Shqipëri-Kosovë, takim bashkëpunimi në luftën kundër trafikimit të personave

14 Qershor 2017 - Në Ministrinë e Punëve të Brendshme u organizua një takim mes autoriteteve shqiptare dhe kosovare për adresimin e problematikave në zbatim të Protokollit shtesë ndërmjet Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës “Për intensifikimin e bashkëpunimit në Luftën kundër Trafikimit të Personave dhe për përmirësimin e identifikimit, njoftimit, referimit dhe kthimit vullnetar të ndihmuar të viktimave, si dhe viktimave të mundshme të trafikimit, në veçanti të fëmijëve”.

Të pranishëm në takim nga pala shqiptare ishin: Zj. Rovena Voda, Zëvendësministër i Punëve të Brendshme, Zj. Anila Trimi, Drejtor i Përgjithshëm i Antitrafikut dhe Azilit, Z. Bekim Murati, Drejtor i Koordinimit me Prefekturat, Zj. Aida Hajnaj, Drejtor i Departamentit për Kufirin dhe Migracionin, Zj. Enkeleda Toska, Drejtor për Migracionin, Zj. Ina Verzivolli, Kryetare e ASHDMF, për Trafiqet e Paligjshme, Zj. Lida Leskaj, Zëvendësdrejtor i Përgjithshëm i SHSSH, përfaqësues nga Drejtoria e Migracionit, Drejtoria e Antitrafikut, etj. 

Delegacioni kosovar përfaqësohej nga Z. Naim Muja, Udhëheqës i Sekretariatit të Strategjive, MPB Kosovë, Znj. Arbënore Mikullovci, Zyrtare e Lartë për Zbatim-Strategjia Kundër Trafikimit me Qenie Njerëzore, Z. Edmond Prenaj, Zyrtar i Lartë Sekretariati i Strategjive, Z. Valon Krasniqi, Drejtor i Departamentit për Shtetësi, Azil dhe Migrim, Z. Fehmi Xhata, Drejtor për Hetimet e rasteve të Trafikimit me Njerëz, Policia e Kosovës dhe Z. Rrahman Sylejmani, Drejtor për Migrim dhe të Huaj, Policia e Kosovës.

Zëvendësministrja e Punëve të Brendshme dhe Koordinatore Kombëtare për Çështje të Luftës kundër Trafikimit të Personave, Znj. Rovena Voda, duke falënderuar pjesëmarrësit për prezencën në këtë takim, prezantoi shkurtimisht qëllimin e takimit, duke kërkuar që të hartohet një axhendë e qartë me hapa konkretë se çfarë do bëhet në të ardhmen dhe duke i ftuar pjesëmarrësit në diskutime.

Nga përfaqësuesit e delegacionit shqiptar u vlerësua bashkëpunimi dhe shkëmbimi i informacionit për disa operacione të përbashkëta të zhvilluara në koordinim me të dy palët.

Drejtori i Përgjithshëm i Antitrafikut dhe Azilit, Zj. Trimi theksoi faktin se takimi është në nivel teknik nga të dyja palët, dhe secili ka qasjet e veta ligjore, por komunikimi sipas koordinimit të brendshëm, do të bëhet nga Koordinatorët Kombëtar Antitrafik, duke respektuar Protokollin shtesë të nënshkruar në 12 qershor 2012. Për Shqipërinë, Kosova mbetet vend destinacioni, prandaj është i domosdoshëm shkëmbimi i informacionit, në mënyrë që edhe policia kufitare të jetë më e vëmendshme kur kalojnë persona në mënyrë të përsëritur. Është e nevojshme që të bashkërendojmë punën, të kuptohet nga të dyja palët që ka një qasje të përbashkët, dhe si rrjedhim edhe njerëzit do të jenë më të kujdesshëm kur të kalojnë kufirin.

 

Pas diskutimesh teknike, të dy palët dolën me disa rekomandime për zgjidhjen e situatës, sikurse: shkëmbi i informacionit me të dhëna sa më të sakta dhe në kohë reale, domosdoshmëria e një strukture koordinuese nga pala kosovare që të mundësojë komunikimin e brendshëm, në mënyrë që informacioni i plotë të përcillet tek pala shqiptare, hartimin e një plani të përbashkët antitrafik me hapa konkretë, caktimi i datës së takimit të radhës në një pikë të përbashkët të kalimit kufitar, etj.