Koodinatori Kombëtar takim me Komitetet Rajonale të Luftës kundër Trafikimit të Personave

27 Mars 2017 - Me qëllim prezantimin e Urdhrit të Kryeministrit nr. 6, datë 26.01.2017 “Për krijimin e Komitetit Rajonal të Luftës kundër Trafikimit të Personave, në çdo qark”, Rregullores për Funksionimin e Komitetit Rajonal, Formatit të Raportimit, në ambientet e Ministrisë së Punëve të Brendshme, nën drejtimin e Zëvendësministres së Punëve të Brendshme, Znj. Elona Gjebrea u organizua një takim me Prefektët, Sekretarët e Përgjithshëm dhe anëtarët e Komiteteve Rajonale të Luftës kundër Trafikimit të Personave.  

Funksionet kryesore të këtij Komiteti, bazuar edhe në Planin Kombëtar për Luftën kundër Trafikimit të Personave dhe në Urdhrin e sipërcituar, janë kryesisht në drejtim të parandalimit të trafikimit nëpërmjet identifikimit të problemeve parësore, në nivel rajonal, si dhe nëpërmjet marrjes së masave për mbrojtjen e individëve dhe grupeve të rrezikuara nga trafikimi, duke krijuar një bazë të dhënash për të gjithë kategoritë dhe individët e rrezikuar nga trafikimi.

Në fjalën e saj, Gjebrea theksoi rëndësinë e miratimit të këtij Urdhri dhe impaktin pozitiv që do të sjellë zbatimi i tij në rritjen e identifikimit fillestar nga strukturat shtetërore në nivel lokal. Gjithashtu falënderoi Prefektët dhe Sekretarët e Përgjithshëm për organizimin dhe pjesëmarrjen aktive në fushatat kombëtare dhe Muajin e Luftës kundër Trafikimit të Personave.

“Është shumë e rëndësishme,- theksoi  Gjebrea -, që, në zbatim të Urdhrit të hartoni planet e veprimit, ku duhet të kenë në qendër të vëmendjes zbatimin e Strategjisë dhe organizimin e fushatave ndërgjegjësuese me komunitetin, me nxënësit e shkollave të mesme dhe 9-vjeçare dhe promovimin e Linjës Kombëtare 116 006 dhe Aplikacionit Raporto! Shpëto!

Një rëndësi të posaçme duhet të kenë edhe fëmijët në situatë rruge. Një fëmijë në situatë rruge është viktimë e mundshme trafikimi. Në zbatim të Marrëveshjes 3 ministrore (MPB, MMSR dhe MAS) dhe Planit të Veprimit “ Për identifikimin dhe mbrojtjen e fëmijëve në situatë rruge, bashkë me Kryetarin e bashkisë Tiranë dhe ASHMDF po hartojmë procedurat mbi bashkëpunimin mes Policisë së Shtetit dhe skuadrave të terrenit të bashkisë për identifikimin, referimin dhe marrjen në mbrojtje të fëmijëve në situatë rruge.

Ky është një model tepër pozitiv dhe do doja që të përqafohej edhe nga bashkitë e tjera, sidomos në ato qarqe ku fenomeni është prezent. Asistenca dhe ndihma jonë do të jetë në çdo kohë, po kështu, edhe Policia e Shtetit do të mbështesë sa herë të jetë e nevojshme punonjësit apo skuadrat e terrenit.

Tashmë kemi krijuar një traditë pozitive në organizimin e fushatave kombëtare antitrafikim. Zyra e Koordinatorit Kombëtar, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Sportit do të zhvillojë takime informuese në shkolla dhe Universitete. Ndaj, kërkoj nga secili prej jush angazhim dhe mbështetje  maksimale në zhvillimin e aktiviteteve për secilin qark.

Por të gjitha këto nuk mund të realizohen pa një mirëkoordinim midis strukturave, nëpërmjet krijimit  dhe përditësimit të një rrjeti kontaktesh me të gjithë institucionet dhe nëpërmjet forcimit të partneritetit me shoqërinë civile dhe strukturat e pushtetit lokal”.

Në fund të fjalës përshëndetëse, Gjebrea, i siguroi të pranishmit për mbështetjen dhe angazhimin maksimal të sajin dhe të Institucionit të Ministrisë së Punëve të Brendshme për të vepruar të gjithë së bashku deri në minimizimin, pse jo eliminimin e këtij fenomeni që nuk njeh kufij as vlera dhe nuk kursen askënd.