Postuar më: 29 Mars 2017

Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.108/2014 “Për Policinë e Shtetit”, të ndryshuar

Projektligji mundëson rregullimin e disa procedurave që lidhen me personelin e Policisë së Shtetit, procedurat për fitimin e gradës, shtimin e dy gradave në nivelin bazë të policisë, ndryshimin e kritereve për fitimin e gradave për shkak të shtimit të dy gradave, ndryshimin e disa emërtimeve, përcaktimin e kritereve të emërimit, qëndrimit në detyrë, lirimit dhe shkarkimit të Drejtorit të Departamentit si autoritet i lartë në Policinë e Shtetit, përkufizimin për vërtetimin e besueshmërisë dhe të policimit vullnetar, si dhe trajtimin e pjesëtarëve të familjes së shtetasve që humbin jetën për shkak të kryerjes së detyrave në ndihmë të policisë  etj.

Në projektligj është propozuar ndryshimi i emërtimit të Drejtorit të Policisë së Shtetit në Drejtor të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit dhe Zëvendësdrejtorit të Policisë së Shtetit në Zëvendësdrejtor të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.

Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit propozohet të organizohet në struktura hierarike në nivel departamenti, drejtorie dhe sektori.

Departamenti është strukturë organizative ekuivalente me drejtoritë e përgjithshme që parashikohen aktualisht në ligjin nr.108/2014 “Për Policinë e Shtetit”.

Produkti përfundimtar që pritet të arrihet me miratimin e këtij projektligji është rregullimi i veprimtarisë me personelin e policisë në disa fusha, përmirësimi i hierarkisë së gradave, për të cilat në ligjin aktual janë konstatuar mangësi, parashikimi i trajtimit të pjesëtarëve të familjes së shtetasve që humbin jetën për shkak të kryerjes së detyrave në ndihmë të policisë, si dhe organizimi i Policimit Vullnetar me qëllim ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike, parandalimin e krimit dhe përballimin e situatave të emergjencave civile.

Dokumentat e bashkëngjitura