Postuar më: 23 Dhjetor 2016

"Humbëm shumë kohë, por me Vetting-un e çojmë para luftën kundër krimit të organizuar"

Fjala e ministrit të Punëve të Brendshme Saimir Tahiri në Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste:

Të nderuar kolegë,

Nuk besoj ka shumë nevojë të kthehesh larg, pas në histori, për të kujtuar sa fushata janë bërë duke u trokitur derë më derë në qytetarët që janë përplasur me fatkeqësi të ndryshme natyrore.

Besoj e kujtojmë të gjithë se si deputetë, përfaqësues të çdo lloji janë shfaqur në çdo qytet, në çdo lagje, në çdo bashki. Lulëzim Basha vishte së fundmi dhe çizme të gjata.

U trokisnin në derë atyre që fatkeqësia natyrore u kishte zënë derën, dhe me atë stilin tip “ju  flet Tirana”, duke fërkuar një herë ndonjë kurriz njeriu por jo rrallë, kohët e fundit, edhe kurriz kafshësh, akuzonin qeverinë se po i harronte, dhe se kur të ktheheshin prapë ata, do i jepnin zgjidhje.

Kur të ktheheshin, se në fakt kur ikën, i lanë shqiptarëve të përmbytur, plot 16 milionë USD borxh. Për kë nuk i ka qef shifrat me shumë zero, kur ikën lanë në Rezervat e Shtetit, vetëm 80 kg sheqer nga minimumi 40.000 kg që duhet të ishin apo zero kilogram fasule, nga po kaq që duhet të ishin.

Ndërkohë që buxhetin e Emergjencave Civile e lanë ‘plotë’, 570 dollarë.

Në këto 3 vjet, shlyem gjithë borxhin e trashëguar nga fatkeqësi të së kaluarës dhe detyrimin e lindur rishtas nga fatkeqësitë natyrore dhe përmbytjet, duke shpërblyer dëmet mbi 5.418 familje në vlerën e 17.4 milionë USD.

E duke filluar nga sot, dëmshpërblejmë 2.500 familje, në të gjithë Shqipërinë,  në vlerën e 4.5 milionë USD, në 8 qarqe.

Në fakt çdo qeveri mund të zgjidhte ndryshe.  Dhe kjo ka ndodhur në të kaluarën: Ti linte qytetarët në fatin e vet, deri kur historia e përmbytjes të harrohej. Disa nga koha dhe disa nga sakrifica e vet familjeve për ta riparuar.  E po kështu çdo qeveri nuk zgjidhte t’i shpenzonte këto para në mënyrë tjetër.

Kryeministri dhe qeveria jonë, vendosën që këto para t’i shpenzojnë në këtë mënyrë, duke dëmshpërblyer qytetarët. Sepse, kjo na bën qeveri solidare, sociale, që mbështet ata që kanë më shumë nevojë dhe që nuk u kthen kurrizin.


Ndaj është detyrim më shumë për ne si përfaqësues politik për të trokitur derë më derë tek të gjithë ata qytetarë që do të dëmshpërblehen. Ti bëjmë me dije se nuk i kemi harruar, se jemi aty për ti mbështetur e për tu bërë bashkë, atëherë kur secili prej tyre ka më shumë nevojë sesa ne.

Por t’i kujtojmë, pse jo edhe rrenat e atyre, që deri dje qeverisnin dhe që sot i shkojnë prapë dhe presupozimit se janë rinovuar.

Prej 2 ditësh, Ministria e Punëve të Brendshme ka transferuar të gjithë fondin, në të gjitha njësitë vendore  për dëmshpërblimin e qytetarëve. Pra, çdo përfitues mund të shkojë pranë zyrave të postave për të tërhequr dëmshpërblimin.

Kjo është prapë një arsye më shumë për të trokitur derë më derë tek çdo qytetarë dhe për t’i bërë me dije, për t’i nxitur që të shkojnë dhe të marrin ndihmën solidare të qeverisë për dëmshpërblim e dëmeve të tyre.

