Mbahet takimi i radhës i anëtarëve të Mekanizmit Kombëtar të Referimit

16 Janar 2017 - Zëvendësministrja e Punëve të Brendshme dhe njëkohësisht Koordinatori Kombëtar për Çështje të Luftës kundër Trafikimit të Personave, znj. Elona Gjebrea, kryesoi takimin e radhës të anëtarëve të Mekanizmit Kombëtar të Referimit, mbajtur sot në mjediset e Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Qëllimi i takimit ishte ecuria e deritanishme e Marrëveshjes për Funksionimin e Mekanizmit Kombëtar të Referimit (MKR) dhe angazhimi institucional i secilit anëtar të MKR. Ndër temat e trajtuara ishin problematikat e hasura gjatë vitit 2016 në zbatimin e saj, marrja e masave përgatitore për hartimin e Strategjisë së re, planifikimet e aktiviteteve dhe parashikimet buxhetore përkatëse, informacioni nga Ministria e Mirëqenies Sociale  dhe Rinisë mbi mbështetjen financiare të qendrave për vitin 2017 si dhe fondet e alokuara për stafin e qendrave dhe parashikimi i fondit të ushqimit për vitin 2017.

Në takim morën pjesë anëtarët e Marrëveshjes së Funksionimit të Mekanizmit Kombëtar të Referimit, Nora Malaj Zëvendësministre e Arsimit dhe Sportit, Bardhylka Kospiri Zëvendësministre e Ministrisë së Mirëqenies Sociale, Zëvendësministri i Shëndetësisë, përfaqësues të Drejtorisë së Policisë së Shtetit, të Prokurorisë së Përgjithshme, të Organizatave Ndërkombëtare si IOM, World Vision dhe Koalicioni Kombëtar i Strehëzave Antitrafik, etj.