Mblidhet Task-Forca, hartohet përcaktohet plan-veprimi për të ardhmen

20 korrik 2016 - Është zhvilluar mbledhja e Task-Forcës për monitorimin e procesit pas liberalizimit të vizave me vendet “Shengen” ku është rëndë dakord të hartohet dhe miratohet një plan veprimi i ri, që synon të ndërgjegjësojë shtetasit të mos abuzojnë me regjimin e lirë të vizave. Ky aktivitet u drejtua nga zv.Ministrja Elona Gjebrea, si kryetare e Grupit Ndërinstitucional të Punës (task-force) dhe në të morën pjesë zyrtarë të lartë të disa ministrive dhe Policisë së Shtetit.

Në fjalën e saj znj.Gjebrea theksoi punën e bërë deri më sot në drejtim të frenimit të fenomenit abuziv të azilkërkuesve në vendet e BE-së nga ana e shtetasve shqiptarë të cilët shfrytëzojnë regjimin e lirë të vizave. Ajo bëri një panoramë të plotë të gjithë aktiviteteve të kryera si dhe organizimin e fushatave sensibilizuese për reduktimin e këtij fenomeni. Znj Gjebrea përmendi rastin e Belgjikës, ku ajo bëri të ditur lajmin e mirë se Shqipëria tashmë është vendosur në listën e vendeve të sigurta në këtë vend.

Përfaqësuesit e Policisë së Shtetit thanë se për këtë vit, fenomeni i azilkërkimit nuk paraqitet aq shqetësues sa një vit më parë. Masat e marra, tha ai, për ndalim daljeje, si masë shtrënguese për të frenuar fluksin, janë rekomanduar nga ekspertët ndërkombëtarë.  

Përfaqësuesi i Ministrisë së Jashtme sugjeroi përdorimin e rrjeteve sociale, veçanërisht Facebook, si mjet i fortë për të dhënë mesazhe ndërgjegjësuese lidhur me fenomenin në fjalë.

Znj. Gjebrea u shpreh që fokusi i këtyre fushatave ndërgjegjësuese të jenë kryesisht zonat rurale, pjesët veriore të vendit si dhe Tirana, si qytet me një popullsi të madhe në raport me qytetet e tjera të vendit.

Në fund të këtij takimi, Grupi i Punës arriti në një konkluzion të përbashkët dhe vendosi që gjatë sezonit të verës të bëhen aktivitetet e mëposhtme:

- Përcjellja e një mesazhi të përbashkët nëpërmjet krijimit të një rubrike informuese/ndërgjegjësuese në websitin e çdo institucioni pjesëmarrës në këtë Task-Forcë.

- Hartimi i fletpalosjeve me informacionet kryesore mbi pasojat që bien mbi qyetarët që abuzojnë me rregjimin e lirë të vizave. Këto fletëpalosje do të shpërndahen në pikat e kalimit kufitar.

- Organizimi i emisioneve televizive, veçanërisht në televiozionet lokale, si dhe intevista të thelluara në gazeta ku të bëhen të qarta masat e ndërmarra në këtë drejtim.

Grupi i Punës ra dakort që takimi i rradhës të mbahet në shtator.