Postuar më: 22 Tetor 2013

VENDIM Nr. 942, datë 9.10.2013 PËR PËRCAKTIMIN E FUSHËS SË PËRGJEGJËSISË SHTETËRORE TË MINISTRISË SË PUNËVE TË BRENDSHME

                                                           VENDIM

                                              Nr. 942, datë 9.10.2013

PËR PËRCAKTIMIN E FUSHËS SË PËRGJEGJËSISË SHTETËRORE TË MINISTRISË SË  PUNËVE TË BRENDSHME

 

       Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2 të nenit 5 të ligjit nr. 90/2012, “Për  organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i  Ministrave

 

VENDOSI:

 

I. Miratimin e misionit dhe të fushës së përgjegjësisë shtetërore të Ministrisë së Punëve të  Brendshme, sipas përcaktimeve të këtij vendimi.

II. Ministria e Punëve të Brendshme është organi përgjegjës për zbatimin e politikës së  punëve të brendshme në Republikën e Shqipërisë, është aparati organizativ dhe profesional, që i  shërben interesit publik me paanësi, duke zbatuar legjislacionin në fuqi, duke kryer shërbimet  publike dhe duke hartuar e zbatuar politikat e përgjithshme shtetërore në fushën e punëve të  brendshme.

III. Ministria e Punëve të Brendshme ushtron veprimtarinë e saj në këto fusha përgjegjësie  shtetërore në përputhje me legjislacionin përkatës:

  1. Mbrojtjen e jetës së njerëzve, të sigurisë e të pronës së tyre personale.
  2. Parandalimin, zbulimin dhe hetimin, në përputhje me ligjin penal dhe me ligjin procedural penal, të veprave penale e të autorëve të kryerjes së tyre.
  3. Mbrojtjen e rendit e të sigurisë publike.
  4. Mbikëqyrjen dhe drejtimin e trafikut rrugor në rrugë për përdorim publik, në përputhje me legjislacionin rrugor.
  5. Mbikëqyrjen dhe kontrollin e kufirit shtetëror të Republikës së Shqipërisë.
  6. Mbrojtjen e individëve, të mjediseve e të objekteve të caktuara nga rreziqe të mundshme.
  7. Hyrjen, qëndrimin, punësimin, trajtimin dhe daljen e të huajve në/nga Republika e Shqipërisë.
  8. Marrjen e masave për mbrojtjen e dëshmitarëve dhe të bashkëpunëtorëve të drejtësisë.
  9. Garantimin e komunitetit për një shërbim policor të përgjegjshëm, demokratik dhe transparent, në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe standardet e kërkuara, trajtimin ekonomik e financiar të familjeve të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit, kur janë plagosur apo kur punonjësit kanë humbur jetën në krye apo për shkak të detyrës.
  10. Monitorimin dhe bashkëpunimin me institucionet e ngarkuara për zbatimin e masave në kuadër të luftës kundër trafikimit të qenieve njerëzore.
  11. Ruajtjen dhe mbrojtjen e personaliteteve të larta shtetërore dhe të rezidencave të përcaktuara.
  12. Mbrojtjen e të drejtave civile të shtetësisë dhe azilit.
  13. Ndjekjen e procedurave për realizimin e të drejtave për arsimimin, punësimin, kujdesin shëndetësor e shoqëror, strehimin dhe bashkimin familjar të personave, që kanë përfituar azil në Republikën e Shqipërisë.
  14. Organizimin e funksionimin e shërbimit të gjendjes civile në Republikën e Shqipërisë.
  15. Pajisjen e të gjithë shtetasve shqiptarë, personave pa shtetësi dhe shtetasve të huaj me qëndrim të përhershëm, brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, me një dokument identifikues unik, me pasaportë, si dhe përcaktimin e kuptimit, të mënyrës së formimit e të sferës së përdorimit të numrit personal.
  16. Përcaktimin e mënyrës së krijimit dhe të administrimit të sistemit të adresave.
  17. Parandalimin, pakësimin dhe riaftësimin nga çdo dëmtim që prek popullatën, gjënë e gjallë, pronën, trashëgiminë kulturore dhe mjedisin nga emergjencat civile.
  18. Mbrojtjen e jetës së njerëzve dhe të pronës nga rreziku i zjarrit dhe i fatkeqësive natyrore e fatkeqësive të tjera në rastet e emergjencave civile.
  19. Ministria e Punëve të Brendshme, nëpërmjet institucionit të prefektit bashkërendon veprimtarinë e institucioneve qendrore në nivel vendor dhe funksionet e deleguara të tyre me njësitë e qeverisjes vendore në komuna, bashki e qarqe.
  20. Vendosjen e bazave juridike dhe administrative për rregullimin e marrëdhënieve që lindin, ekzistojnë dhe shuhen gjatë administrimit, mirëmbajtjes dhe kontrollit të pronësisë në rezervat materiale të shtetit.
  21. Krijimin e kushteve për trajtimin e punonjësve të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe shfrytëzimin e mjediseve të Shtëpisë së Pushimit për nevoja të kësaj ministrie.
  22. Sigurimin e mbështetjes së gjendjes teknike të automjeteve të Policisë së Shtetit dhe të aparatit të Ministrisë së Punëve të Brendshme.
  23. Kryerjen e procedurave të prokurimit, në emër dhe për llogari të Kryeministrisë, ministrive, institucioneve në varësi të Kryeministrit dhe të ministrave të linjës, për blerjen e mallrave dhe të shërbimeve.
  24. Kryerjen e procesit të inventarizimit e të transferimit të pronave të paluajtshme shtetërore publike të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore, drejtimin e procesit të inventarizimit të pasurive të paluajtshme publike, që administrohen nga institucionet e pushtetit qendror, propozimet për shpronësimet për interes publik nga njësitë e qeverisjes vendore dhe përgatitjen e akteve që dërgohen për miratim në Këshillin e Ministrave.
  25. Administrimin dhe mbrojtjen e informacionit të klasifikuar, si dhe të dokumentacionit të arkivave të Ministrisë së Punëve të Brendshme.
  26. Përgjegjësi të tjera në kompetencë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, të përcaktuara në bazë të legjislacionit në fuqi.

IV. Ministria e Punëve të Brendshme përfaqëson dhe mbron interesat e shtetit brenda fushës së përgjegjësisë, sipas pikës III të këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në Fletoren Zyrtare.

                  KRYEMINISTRI                                    

                   Edi Rama