Postuar më: 09 Qershor 2016

Tahiri: Presidenti të kthejë përgjigje për skandalet me drejtësinë

VIDEO - Deklarata për media e ministrit të Punëve të Brendshme Saimir Tahiri – 9 qershor:

Pas denoncimit tim dje të skandalit në Gjykatën e Tiranës për ekzekutimin antiligjor në kundërshtim me rregullat dhe jashtë procedurave të shortit të Gjykatës së Tiranës mbi gjyqtarin që duhet të gjykonte kërkesën e Prokurorisë për pezullimin e Drejtorit të Policisë Haki Çako dhe përcaktimin jashtë ligjit, jashtë rregullave dhe jashtë shortit të gjyqtarit Arjan Aliaj, fatmirësisht Gjykata e Tiranës pranoi se skandali ekziston por “gjyqtari është zëvendësuar dhe është përzgjedhur gjyqtari Arjan Aliaj, sepse gjyqtari tjetër kishte probleme shëndetësore”.
 
Kjo është hera e dytë që unë dëgjoj justifikime të këtij tipi, pas justifikimeve që jepte Lulzim Basha për të mos u paraqitur në gjyq, me raporte shëndetësore apo me bileta udhëtimi për jashtë Shqipërisë. Por, hera  e parë kur Gjykata e Tiranës pranon një skandal zëvendësimi të një gjyqtari në mënyrë të paligjshme, pa respektuar ligjin, rregullat, shortin duke përzgjedhur një gjyqtar jashtë liste, jashtë rregullave, të gatshëm për të dhënë një vendim tërësisht dhe haptazi të parregullt e joligjor.
 
Unë dua të pyes Presidentin e Republikës, kryetarin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë: për cilën arsye u përzgjodh gjyqtari Arjan Aliaj, i cili është shkarkuar nga detyra sepse me vendimin nr. 61 datë 13.10.1999 ka liruar nga burgu një person të dënuar me 14 vite për “Marrëdhënie seksuale me dhunë”?
 
Për cilën arsye u përzgjodh gjyqtari Arjan Aliaj i shkarkuar sepse me vendim nr.32 ka liruar nga burgu një person të dënuar për “Vrasje me dashje e mbetur në tentativë” dhe “Armëmbajtje pa leje”? Për cilën arsye u përzgjodh gjyqtari Arjan Aliaj që ka dhënë të paktën dhe katër vendime të tjera se liroi nga burgu të dënuar  që kanë kryer vepra të rënda penale si “Vjedhja me armë” e “Vjedhja me dhunë”? Për cilën arsye u përzgjodh një gjyqtar që ka liruar vrasës dhe përdhunues?  Për cilën arsye u shkel ligji, u thye rregulli dhe u përzgjodh jashtë shortit pikërisht ky gjyqtar?
 
Unë besoj Presidenti i Republikës do kthejë përgjigje, për sa kohë gjen kohë të merret me lojërat e kalamajve. E për sa kohë deri më sot nuk ka kthyer përgjigje për çdo denoncim tjetër, që unë personalisht i kam bërë për gjyqtarë të Republikës të cilët kanë shkelur ligjin haptaz, duke dhunuar shtetas e të drejtën e tyre kushtetuese .
 
I kujtoj këtu që i kam denoncuar Presidentit të Republikës një gjyqtar në Kavajë, i cili ka lejuar në sallën e gjyqit një person të akuzuar për “Marrëdhënie seksuale  me dhunë me të mitur” – e deri më sot Presidenti nuk është përgjigjur. 
Kam denoncuar një gjyqtar tjetër që ka liruar në sallë një person të kapur me armë dhe dhunë ndaj punonjësve të policisë – dhe Presidenti nuk është përgjigjur.
Kam denoncuar një gjyqtar tjetër që ka “dërguar në shtëpi”, liruar nga burgu një person të dënuar për “Armëmbajtje pa leje” dhe “Plagosje me armë” – dhe presidenti nuk është përgjigjur.
Kam denoncuar një gjyqtar tjetër i cili ka liruar nga burgu një shtetas tjetër të dënuar për “Plagosje të rëndë me armë” – dhe Presidenti nuk është përgjigjur.
Kam denoncuar një gjyqtar tjetër që ka dhënë masën “Detyrim paraqitje” për një person të akuzuar për “Tentativë vrasie” – dhe presidenti nuk është përgjigjur.
Ashtu siç denoncoj sot edhe këtë skandal tjetër të Gjykatës Tiranë me caktimin jashtë ligji, jashtë rregulli, jashtë shorti të gjyqtarit Arjan Aliaj, i cili ka qenë i shkarkuar nga detyra sepse ka liruar vrasës dhe përdhunues me vendimin nr.61 dhe nr.32 dhe katër  vendime të tjera për krime të rënda, vjedhje me armë, vjedhje me dhunë.