Të nderuar kolegë,

Unë kam pasur rastin ta ndajë më shumë se një herë me ju, por tani është privilegj për mua ta them prapë: sesa të vështira kanë qenë sfidat në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Lidhur me çfarë  trashëguam, më çfarë u angazhuam përballë shqiptarëve në vitin 2013. Dhe mbi të gjitha me pritshmëritë e larta të publikut.

Ndaj unë dua t’ju falënderoj, pa asnjë kursim, për mbështetjen dhe besimin tuaj. Ka shumë shumë gjëra që mund t’i kishim bërë ndryshe, ka shumë gjëra që i bëmë dhe duhet t’i bënim edhe duke marrë përsipër koston e keqkuptimit mes nesh, siç ka dhe shumë gjëra të tjera që presin ende për t’u bërë, se punët që kemi nisur, kërkojnë kohë, por më shumë se kaq, mirëkuptim.

Mirëkuptim mes nesh, e pastaj mes nesh dhe qytetarëve që me plot të drejtë presin më shumë dhe akoma më shumë prej nesh.

Unë i kam kuptuar dhe i kuptoj vështirësitë e Limanit në Kukës për shembull, Durimit, Flamurit dhe këmbënguljes së Tërmetit, hallet e Fadilit, apo shqetësimet e Qazimit, përfshirë edhe disa nisma që dua t’i veçoj: Nisma për sigurinë në Elbasan, që e bëjnë këtë qytet vërtetë kampion për nga vetëdija dhe vëmendja për përpjekjen e përbashkët për qytete dhe komunitete të sigurta.

Do zgjatesha shumë po t’i përmendja të gjithë me emër, por në këto kohë, kemi rast të bëjmë punë akoma më të mira e të gjejmë rrugë për të ecur përpara me ato që ende nuk kemi bërë bashkë.

Ndaj unë dua t’ju falenderoj edhe një herë, kolegët deputetë, kryetarët e bashkive dhe anëtarët e Asamblesë Kombëtare, si dhe çdo socialistë nëpërmjet jush. Dhe çdo bashki për ndihmën që na kanë dhënë.

Është ndoshta shumë e tepërt të zgjatem me  sesi e gjetëm Policinë. Për më tepër që dhe  Kryeministri dhe Kryetari i Partisë, ishte thuajse shterues në ato që tha.

Pa mjete, pa uniformë, të shkalafitur nga të gjitha anët, por mbi të gjitha, të tradhëtuar në besim, nga eprorët, dhe nga drejtuesit politikë dhe për këtë shkak premisë për të tradhëtuar besimin e qytetarëve.

Sot Policia e Shtetit është në krye të detyrës. Duke i shërbyer qytetarëve, dhe është institucioni më i besuar krahasuar me çdo institucion tjetër në vend.

Zyrat e Shërbimit Unik, në çdo qark dhe thuajse në çdo e komisariat, veç shërbimit të shpejtë, me transparencë, dhe thuajse me mundësinë zero për korrupsion, ka ndryshuar më së pari vetë perceptimin mbi detyrën që bën polici, duke e bërë të qartë se ky nuk mund të jetë apo të vazhdojë të jetë në detyrë në qoftë se nuk i shërben qytetarit.

Sot nuk ka rëndësi nëse shkon të denoncosh vjedhjen e patentës, apo të makinës.
Polici është i detyruar të shërbej njëlloj dhe  puna e tij matet vetëm me sa e si i shërben qytetarëve.
Deri dje, kjo as imagjinohej. Sot është vetë themeli i punës tonë. Sepse më shumë shërbim për ne do të thotë  më shumë besim. E më shumë besim për ne do të thotë më shumë siguri për qytetarët.

Për t’ju dhënë një shembull, vetëm në numrin unik 112 në Tiranë, nga 11.000 telefonata të qytetarëve përpara se unë të merrja detyrën, sot janë  66.000 telefonata , gjë që tregon besim nga qytetarët, por që na vendos dhe ne përpara detyrimit dhe përgjegjësi për të shërbyer dhe punuar më mirë.

