Postuar më: 16 Qershor 2016

“Beteja për ta bërë Shqipërinë më të drejtë duke reformuar sistemin e drejtësisë, sapo ka nisur”

VIDEO - Prononcimi për media i ministrit të Punëve të Brendshme Saimir Tahiri, pas vendimit të Gjykatës së Apelit Tiranë, që hoqi masën e pezullimit nga detyra të Drejtorit të Policisë së Shtetit Haki Çako:

Ministri Tahiri: Ne jemi të bindur, që rruga jonë për të reformuar sistemin e drejtësisë, për të garantuar integritetin dhe pastërtinë në sistemin e drejtësisë, sapo ka nisur.

Ashtu siç beteja jonë për t’u bërë bashkë me shqiptarët për të garantuar që ligji të jetë “një” dhe “i barabartë” për të gjithë sapo ka nisur. Ashtu siç jemi të bindur që rruga jonë për të reformuar Policinë e Shtetit është në drejtimin e duhur për t’i shërbyer qytetarëve dhe për të garantuar standardet më të larta të luftës kundër krimit dhe korrupsionit.

Rruga jonë për të modernizuar Policinë e Shtetit është në drejtimin e duhur për të bërë gjithçka kemi mundësi që Policia bashkë me qytetarët t’i garantojë më shumë siguri dhe mbi të gjitha një Shqipëri të drejtë.

Ne jemi të bindur që puna që kemi bërë deri më sot në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Policinë e Shtetit për t’i shërbyer qytetarëve dhe për të rritur besimin e publikut tek Policia e Shtetit, sepse kjo është e vetmja mënyrë për të garantuar që bashkë me qytetarët Shqipëria të jetë më e drejtë.

Ne jemi të bindur që jemi në rrugën e duhur. Ashtu siç jemi të bindur që kemi ende shumë përpara për të bërë. Rruga jonë në këtë drejtim ka pengesa sigurisht. Ka vështirësi. Ka sakrifica. Por, çdo pengesë, çdo vështirësi dhe çdo sakrificë është një konfirmim për rrugën e duhur që kemi ndërmarrë bashkë me qytetarët.

Në këtë kuadër çdo ‘gërvishtje’, apo çdo ‘plagë’ që marrim rrugës na bën më të fortë edhe më të bindur, se jemi në rrugën e duhur për të rilindur Policinë e Shtetit, për t’i shërbyer qytetarëve dhe për të garantuar një shoqëri më të drejtë.  

Pyetje: Z. Tahiri ka pasur akuza të drejtpërdrejta sot nga ana e opozitës për Kryeministrin Rama, mazhorancën, sipas së cilës është bërë një presion kriminal ndaj Gjykatës për rastin e përgjimeve?

Ministri Tahiri: Akuzat e opozitës nuk janë më të reja për mua. Kanë shkuar mbi 2 mijë konferencat e shtypit dhe deklaratat kundër Ministrisë së Punëve të Brendshme, kundër meje personalisht dhe kundër Policisë së Shtetit.

Ashtu si çdo gërvishtje apo plagë që marrim nga segmente të caktuara të sistemit të drejtësisë të cilët i frikësohen Reformës në Drejtësi ashtu dhe opozita me deklaratat e veta vetëm na bind më shumë se kjo është rruga e duhur dhe na nxit më shumë që të bëjmë gjithçka kemi nisur për të modernizuar policinë, për t’i shërbyer më shumë qytetarëve, për të luftuar akoma më fortë me kriminelët dhe të korruptuarit, për ta bërë Shqipërinë më të drejtë.

Pyetje: Z. Tahiri po në fakt kur drejtësia jep vendime në favor, le të themi në rastin konkret për zotin Çako, atëherë ajo është e mirë?

Ministri Tahiri: Unë nuk thashë asgjë që mund të ketë nxitur pyetjen që sapo bëtë. Unë thashë që rruga jonë, beteja jonë për ta bërë Shqipërinë më të drejtë duke reformuar sistemin e drejtësisë, duke modernizuar Policinë e Shtetit dhe duke ju shërbyer qytetarëve është në drejtimin e duhur dhe sapo ka nisur. Unë jam shumë i bindur që bashkë me qytetarët e ndershëm të Republikës së Shqipërisë do mund t’ia dalim.

Pyetje: Ama vendimi u mor nga “Fronti i të së keqes” dhe për rikthimin në detyrë të Z.Çako apo jo?

Ministri Tahiri: Këto janë interpretimet tuaja. Ajo që unë kam për të thënë, është ajo ekzaktësisht që unë thashë.

Jam shumë i vetëdijshëm që qytetarët presin akoma më shumë prej nesh. Ashtu siç jo vetëm unë, por të gjithë jemi të vetëdijshëm, që mbi të gjitha qytetarët presin që drejtësia të bëjë drejtësi dhe Shqipëria të jetë më e drejtë. Ata që trokasin dyerve të gjykatave presin që vendimet të merren jo mbi bazën e xhepit apo të fuqisë, por mbi bazën e ligjit dhe të drejtësisë. Është kjo vetëdije  që na bën të besojmë që jemi në rrugën e duhur, ashtu siç është gjithçka kemi bërë deri më sot: nxitja më e madhe për të vazhduar në këtë drejtim.

Faleminderit!