Postuar më: 08 Mars 2017

V E N D I M PËR DHËNIEN E NDIHMËS SË MENJËHERSHME FINANCIARE PUNONJËSIT TË POLICISË, NË RAST TË DËMTIMIT TË RËNDË TË PRONËS, PËR SHKAK TË DETYRËS

V E N D I M

PËR

DHËNIEN E NDIHMËS SË MENJËHERSHME FINANCIARE PUNONJËSIT TË POLICISË, NË RAST TË DËMTIMIT TË RËNDË TË PRONËS, PËR SHKAK TË DETYRËS

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikave 1, shkronja “dh” dhe 2, të nenit 67, të ligjit nr.108/2014, “Për Policinë e Shtetit”, dhe të ligjit nr.9936,   datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Punonjësi i Policisë së Shtetit, në rast të dëmtimit të rëndë të pronës për shkak të detyrës, përfiton ndihmë të menjëhershme financiare në masën 100 për qind të vlerës së pronës së dëmtuar, por jo më shumë se 1 000 000 (një milion) lekë.

2. Punonjësi i policisë e përfiton ndihmën e menjëhershme financiare, sipas pikës 1, të këtij vendimi, kur dëmtimi i pronës së paluajtshme ose të luajtshme, vlerësohet më shumë se 100 000 (njëqind mijë) lekë.

3. Për të përfituar ndihmë të menjëhershme financiare, punonjësi i policisë duhet të ketë titull pronësie, bashkëpronësie të pronës së dëmtuar, apo të provojë që këtë pronë e ka në proces legalizimi.

4. Punonjësit të policisë i jepet ndihmë e menjëhershme financiare, sipas këtij vendimi, vetëm në rast se nuk ka përfituar dëmshpërblim nga një shoqëri sigurimi për dëmtimin e pronës.

5. Punonjësi i policisë e përfiton ndihmën e menjëhershme financiare kur:

a) prona i është dëmtuar si pasojë e veprës penale, e kryer në dëm të punonjësit të policisë për shkak të detyrës, dhe për rastin është referuar në Prokurori; 

b) prona i është dëmtuar aksidentalisht, gjatë përdorimit të saj nga punonjësi i policisë, për përmbushjen e detyrave zyrtare.  

6. Për përfitimin e ndihmës së menjëhershme financiare, sipas pikës 1, të këtij vendimi, punonjësi i policisë parashtron faktin e dëmtimit dhe dorëzon zyrtarisht dokumentacionin, pranë titullarit të institucionit policor ku ai shërben.

7. Drejtori i Policisë së Shtetit urdhëron ngritjen e komisionit për verifikimin e faktit dhe vlerësimin e dëmit të shkaktuar. Urdhri për ngritjen e komisionit i komunikohet zyrtarisht punonjësit të policisë që ka kërkuar ndihmë të menjëhershme financiare.

8. Komisioni për verifikimin e faktit dhe vlerësimin e dëmit drejtohet nga zëvendësdrejtori i Policisë së Shtetit dhe përbëhet nga 5 anëtarë, nga të cilët 1 specialist finance dhe 1 jurist.  

9. Komisioni verifikon faktin e dëmtimit të pronës, bën vlerësimin paraprak të dëmit të shkaktuar dhe shikon përputhshmërinë me kriteret për përfitimin e ndihmës së menjëhershme financiare, sa më shpejt, por jo më vonë se 10 ditë pune nga paraqitja e kërkesës së punonjësit të policisë. Komisioni i vë në dispozicion Drejtorit të Policisë së Shtetit përfundimet e arritura. 

10. Pagesa për ndihmë të menjëhershme financiare për dëmin e shkaktuar bëhet me urdhër të Drejtorit të Policisë së Shtetit.

11. Bashkëlidhur urdhrit të Drejtorit për dhënien e ndihmës së menjëhershme financiare në çdo rast duhet të jenë, si më poshtë:

a) Kërkesa me shkrim e punonjësit të policisë që përfiton ndihmën;

b) Kopje të shkresës së strukturës policore për referimin e veprës penale në Prokurori, ose procesverbalit që evidenton ngjarjen aksidentale;

c) Dokumentacioni që provon titullin e punonjësit të policisë mbi pronën e dëmtuar;

ç) Procesverbali i hartuar nga komisioni, si dhe çdo dokument i prodhuar apo administruar nga komisioni për verifikimin e faktit dhe vlerësimin e dëmit.

12. Kur nga hetimi apo gjykimi i çështjes provohet se dëmi i shkaktuar nuk ka ardhur për shkak të detyrës, punonjësi i policisë që ka përfituar ndihmë të menjëhershme financiare është i detyruar të kthejë në masën 100 për qind shumën e përfituar.

13. Efektet financiare që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi përballohen nga buxheti i Policisë së Shtetit.

14. Ngarkohen Ministria e Punëve të Brendshme dhe Ministria e Financave për zbatimin e këtij vendimi.

 Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

EDI  RAMA

Dokumentat e bashkëngjitura