Nis fushata kombëtare “Muaji i Luftës kundër Trafikimit të Personave”

3 Tetor 2016, Tiranë - Fjala përshëndetëse e zv.ministres së Punëve të Brendshme Elona Gjebrea, me rastin e ceremonisë inauguruese të fushatës kombëtare "Muaji i Luftës kundër Trafikimit të Personave" në Tiranë.

 

Të nderuar bashkëqytetarë,

Të nderuar partnerë,

 

Ndihem tepër e privilegjuar dhe e vlerësuar që sot, bashkë me ju, të hap Fushatën Kombëtare “Muaji i Luftës kundër Trafikimit të Personave”. Tashmë është krijuar traditë, që në kuadër të Ditës Evropiane kundër Trafikimit të Personave të organizojmë përgjatë gjithë muajit Tetor aktivitete ndërgjegjësuese dhe parandaluese në 12 qarqet e vendit.

 

Por një gjë është e sigurt. Pa mbështetjen personale të Ministrit të Punëve të Brendshme, Z. Saimir Tahiri dhe të partnerëve tanë kombëtarë dhe ndërkombëtarë, nuk do të mund të organizonim këtë gamë të madhe aktivitetesh sensibilizuese për luftën kundër trafikimit të personave. Në vitin 2014, për herë të parë Ministria e Punëve të Brendshme akordoi një buxhet të veçantë për Zyrën e Koordinatorit Kombëtar për Çështje të Luftës kundër Trafikimit të Personave, i cili vijon të lëvrohet edhe përgjatë këtyre dy viteve dhe që përdoret për aktivitete parandaluese – sikurse ky i sotmi.

 

Sot hapim fushatën kombëtare “Muaji i Luftës kundër Trafikimit të Personave”. Gjatë këtij muaji do të zhvillohen aktivitete në të gjithë vendin, të cilat do të përfshijnë gjithë territorin e vendit – që nga Saranda e Skrapari, deri në Koplik, Has, Bulqizë e Tropojë. Pjesë integrale e këtyre eventeve do të jenë mbi 45 institucione/entitete/struktura shtetërore dhe sigurisht organizata jo fitimprurëse kombëtare dhe ndërkombëtare, të cilat kanë qenë bashkudhëtare të iniciativave tona në luftën pa kompromis kundër trafikimit të personave.

 

Bashkë me Ministrin dhe stafin menduam që Fushatën ta hapnim me dy aktivitete të rëndësishme: Marshimin sensibilizues dhe prezantimin e Këndit të Informimit.

 

Kjo fushatë sensibilizuese kundër trafikimit të personave është Iniciativë Globale e Kombeve të Bashkuara për Luftën Kundër Trafikimit dhe vjen për herë të parë në Shqipëri nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe rrjeti i organizatave antitrafikim “Urat”.

 

Pasi u prezantua në Durrës dhe në Sarandë në fushatën verore, sot prezantojmë këtu në Tiranë Këndin e Informimit, i cili do të qëndrojë përgjatë një jave i hapur, dhe ku qytetarët kanë mundësi të marrin informacion rreth funksionimit të Linjës Kombëtare falas 116 006Aplikacionit Raporto! Shpëto!, rreth identifikimit, referimit dhe shërbimeve që ofrohen ndaj viktimave/viktimave të mundshme të trafikimit.

 

Këndi i informimit është një vend, një mundësi e njerëzve për të folur rreth shqetësimeve të tyre në lidhje me viktimat e mundshme/viktimat e trafikimit dhe madje edhe përvojave të tyre personale në lidhje me fenomenin në fjalë. Përtej marrjes së informacionit, është një mjet për të krijuar rrjete bashkëpunimi dhe bashkëveprimi mes qytetarëve në misionin tonë të përbashkët kundër trafikimit të personave.

 

Të nderuar pjesëmarrës,

Trafikimi i personave është një krim i rëndë që shkel të drejta dhe liritë themelore të njeriut. Si i tillë, ai nuk mund të luftohet i vetëm. Vetëm strukturat shtetërore nuk mund ta shkulin nga rrënjët këtë fenomen. Duhet angazhim mbarëshoqëror. Prandaj, sot në hapjen e këndit të informimit, këtu në Tiranë, përtej falënderimeve për angazhimin tuaj në pjesëmarrjen e këtij eventi, ju ftoj, ju dhe gjithë qytetarët shqiptarë të bëheni pjesë e nënshkrimit të “Deklaratës Kundër Trafikimit të Personave”.

 

# Bashkë Luftojmë Trafikimin!

#Bashkë Mundemi!

Ju faleminderit!