Postuar më: 14 Shtator 2017

Fusha e përgjegjësisë së Ministrisë së Brendshme

VENDIM Nr. 502,

datë 13.9.2017 PËR PËRCAKTIMIN E FUSHËS SË PËRGJEGJËSISË SHTETËRORE TË MINISTRISË SË BRENDSHME

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 5, të ligjit nr. 90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave                                                                    VENDOSI:

1. Miratimin e misionit dhe të fushës së përgjegjësisë shtetërore të Ministrisë së Brendshme, sipas përcaktimeve të këtij vendimi.

2. Ministria e Brendshme është organi përgjegjës për zbatimin e politikës së punëve të brendshme në Republikën e Shqipërisë, është aparati organizativ dhe profesional, që i shërben interesit publik me paanësi, duke zbatuar legjislacionin në fuqi, duke kryer shërbimet publike dhe duke hartuar e zbatuar politikat e përgjithshme shtetërore në çështjet e punëve të brendshme.

3. Ministria e Brendshme ushtron veprimtarinë e saj, në përputhje me legjislacionin përkatës, kryesisht, por jo vetëm, në fushat e përgjegjësisë shtetërore të poshtëshënuara, si dhe në çdo fushë tjetër përgjegjësie që i ngarkohet me ligj ose akte të Këshillit të Ministrave:

a) rendit dhe sigurisë publike;

b) veprimtarisë së prefektit të qarkut;

c) bashkërendimit me njësitë e qeverisjes vendore dhe shoqatat e të zgjedhurve vendorë;

ç) shërbimeve të gjendjes civile;

d) hartimit të politikave, koordinimit dhe mbikëqyrjes së shërbimit të mbrojtjes nga zjarri;

dh) ruajtjes dhe sigurisë së territorit dhe ndërtimeve;

e) planifikimit dhe përballimit të emergjencave civile;

ë) veprimtarisë së organit qendror blerës, me autorizim të Këshillit të Ministrave.

4. Ministria e Brendshme përfaqëson dhe mbron interesat e shtetit brenda fushës së përgjegjësisë, sipas pikës 3, të këtij vendimi.

5. Vendimet e Këshillit të Ministrave nr. 942, datë 9.10.2013, “Për përcaktimin e fushës së përgjegjësisë shtetërore të Ministrisë së Punëve të Brendshme”, i ndryshuar, dhe nr. 1012, datë 22.11.2013, “Për përcaktimin e fushës së përgjegjësisë shtetërore të ministrit të Shtetit për Çështjet Vendore”, shfuqizohen.

6. Ngarkohet Ministria e Brendshme për zbatimin e këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në Fletoren Zyrtare.

KRYEMINISTRI Edi Rama