Postuar më: 12 Maj 2016

Tahiri opozitës: Ndajeni mendjen, ose reformën, ose parlamentin

VIDEO - Fjala e ministrit të Punëve të Brendshme Saimir Tahiri në seancën plenare – 12 maj:

E nderuar drejtuese e seancës,
Të nderuar kolegë,

Unë nuk e di në fakt ç’taksirat kanë të rinjtë e të rejat që janë në llozhë (por edhe ata që na dëgjojnë) për diskutimet që bëhen në Parlament, për standardin e të vërtetës në Parlament, për ç’lloj politike prodhon kjo foltore ku nuk ndalon llumi i baltës së hedhur mbi këdo, e ku nuk ka asnjë minimum kriteri për të gjykuar (aty ku ka për të gjykuar) disa të vërteta krejt të thjeshta. E unë nuk di në cilën mënyrë mund t’i konsideroni shqiptarët kaq naivë, kaq të pazotë për të kuptuar të vërteta të thjeshta.

E kuptoj që ju erdhi dita të mbroni ata që ju kanë blerë shtëpitë. Erdhi dita që të mbroni ata që ju kanë blerë zyrat, ata që ju kanë blerë makinat, që ju paguajnë pushimet. Por ç’kuptim ka që në këtë Parlament të vijnë e të dalin lloj-lloj njerëzish - edhe ata që kanë mbajtur detyrat më të larta shtetërore – dhe të drejtojnë gishtin e akuzës dhe përbaltjes pa asnjë lloj kufiri ndaj kujtdo.

Ka institucione në vend.
Është Prokuroria. Shkoni. Denonconi. Dhe kërkojini këtij institucioni të vërtetën.
Ka instrumente kjo opozitë në Parlament. Janë komisionet hetimore, seancat dëgjimore. Shfrytëzojini për të marrë të vërtetën që kërkoni.

Keni akuzuar pa fund Policinë e Shtetit këto ditë, tërësisht me pa të drejtë. Përbaltje pa fund edhe atëherë kur Policia ka rezultat. E unë nuk e di ç’e keni këtë zakon që, sa herë goditet krimi, ju aq më shumë shtoni baltën ndaj Policisë së Shtetit. Ju kujtoj ende kur Policia luftonte një javë rresht në Lazarat e ju dilnit këtu e thonit: “Policia po dhunon qytetarë të pafajshëm në Lazarat”. Mbronit banditët dhe akuzonit Policinë.

E nëse ju do ishit, siç shfaqeni sot, kaq të dedikuar dhe me vullnet për të luftuar kultivimin dhe trafikimin e lëndëve narkotike, nuk do e kishit lënë Lazaratin të rritej nën hundën tuaj. Dhe sot shkoni bashkë me ata që e mbikëqyrnin atë proces, bëni dhe takime politike.

Një gjë është e sigurt. Llumi i  akuzave dhe i përbaltjes në këtë Parlament duhet të marrë fund, në respekt të shqiptarëve e mbi të gjitha në respekt të së vërtetës.

Sot Policia e Shtetit po bën histori suksesi: me etikën ndaj qytetarëve, me shërbimin ndaj qytetarëve, me korrektesën ndaj qytetarëve, me luftën kundër korrupsionit brenda vetë Policisë së Shtetit, me luftën kundër korrupsionit në shoqëri, me luftën kundër krimit të organizuar. Këtë po bën Policia e Shtetit. Dhe kjo ju dhemb. Ndaj nuk ju pëlqen asnjë lloj histori suksesi e Policisë së Shtetit.

E po të jetë për akuza, treçerekun tuaj po i njëjti që foli para meje këtu e ka akuzuar me rrënjë e dhëmballë. Njërin këtu e ka futur në burg për korrupsion. Njërin atje (që e çoi dhe tek Reforma në Drejtësi) e zbriti nga tanku dhe i tha “Je puçist i kuq!”. Njërin atje e bëri “spiun të kuq!” kur i doli nga brenda partisë ta kundërshtonte. Njërit ia vuri nofkën “Kaçi i Zi!”. Ja pra, ky është njeriu, që duke dalë këtu për interesat e tij ka drejtuar gishtin e akuzës dhe përbaltjes, në mënyrën më komuniste të mundshme, ndaj kujtdo që nuk ka qenë në drejtimin që ai ka menduar se duhet të ishte. Dhe kjo nuk është normale. Kjo duhet të marrë fund. Në emër të të rinjve që vijnë e na dëgjojnë këtu. Dhe në emër të atyre që na dëgjojnë nëpërmjet televizorit se ç’duhet të prodhojë e sa prodhon ky Parlament për ta bërë Shqipërinë më të sigurt.

