Zv/Ministrja e Punëve të Brendshme, vizitë pune në Mbretërinë e Bashkuar

8–10 Shkurt, Mbretëri e Bashkuar –  Zv.Ministrja e Punëve të Brendshme, Elona Gjebrea zhvilloi një vizitë pune në Mbretërinë e Bashkuar. Në këtë kuadër, në Home Office të Scotland Yard ajo u takua me Zv.Ministrin e Brendshëm për çështjet e policisë, Brandon Lewis, dhe me Zv.Ministren e Brendshme për çështjet e trafikimit, sigurisë dhe ekstremizmit të dhunshëm, Sarah Newton. Në takim ishte i pranishëm Ambasadori Shqiptar në Mbretërinë e Bashkuar, Qirjako Qirko, dhe Oficeri Ndërlidhës i Kontaktit nga Policia e Shtetit.

Në qendër të takimeve ishin problemet e lidhura me intensifikimin e bashkëpunimit në luftën ndaj trafikimit dhe krimit të organizuar. Gjatë tyre, të dyja palët shprehën gatishmërinë dhe domosdoshmërinë e forcimit të bashkëpunimit në të ardhmen mes dy shteteve dhe agjencive ligjzbatuese në këto fusha. “Memorandumi i Bashkëpunimit i nënshkruar më 14 Dhjetor 2014 ndërmjet Ministrave të Brendshëm të të dy vendeve, Saimir Tahiri dhe Theresa May, përbën një bazë solide për institucionalizimin e këtij bashkëpunimi”, u theksua mes të tjerash.

Gjatë takimeve u shkëmbyen informacione lidhur me strukturat përkatëse të cilat trajtojnë çështjet e trafikimit dhe krimit të organizuar. Zv.Ministrja Britanike, Newton, pasi shprehu vlerësimin e lartë për arritjet në vendin tonë në drejtim të intensifikimit të luftës  kundër këtyre fenomeneve, u ndal në veçanti në problemet që lidhen me bashkëpunimet për të luftuar këtë fenomen.

Gjithashtu, në panelin e hapjes së Konferencës të zhvilluar nga “Qendra për Studimin e Skllavërisë Moderne” në Universitetin St. Mary, Zv.ministrja Gjebrea mbajti një fjalë lidhur me politikat e skllavërisë moderne dhe trafikimit të qenieve njerëzore.