Postuar më: 05 Prill 2017

Akademia e Sigurisë/418 kursantë fillojnë studimet për Patrullë të Përgjithshme

• Akademia e Sigurisë, në rritje numri i të interesuarve
• Të gjendur përballë sfidave të mëdha, mbetemi të vendosur në shtetformim dhe luftën pa kompromis antikanabis
• Shqipëria është një vend shumë më i sigurt nga pikëpamja e rendit dhe sigurisë
• Policia e Shtetit është në krye të detyrës, me trupë të mirëarsimuar e të mirëtrajnuar
• Vlerat e meritokracisë meritojnë të përçohen më tej
• Në bashkëpunim me partnerët do vijojmë luftën kundër narkotrafikut, terrorizmit dhe paligjshmërisë
• Kemi nevojë për punonjës Policie e drejtues policie me integritet të lartë, për Polici që ofron shpresë dhe besim tek ligji dhe shteti
• Reformim i institucionit të Policisë së Shtetit, me proces Vettingu për rivlerësim integriteti dhe figure
• Ndëshkim për çdo rrënjë kanabisi të lejuar, të paraportuar e të pandëshkuar, deri në procedim penal për policët që e lejuan këtë
• Paanësi e Policisë në procesin zgjedhor në përputhje me ligjin, vlerësuar pozitivisht nga partnerët e huaj

VIDEO 5 Prill 2017, Tiranë – Fjala e ministrit të Punëve të Brendshme Fatmir Xhafaj në Akademinë e Sigurisë, me rastin e ceremonisë së nisjes së kursit për Patrullë të Përgjithshme, për 418 kursantë:

 

I nderuar zoti Drejtor i Akademisë, Mema,
I nderuar zoti Drejtor i Policisë së Shtetit,
Të nderuar pedagogë të respektuar të Akademisë së Sigurisë,
Të dashur studentë e studente,
Të nderuar pjesëmarrës,

Jam shumë i vlerësuar që më jepet mundësia të ndodhem sot përpara jush për t’ju uruar mirëseardhjen në Akademinë e Sigurisë, vendin ku do përfitoni dijet dhe arsimin e duhur, do të forconi personalitetin tuaj me vlerat më të larta shoqërore dhe morale për t’i shërbyer me dinjitet flamurit, Atdheut, vendit tuaj.

Sot për ju është një ditë e veçantë dhe emocionuese pasi po hidhni hapat e parë në profesionin e vështirë por shumë të ndërtuar dhe fisnik të punonjësit të Policisë së Shtetit në Republikën e Shqipërisë.

Dëshira për t’u arsimuar në Akademinë e Sigurisë është shprehur nga një numër i lartë i të rinjve që do të dëshironin të ishin sot këtu mes jush. Por ju treguat vlera dhe e kaluat sprovën e parë, duke na treguar që meritoni të jeni pjesë e kësaj Akademie, për të qenë pjesë e Policisë së nesërme. 

Akademia ka për qëllim të ofrojë një sistem të pasur trajnimi, i cili do t’ju japë mundësinë të formoheni, të arsimoheni e zhvilloheni si punonjës policie me integritet, me disiplinë, me aftësitë më të mira profesionale që, duke punuar me komunitetin të cilit do i shërbeni, do të garantojnë rendin dhe sigurinë publike, duke respektuar të drejtat dhe liritë themelore të njeriut.

Ju do të jeni shumë shpejt imazhi dhe realiteti i Policisë së reformuar, me standardet më të larta ndërkombëtare. Siç do jeni ju studentët sot, do jetë Policia nesër. Kjo sepse formimi dhe edukimi në këtë periudhë shkollimi është bazamenti për të krijuar policin që do t’i shërbejë në vite zbatimit të ligjit dhe interesave të qytetarëve. 

Qeveria po investon fort në formimin profesional të gjeneratës së re të vajzave dhe djemve që aspirojnë të bëhen pjesë në radhët e Policisë së Shtetit. Projekte të tjera të rëndësishme do të zbatohen edhe në këtë Akademi në lidhje me formimin profesional të Gjeneratës së re të Policisë, nëpërmjet përmirësimit të kurrikulave të të gjithë infrastrukturës përkatëse. Për një Polici të pastër, pa elementë të korruptuar dhe (më e rëndësishmja) tërësisht në shërbim të qytetarëve.

Në këto katër vite qeverisjeje jemi gjendur përballë sfidave të mëdha. Por kemi qenë dhe mbetemi të vendosur për të bërë shtet e për të konsoliduar shtetin e së Drejtës, përmes kryerjes së reformave të thella në një sërë sektorësh jetësorë të vendit ku Policia ka qenë pjesë e rëndësishme e një reformimi  të gjithanshëm.
 
