Postuar më: 28 Nëntor 2016

Projektligji "Per ankandin publik, te ndryshuar"

Për çdo propozim apo sugjerim mbi projektligjin ju mund të shkruani në adresën e saj: Silena.Tola@punetebrendshme.gov.al

 

R E L A C I O N PËR PROJEKTLIGJIN “PËR DISA SHTESA NË LIGJIN NR.9874, DATË 14.2.2008, “PËR ANKANDIN PUBLIK”, TË NDRYSHUAR” I.

QËLLIMI I PROJEKTAKTIT DHE OBJEKTIVAT QË SYNOHEN TË ARRIHEN

Projektligji “Për disa shtesa në ligjin nr.9874, datë 14.2.2008, “Për ankandin publik”, të ndryshuar”, ka për qëllim të përcaktojë një procedurë të re ankandi “me negociim, pa shpallje paraprake të njoftimit të ankandit” e cila eliminon problematikën e hasur gjatë administrimit dhe tjetërsimit të një kategorie të veçantë të mallrave të konfiskuara dhe të administruara nga Drejtoria e Përgjithshme e Rezervave Materiale të Shtetit. Gjithashtu, projektligji synon përcaktimin e rasteve të përdorimit të procedurës së ankandit që propozohet të miratohet.

II. VLERËSIMI I PROJEKTAKTIT NË RAPORT ME PROGRAMIN POLITIK TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, ME PROGRAMIN ANALITIK TË AKTEVE DHE DOKUMENTAVE TË TJERA POLITIKE

Projektligji hartohet në përputhje me programin politik të Këshillit të Ministrave.

III. ARGUMENTIMI I PROJEKTAKTIT LIDHUR ME PËRPARËSITË, PROBLEMATIKAT, EFEKTET E PRITSHME

Shtesat e propozuara në këtë projektligj kanë për qëllim të parashikojnë një procedurë të re ankandi. Konkretisht, procedurën me negociim, pa shpallje paraprake të njoftimit vetëm për një kategori të caktuar të mallrave rezervë shtetërorë. Kjo procedurë është e domosdoshme për të eliminuar vështirësitë e verifikuara si rrjedhojë e zbatimit të afateve të përcaktuara në nenin 28, të ligjit nr.9874, datë 14.2.2008, “Për ankandin publik”, të ndryshuar. Aplikimi i afateve të parashikuara në dispozitën e lartpërmendur, për mallrat rezervë shtetërorë, si gjëja e gjallë, fruta, perime, bulmet apo çdo mall i këtij lloji që ndryshon natyrë në një kohë relativisht të shkurtër ose mallra që janë në 1 prag skadence dhe për të cilët është i domosdoshëm tjetërsimi, sjell zhvlerësimin cilësor të tyre dhe rrjedhimisht një humbje financiare për shtetin. Shtesat e propozuara me këtë projektligj shërbejnë pikërisht për të shmangur këtë problematikë. Rregullat për funksionimin e kësaj procedure do të përcaktohen në vendimin nr.1719 datë 17.12.2008, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e rregullave të ankandit publik”, i cili me miratimin e këtij projektligji do të jetë objekt i ndryshimeve për t’ju përshtatur shtesave të propozuara.

IV. VLERËSIMI I LIGJSHMËRISË, KUSHTETUESHMËRISË DHE HARMONIZIMI ME LEGJISLACIONIN NË FUQI VENDAS E NDËRKOMBËTAR

Projektligji “Për disa shtesa në ligjin nr.9874, datë 14.2.2008, “Për ankandin publik”, të ndryshuar”, është në përputhje me Kushtetutën dhe është në harmoni të plotë me legjislacionin në fuqi.

V. VLERËSIMI I SHKALLËS SË PËRAFRIMIT ME ACQUIS COMMUNAUTAIRE (PËR PROJEKTAKTET NORMATIVE)

Projektligji nuk synon përafrim me acquis të Bashkimit Evropian.