Për cilën arsye Kryetari i Gjykatës Tiranë Fatri Islami - i lidhur jo vetëm nga vendlindja me Sali Berishën por edhe me lidhje të afërta familjare, asistent personal i Argita Berishës në Fakultetin e Drejtësisë dhe i emëruar politikisht si Kryetari i Gjykatës Tiranë, për cilën arsye Kryetari i Gjykatës Tiranë ka përzgjedhur pikërisht jashtë ligjit, jashtë rregullit, jashtë shortit gjyqtarin Arjan Aliaj? Për cilën arsye duhej ky shërbim politik? Për cilën arsye duhej  përzgjedhur një ushtarnë sistemi e drejtësisë, i dënuar dhe i marrë peng nga pushteti politik, për imunitetin që i kanë dhënë ndaj shkeljeve që ka bërë duke liruar vrasës dhe përdhunues? Duhej të përzgjidhej pikërisht ky në çështjen që nuk ka asnjë lloj lidhje me të vërtetën dhe drejtësinë?

Këto janë pyetje që duhet t’u japë përgjigje Presidenti i Republikës, i cili ka detyrimin si Kryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë të përgjigjet jo për mua po për publikun. Presidenti, i cili gjen kohë për lojërat e kalamajve, duhet të gjejë detyrimisht kohë të përgjigjet për afera e rënda dhe skandalet që konsumohen në Gjykatën e Tiranës me të tillë gjyqtarë e kryetarë gjykatash.

Reforma në Drejtësi është mbi të gjitha vullnet dhe frymë, kurajo dhe forcë për t’u bërë bashkë me qytetarët për t’u thënë njëherë e mirë “Ndal” të gjithë gjyqtarëve e prokurorëve që shkelin ligjin në kurriz të qytetarëve, e që mbrohen me imunitet politik. Atyre që u kanë zënë kokën me derë sa herë prokurorë e gjyqtarë kanë shkelur ligjin e sot i mbajnë peng, të gatshëm për t’i përdorur për të tilla vendime.

Kjo për ne është vetëm një shenjë shumë e pastër se si segmente të caktuara të prokurorisë dhe gjykatës bëhen bashkë me Frontin e të Keqes me të gjithë ata që nuk duan Reformën në Drejtësi. Me të gjithë ata që duan të mbajnë peng këtë vend, me kokën pas. Me të gjithë ata që duan të mbajnë peng këtë shoqëri, me synimin që të mos bëjë kurrë përpara e të mbetet nën thundrën e nënshtrimit të një diktature të së Keqes që sot mishërohet më së miri në segmente të caktuara të Prokurorisë e Gjykatës.

Kjo është vetëm një shenjë e dhimbjes së përgjithshme që janë të detyruar të përballen qytetarët në dyert e gjykatave – e që nuk kanë dot zë të flasin. Por kjo është një shenjë shumë e fortë e detyrimit që kemi të gjithë bashkë për të çuar përpara Reformën në Drejtësi. Për të shkundur nga themelet të gjithë ata gjyqtarë e prokurorë që sot janë shumë të gatshëm të shërbejnë si shërbëtorë të devotshëm për segmente të caktuara të politikës, por që nuk janë të gatshëm t’i shërbejnë ligjit, drejtësisë e mbi të gjitha qytetarëve.

Ne nuk kemi nevojë për shërbëtorë politikë në sistemin e drejtësisë. Ne kemi nevojë për shërbëtorë ndaj qytetarëve. Ne nuk kemi nevojë për shërbëtorë ndaj parasë e korrupsionit në sistemin e drejtësisë . Ne kemi nevojë për njerëz që t’i shërbejnë ligjit, të drejtës dhe qytetarëve.

Ne do vazhdojmë të denoncojmë me fakte cilindo që ka shkelur ligjin duke mos bërë drejtësi sipas ligjit por duke i rënë çekiçit sipas interesit – qoftë ky parash apo interes politik. Ne do vazhdojmë të denoncojmë e të turpërojmë publikisht të gjithë ata qemë detyrën e prokurorit e të gjyqtarit janë pasuruar nën hundën e shoqërisë e sot kapadaisen publikisht për shkak të imunitet politik që kanë.

Kjo është një betejë jo me emra të caktuar. Jo me personazhe të caktuara që janë të diskretituar publikisht duke liruar vrasës e përdhunues e sot janë ende në detyrë sepse u shërbejnë segmenteve të politikës.

Por kjo është një betejë e jona me sistemin që duhet tronditur nga themelet për t’i dhënë njëherë e mirë lirinë trupës së prokurorëve e gjyqtarëve të bëjnë drejtësi sipas ligjit e jo sipas tutorëve politikë, kudo që ndodhen.

Faleminderit.