Dua të falënderoi secilin prej jush, që ka kontribuar, duke sjellë te unë, çdo shqetësim të qytetarëve. Ashtu siç do ju kërkoja me shumë sesa deri sot të sillni problemet që hasni përditë dhe të sjellin  problemet që qytetarët hasin përditë sepse kjo është e vetmja mënyrë për t’i shërbyer më mirë qytetarëve por edhe mënyra më e mirë për të monitoruar vazhdimisht punën dhe shërbimin që jep policia në çdo qytet e lagje.

Unë nuk e them për ekzagjerim, por si inkurajimin më të mirë për gjithçka kemi bërë deri më sot, se sot Shqipëria është një vend  pa asnjë diskutim një vend shumë më i sigurt sesa 3 vite më parë.

Numri i vrasjeve është më i vogli krahasuar me çdo vit të 25 viteve të kaluara. Është gati 3 herë më pak sesa numri i vrasjeve në vitin 2013 apo vitit 2012.

Por kemi numrin më të vogël të vrasjeve, për 100.000 banorë dhe thuajse  gjysmën e vendeve të BE.  Po kështu ndodh për plagosjet, vjedhjet dhe po kështu për  çdo vepër penale në Republikën e Shqipërisë.

Pavarësisht vrullit të pashembullt të opozitës, ndaj kryeministrit, ndaj meje, ndaj Policisë së Shtetit me nga 2 e 3 deklarata çdo ditë, sot kemi pa asnjë diskutim një Shqipëri më të sigurt se çdo herë tjetër.

Raportet e DASH, të BE dhe të  gjithë parterëve pa asnjë dallim, janë konfirmim i vazhdueshëm për gjithçka kemi bërë në luftën kundër krimit të organizuar, kundër korrupsionit, kundër paligjshmërisë dhe informalitetit, e mbi të gjitha  në luftën kundër drogës dhe së fundmi çështje dite nga  PD për t’iu shmangur temave të tjera dhe veçanërisht reformës në drejtësi.

Meqë jemi këtu, dua ta bëjë të qartë për cilin do që na dëgjon se viti tjetër falë punës që kemi ngritur këto tre vite në luftën kundër drogës dhe falë qasjes së nisur nga Kryeministri dhe Këshilli i Ministrave për parandalimin më të mirë, vitin tjetër lufta jonë kundër kultivimit dhe trafikimit të kanabisit do të njohë rezultate tërësisht të pa imagjinuara më parë.

Policia e Shtetit ka gjurmën e saj në thuajse të gjitha reformat që kemi ndërmarrë, nga prerja e lidhjeve të paligjshme të energjisë, lufta kundër ndërtimeve të paligjshme, lufta kundër informalitetit në tregun e hidrokarbureve dhe informalitetit në ekonomi, me  mbi 100 milion euro asete kriminale të sekuestruara e po kaq dëm i provuar nga  hetimet për evazion fiskal e kontrabandë, ashtu siç janë po kaq përfitimet në buxhetin e shtetit nga lufta kundër pikave të paligjshme të lojërave të fatit  me një xhiro afërsisht prej 150 milion euro në vit, në vitin 2013, në luftën kundër paligjshmërisë dhe krimeve ekonomike.

Sot punonjësi i policisë ka një qasje tjetër ndaj qytetarëve, në  uniformë të re, në sjellje, në  pajisje të reja, po rinovojmë mjetet e policisë, duke futur për herë të parë edhe falë ndihmës së OSHEE-së mjetet dhe kjo është për herë të parë në rajon, makinat që nuk furnizohen me karburant por vetëm me energji elektrike.

Ndërkohë, puna e përditshme e policisë  monitorohet nga kamerat e trupit e po kaq, Komisariati Dixhital, shërben  si një mjet i mirë jo vetëm për të denoncuar, por edhe për të monitoruar shërbimin dhe  punën e policisë për denoncimet që mund të bëjë vetë qytetari por edhe për denoncimet që bëjnë të tjerët.

Gjetëm policinë më të moshuar të rajonit, me moshë mesatare 48 vjeç, ndërkohë që sot punonjësit e rinj të policisë janë realisht  model, për nga sjellja, komunikimi etik me qytetarët dhe shërbimit shembullor ndaj publikut.

