Postuar më: 06 Qershor 2017

"Të angazhuar për ta nxjerrë Shqipërinë nga harta e kultivimit e trafikimit të narkotikëve"

Dokumentat e bashkëngjitura

Ministri i Punëve të Brendshme Dritan Demiraj u njoh me gjetjet e Raportit Vjetor Europian të Drogave të vitit 2017, publikuar gjatë ditës së sotme nga Qendra Europiane e Monitorimit të Drogave dhe Varësisë nga Droga, me seli në Lisbonë (EMCDDA), ku Shqipëria përmendet në veçanti për rritjen e kultivimit të kanabisit dhe trafikimit të narkotikëve në Europë.

Ministri i Punëve të Brendshme Dritan Demiraj shprehet thellësisht i angazhuar për ta nxjerrë Shqipërinë nga harta e kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike. 

Ministri Demiraj ka filluar një komunikim intensiv jo vetëm me drejtuesit e Policisë, por edhe me drejtuesit e agjencive të tjera, si Drejtorin e Shërbimit Informativ, Prokurorin e Përgjithshëm dhe Prokurorin e Krimeve të Rënda, për të pasur një reagim më të koordinuar për një luftë pa kompromis ndaj këtij fenomeni.

Kjo luftë do të shtrihet që nga kontrolli tërësor i territorit të Republikës së Shqipërisë deri tek shkatërrimi i grupeve kriminale që merren me trafikimin e lëndëve narkotike dhe të implikuarve nga radhët e punonjësve të Policisë.

Ministri Demiraj përgëzon punën goditëse të Policisë së Shtetit në parandalimin dhe trafikimin e lëndëve narkotike dhe garanton mbështetje plotë të të gjitha strukturave për zbatimin e Planit të Veprimit kundër Kultivimit dhe Trafikimit të Kanabisit 2017–2020.