VI. PËRMBLEDHJE SHPJEGUESE E PËRMBAJTJES SË PROJEKTAKTIT

Projektligji “Për disa shtesa në ligjin nr.9874, datë 14.2.2008, “Për ankandin publik”, të ndryshuar”, përmban 4 nene. Në nenin 1, janë parashikuar 2 shtesa, në nenin 17, të ligjit nr.9874, datë 14.2.2008, “Për ankandin publik”, të ndryshuar. Konkretisht, është shtuar shkronja “ç” në nenin 17 të ligjit të sipërcituar, e cila parashikon një formë të ankandit publik që krijohet rishtazi, me përmbajtje “procedurë me negociim, pa shpallje paraprake të njoftimit të ankandit”. Për të saktësuar që kjo procedurë do të përdoret vetëm për disa lloje mallrash që administrohen nga Drejtoria e Rezervave Materiale të Shtetit, është shtuar pika 5 në nenin 17, të ligjit nr.9874, datë 14.2.2008, “Për ankandin publik”, të ndryshuar e cila përcakton shprehimisht se “procedura me negociim, pa shpallje paraprake të njoftimit të ankandit përdoret vetëm për mallrat e konfiskura të administruara nga Drejtoria e Përgjithshme e Rezervave Materiale të Shtetit”. 2 Neni 2, parashikon se pas nenit 20, shtohet neni 20/1, i cili parashikon rastet e përdorimit të procedurës me negociim, pa shpallje paraprake të njoftimit duke përcaktuar se, procedura që krijohet rishtazi mund të përdoret kur natyra e objektit nuk lejon zbatimin e afateve të përcaktuara në nenin 28 të këtij ligji, dhe përcaktimin e çmimit të plotë, në veçanti në rastet si më poshtë: i) Shitjes së gjësë së gjallë; ii) Shitjes së mallrave të konfiskuara (fruta, perime, bulmet, mish dhe çdo mall i kësaj natyre që ndryshojnë natyrë në një kohë relativisht të shkurtër apo mund të jenë në prag scadence për të cilat është i domosdoshëm tjetërsimi i tyre. Gjithashtu, është përcaktuar në pikën 2, të nenit 20/1, që sugjerohet të shtohet se, parashikimet e përcaktuara në pikat 2, 3 dhe 4, të nenit 20 të këtij ligji, zbatohen edhe për procedurën me negociim, pa shpallje paraprake të njoftimit të ankandit. Ky përcaktim është konsideruar i nevojshëm për të mundësuar zhvillimin e procedurës që propozohet të krijohet, në respektim të parimeve të barazisë, proporcionalitetit, transparencës dhe të mosdiskriminimit. Në nenin 3 të projektligjit, është parashikuar që në nenin 28, të ligjit nr.9874, datë 14.2.2008, “Për ankandin publik”, të ndryshuar të shtohet pika 5, e cila parashikon se në procedurën me negocim pa shpallje paraprake të njoftimit, pra në procedurën që propozohet të krijohet rishtazi, afati kohor minimal për dorëzimin e ofertave të jetë 3 ditë dhe jo 10 ditë, siç parashikohet për procedurat e tjera. Neni 4 i projektligjit, përcakton hyrjen në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

VII.INSTITUCIONET DHE ORGANET QË NGARKOHEN PËR ZBATIMIN E AKTIT

Ngarkohen Ministria e Punëve të Brendshme dhe Drejtoria e Rezervave të Materialeve të Shtetit për zbatimin e këtij projektligji.

VIII.PERSONAT DHE INSTITUCIONET QË KANË KONTRIBUAR NË HARTIMIN E PROJEKTAKTIT

Në hartimin projektligjit kanë marrë pjesë drejtoritë operative të Drejtorisë së Përgjithshme të Rezervave Materiale të Shtetit dhe Drejtoria Juridike dhe Përafrimit të Legjislacionit. 3

IX. RAPORTI I VLERËSIMIT TË TË ARDHURAVE DHE SHPENZIMET BUXHETORE

Ndryshimet e propozuara në projektligj janë ndryshime teknike dhe nuk paraqesin efekte financiare shtesë për buxhetin e shtetit.

KËSHILLI I MINISTRAVE

Dokumentat e bashkëngjitura