Postuar më: 18 Gusht 2016

“PD kërkon vetëm të përbaltë punën e Policisë së Shtetit”

Në mënyrë të përsëritur dhe të përditshme Partia Demokratike publikon nga salla e saj e konferencave të shtypit një fletë-rrufe akuzash false dhe denigruese, ndaj Policisë së Shtetit e drejtuesve të saj.

Me shume keqardhje vëmë re se këto fletë-rrufe të turpshme nuk kanë asnjë qëllim tjetër përveç përbaltjes së Policisë së Shtetit dhe gjithçka përfshihet në to nuk ka të bëjë me realitetin e fakteve, po vjen nga kazani i thashethemeve të Liderit Dixhital të Partisë Demokratike.

Ministria e Punëve të Brendshme e vlerëson përfundimisht të kotë, vazhdimin e përgënjeshtrimeve për serinë e shpifjeve dhe të marrëzive që publikon çdo ditë selia e opozitës.

Lufta kundër kultivimit dhe trafikimit të kanabisit ka qenë dhe mbetet prioritet i Policisë së Shtetit, e cila në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, po regjistron edhe këtë vit arritje të rëndësishme në këtë luftë.

Partia Demokratike fatkeqësisht vazhdon të luftojë Policinë e Shtetit, në një përpjekje të marrë dhe të dështuar, shëmbëlltyrë e marrëzisë dhe dështimit të Liderit të saj Dixhital.