka kritika kur vjen puna e bashkëpunimit të institucioneve ligjzbatuese.

Dëshiroj në mënyrë të veçantë të falenderoj Policinë e Shtetit. Pasi nëse këto raste nuk do të ishin referuar në Gjykatë dhe në Prokurori, nuk do ishte e mundur të kishim këto shifra që kemi. Për të ngelur përsëri tek statistikat dhe për të patur gjithë kontekstin e asaj që unë po them: në 2013 kishim 53 raste të evidentuara nga Policia e Shtetit. Në 2014, 57 raste Ndërkohë që në 2015 janë 80 raste. Këto janë shifra inkurajuese që tregojnë për punën e mirë që Policia e Shtetit ka bërë për t’i referuar këto raste në Prokurori dhe më tej në Gjykatë.

 

Ka nevojë shumë për të punuar. Mendoj që Task-Forca që është krijuar ka nevojë të rivitalizohet. Jemi optimistë që do të arrijmë të bëjmë përpjekje dhe më shumë sa i përket punës më efektive të Task-Forcës. Por nga ana tjetër, inkurajoj të gjitha strukturat e Policisë Kufitare dhe jo vetëm,  punonjësit socialë, të gjitha organizatat e shoqërisë civile, që ta rrisin efikasitetin në rritjen e identifikimeve të rasteve të trafikimit. Pasi vetëm në këtë mënyrë do të vëmë në jetë dinjitetin e humbur të këtyre vajzave apo viktimave të trafikimit, duke çuar para drejtësisë sa më shumë trafikantë dhe duke treguar se strukturat tona punojnë në efikasitet, në koordinim.

Ky projekt ka ndikuar në rritjen e kapaciteteve të strukturave tona ligjzbatuese, për të rritur rastet e identifikimit. Shpresoj shumë që të ketë një vazhdim të mëtejshëm të këtij projekti. Dëshiroj t’ju uroj dhe njëherë suksese. Edhe njëherë faleminderit Z.Nikolla për këtë bashkëpunim shumë të mirë të CARITAS dhe mirëkoordinim të veprimeve antitrafik në të ardhmen.

Dhe në cilësinë e Koordinatorit Kombëtar Antitrafik ju siguroj për mbështetjen dhe angazhimin tim maksimal në bashkëpunim me Zyrën e Koordinatorit Kombëtar, për të bashkëpunuar dhe vepruar të gjithë së bashku për realizmin me sukses të objektivave antitrafik.

Ju uroj suksese, faleminderit.