Për ta bërë Shqipërinë më të drejtë ejani te Reforma në Drejtësi. Për çfarë debati bëhet fjalë këtu? Ku ka debat xhanëm? Nëse e doni kaq shumë ejani ta votojmë. Përse rrini këtu e bëni muhabet? Nëse doni Reformën në Drejtësi nuk keni pse vini këtu dhe të përbetoheni. Ne, LSI-ja jemi shprehur publikisht: duam ta votojmë, jemi gati. Ejani ta votojmë. Pse vini këtu dhe bëni debat për këtë?

Ky është guri i provës: ejani ta votojmë bashkë Reformën në Drejtësi. Është marrë parasysh çdo sugjerim që keni bërë. Ejani ta votojmë, por lërini pretekstet. Lërini pretekstet! Një herë “dekriminalizimi”, një herë “mandati i atij deputeti”, një herë “lejet e pallateve”, një herë “dekusarizimi” – të gjitha pretekste për të mos votuar Reformën në Drejtësi. Nëse nuk doni ta votoni Reformën në Drejtësi, thuajeni hapur të paktën. Sepse është më e ndershme ndaj qytetarëve.

Por këtu dy alternativa ka: ose Parlamenti, ose Reforma në Drejtësi, një nga të dyja duhet domosdoshmërisht t’i nënshtrohet gjykimit të shqiptarëve. Kjo është ajo që duhet të bëjmë. E kemi thënë që në krye të herës që ky parlament nuk ka asnjë lloj legjitimiteti në rast se nuk miraton Reformën në Drejtësi. E të vetmit që e mbani peng jeni ju. Se për cilën arsye, unë nuk e kuptoj. Por të paktën jepini një arsye shqiptarëve. Realisht në këtë vend mund të bëhemi bashkë për të bërë Reformën në Drejtësi.

E duan 99.99% e shqiptarëve Reformën në Drejtësi – përveç atyre që kanë një problem me Reformën në Drejtësi e kanë frikë prej saj. Dhe këtu vullneti është i qartë. Ejani votojmë Reformën në Drejtësi. Doni ta votoni? Lërini fjalët, ejani shkojmë që tani dhe e votojmë. S’keni arsye as të vini këtu të flisni, as të bëni predikime, as të hidhni akuza, asgjë. Pushoni nga akuzat e diskutimet e kota. Ejani të shkojmë ta votojmë. Më qartë se kaq, mund të ketë?

Kjo është ajo që kërkojmë. Të tjerat janë histori që nuk ndihmojnë askënd. Policinë e Shtetit po e sulmoni në mënyrë të pakuptimtë, të pamerituar, sa herë bën sukses. Dhe kjo nuk ndihmon askënd përveçse t’i dalësh në krah botës së krimit. Kjo është ajo që nuk duhet të shikojnë kurrë qytetarët, të rinjtë e të rejat në këtë vend.

Përndryshe gjeni forcën dhe dilni mbi politikën, dilni mbi interesin partiak  dhe mbështesni Policinë e Shtetit në çdo sukses. Dhe ejani po të doni ndreqim edhe defektet që ka, i ndreqim bashkë. Por në fund të ditës eja bëhemi bashkë dhe të mbështesim Policinë e Shtetit për atë që bën. Kjo është fare e qartë. Nuk është as interesi im, as interesi ekskluziv i maxhorancës, as i juaji. Ky është interesi i shqiptarëve.

Ejani dalim mbi interesat e ngushta. Dhe ejani të mbështesim Policinë e Shtetit të bëjë atë që është mësuar të bëjë: të luftojë krimin e organizuar, korrupsionin, paligjshmërinë në çdo cep të Shqipërisë. Por ndajeni mendjen. O reformën, o parlamentin. Një nga këto të dyja.

Faleminderit.