Gjetëm policinë më të paarsimuar të rajonit, e ndërkohë sot kemi një universitet në polici, akademia e lartë e sigurisë, një angazhim i hershëm i yni pikërisht pse ne besojmë që përpjekja jonë për ta bërë vendin më të sigurt nuk kalon nga muskujt por fillon me mendjen.

Sigurisht ka shumë punë për të bërë. Ndaj jemi të fokusuar te lufta kundër korrupsionit në polici. Janë gati 3.000 punonjës policie, 23% e të gjithë trupës së policisë, në procedim penal e disiplinor për shkelje të ligjit, abuzim me detyrën, mos ushtrimin e detyrës dhe mjafton kjo shifër për të kuptuar në çfarë niveli e  gjetëm policinë,  cila ishte trashëgimia në Ministrinë e Punëve të Brendshme nga njëra në dhe nga ana tjetër cila është sfida jonë sot dhe në vazhdim.

Besoj se  dallimin e keni ndjerë të gjithë. Tashmë nuk është ndër gjërat më të lehta ti japësh para policit rrugor, për më tepër kur vetëm këtë vit janë rreth 50 qytetarë të arrestuar pse kanë synuar që t’i japin para policit rrugor. Ka shumë për të bërë akoma.

Sot nuk ka më një cm2 ku policia nuk shkel dhe nuk ka një njeri të vetëm që deri dje mund  të konsiderohej  i paprekshëm që sot nuk vë rripin e sigurimit dhe  nuk ndalon te semafori apo mund të mos i bindet punonjësit të  policisë.

E ritheksoj: ka ende shumë për të bërë. Ndaj duhet ndihma juaj dhe e çdo socialisti dhe e çdo qytetari mbi të gjitha, për të shërbyer më mirë akoma e për t’i bërë lagjet, qytetet dhe komunitetet tona më të sigurta.

Ne këtë javë nisim “Popullimin”, trokitjen derë më derë për të konfirmuar “kush banon, ku”. Dhe për ta mbyllur njëherë e mirë epokën kur Shqipëria në realitet nuk përputhej me Shqipërinë në letër. Me ligjin e Gjendjes Civile që miratohet brenda këtij viti në parlament, ne bëjmë zero tarifën e derisotme për ndryshimin  e adresës. Që do të thotë nga janari e pesë muajt e ardhshëm, të ndryshosh adresën nuk kërkohen para.

Ju kujtohet se ne kemi vuajtur vazhdimisht, veçanërisht në opozitë, duke nxitur qytetarët që të ndërronin adresën pasi figuronin në listat zgjedhore të një qendre votimi, dhe ndërkohë që vetë jetonin në një qendër tjetër votimi. Që mund të ishte në të njëjtin qytet, po më keq akoma në një qytet tjetër. 

Dhe një nga vështirësitë ishte pikërisht kjo, pagesa prej 30 mijë lekësh që pengonte mundësinë që qytetari të përputhte realitetin e jetesës së tij të përditshme me realitetin zyrtar që njihte shteti. Me këtë ligj nga janari deri në 5 muajt e ardhshëm ne këtë tarifë e bëjmë zero duke bërë të mundur garantimin e të drejtës themelore të qytetarëve që është e drejta e votës por mbi të gjitha dhe mundësinë që shteti t’i shërbejë më mirë qytetarëve edhe ky është një motiv për të shërbyer, për të trokitur derë më derë dhe për t’i shërbyer më mirë qytetarëve, për të biseduar, për të nxitur dhe për t’i bërë me dije lidhur me këtë që po bëjmë dhe sfidat që kemi përpara.

Kemi humbur shumë kohë në të kaluarën por kemi shumë mundësi ta fitojmë kohën ndaj meqë dhe Gjykata Kushtuese i hapi rrugë Vetting-ut dje, kjo na shton angazhimin tonë për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin dhe qytetarët më në fund shikojnë përmbushjen e një angazhimi tonë, angazhimit tonë madhor që është reforma në sistemin e drejtësisë dhe veçanërisht ngritja dhe funksionimi i BKH për të luftuar përfundimisht krimin e organizuar, korrupsionin dhe kulturën e pandëshkueshmërisë.

Ju faleminderit shumë për besimin!