Julian HODAJ

Zëvendësministër

Julian HODAJ

Julian Hodaj është Zëvendësministër i Brendshëm që nga 9 Tetori 2017.

Ai ka lindur në Tiranë, më 20 tetor 1976.

U diplomua në Jurisprudencë në Universitetin e Bolonjës, Alma Mater Studiorum, në Itali, në vitin 2002.

Nga viti 2002 deri në vitin 2005, z.Hodaj ka kryer praktikat profesionale të profesionit të Avokatit, ka dhënë provimet përkatëse dhe ka ushtruar profesionin e praktikantit ligjor dhe Avokatit pranë disa zyrave ligjore, italiane dhe shqiptare, përkatësisht në Itali dhe Shqipëri.

Nga viti 2005 deri në vitin 2006 ka punuar si Drejtor i Drejtorisë së Marrëdhënieve me Jashtë dhe Publikun pranë Ministrisë së Drejtësisë.

Nga viti 2006 e deri në 2017 ka shërbyer si Këshilltar Ligjor i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri. Gjatë punës për këtë organizatë ndërkombëtare z. Hodaj ka pasur mundësinë të përgatisë analiza ligjore të kuadrit normativ ekzistues në Shqipëri, të japë këshilla profesionale, të hartojë dhe komentojë propozime legjislative në pothuaj gjithë fushat e rëndësishme legjislative, materiale apo procedurale. Gjatë këtyre viteve, ai ka pasur mundësinë të kontribuojë në ndryshimet e ligjeve materiale, si Kodi Penal apo Kodi Civil, dhe atyre procedurale si Kodi i Procedurës Civile apo Kodi i Procedurës Penale.

Nga viti 2014 deri në vitin 2017, ai është angazhuar si ekspert në kuadër të Reformës në Drejtësi. Ai ka qenë pjesë e grupeve të punës të ngarkuar me hartimin e ndryshimeve kushtetuese të reformës në drejtësi, të ndryshimeve të ligjit për Gjykatën Kushtetuese, të ndryshimeve të Kodit të Procedurës Penale dhe të përgatitjes së projektligjeve të tjera, pjesë e paketës së reformës.

Z. Hodaj është angazhuar në procesin e reformës territoriale të ndërmarrë në vitin 2015, duke shërbyer si këshilltar ligjor i konsorciumit të angazhuar në kuadër të projektit STAR, për  amalgamimin financiar dhe organizativ të Njësive të sotme të Qeverisjes Vendore.

Z. Hodaj ka pasur mundësinë të hartojë dhe drejtojë projekte për përmirësimin e cilësisë dhe gjithëpërfshirjes në hartimin e projekt legjislacionit dhe përmirësimin e aftësive profesionale të avokatëve të rinj në Shqipëri.

Z. Hodaj ka njohuri profesionale të gjuhës angleze dhe italiane.