Krahasuar me pak vite më parë, Shqipëria është sot një vend shumë më i sigurt nga pikëpamja e rendit dhe sigurisë publike. Është ky një konstatim i bërë nga organizata dhe institucione ndërkombëtare. Dhe para së gjithash nga vetë qytetarët shqiptarë, që kanë rritur në një shkallë të ndjeshme besimin te Policia e Shtetit.  

Sot Policia e Shtetit është në krye të detyrës dhe me fizionomi tërësisht të ndryshuar. Sot Policia është e përbërë nga një trupë e mirëpërzgjedhur, e mirëarsimuar, e mirëtrajnuar dhe e mirëpaguar, me karrierë të bazuar fort në vlera dhe meritokraci. Në vlera që ka nevojë të përsosen më tej, falë punës së bërë nga vetë njerëzit që shërbejnë e drejtojnë në radhët e Policisë – dhe në radhë të parë pedagogë të nderuar të kësaj Akademie. Por dhe falë mbështetjes së partnerëve ndërkombëtarë, përmes misioneve të shumta që asistojnë dhe ndihmojnë Policinë e Shtetit. Sot kemi një Polici më të mirë më të trajnuar dhe më të përgatitur profesionalisht, në luftën kundër krimit të organizuar, kundër lëndëve narkotike, kundër terrorizmit dhe ekstremizmit.

Punonjësi i Policisë është dhe mbetet aleati numër Një i qytetarit, si dhe zbatuesi i parë i ligjit. Figura e punonjësit të Policisë ndikon drejtpërdrejt në besueshmërinë e perceptimit që qytetarët krijojnë për shtetin, për besimin që duhet të kenë te institucionet e tij. Siç e kam theksuar dhe në ditën e prezantimit në detyrën e Ministrit të Brendshëm, ne të gjithë kemi nevojë për punonjës Policie – dhe veçanërisht për drejtues Policie – me integritet të lartë moral, të aftë të punojnë e luftojnë në ekip, si dhe me profesionalizëm të lartë, si kushti bazë për të pasur një Polici në shërbim të Kushtetutës dhe të ligjit, në shërbim të jetës dhe sigurisë së qytetarëve, një Polici që ofron shpresë dhe besim te ligji dhe institucionet e shtetit.

Ndaj, së bashku me bashkëpunëtorët e mi dhe gjithë ekipin drejtues tuaj, jam angazhuar fort për konceptimin dhe realizimin e një hapi të ri në procesin e reformimit të Policisë së Shtetit edhe përmes kryerjes së një procesi Vetingu për të gjithë punonjësit e Policisë së Shtetit, për të verifikuar dhe rivlerësuar integritetin, figurën e tyre morale dhe aftësitë profesionale (sipas standardeve dhe modelit të ndërtuar për Vettingun në radhët e gjyqtarëve dhe prokurorëve në kuadër të Reformës së Drejtësi). Një punonjës policie i cili direkt ose indirekt është qoftë dhe vetëm mbështetës i një subjekti kriminal, përfaqëson një rrezikshmëri edhe më të lartë për shoqërinë tonë.

Ne do të punojmë fort dhe pa asnjë lloj hezitimi për të ndëshkuar ashpër çdo punonjës policie që qëndron apo bashkëpunon me krimin. Këtë nuk do ta tolerojmë aspak, në bashkëpunim edhe me agjencitë e tjera ligjzbatuese, por edhe me mbështetjen dhe kontributin e qytetarëve për t’u dhënë atyre Policinë që ata duan, Policinë që ata meritojnë. Do të ndëshkohet kushdo që nuk vepron, nuk raporton dhe nuk kryen detyrën e tij në luftën krimit dhe korrupsionit. Këto fenomene negative duhet të zhduken njëherë e mirë nga trupa e Policisë së Shtetit për t’i lënë vend profesionalizimit dhe etikës së lartë në ushtrimin e detyrës.

Ne i kemi shpallur luftë të hapur fenomenit të kanabisit dhe jemi zotuar ta luftojmë që në embrion, në mënyrë që Shqipëria të hiqet një herë e mirë nga lista e vendeve që kultivojnë kanabis. Në këtë luftë, siç e kam bërë të qartë publikisht, nuk do të bëjmë asnjë kompromis me trafikantët me abuzuesit e ligjit, me punonjës të korruptuar. Do ketë ndëshkim për çdo rrënjë kanabis të mbjellë. Dhe ky ndëshkim nuk do të bjerë vetëm mbi ata që do të tentojnë ta mbjellin, por edhe mbi ata që e lejojnë, që nuk informojnë dhe nuk luftojnë duke u bërë palë me këtë veprimtari kriminale.

Qëndrimi i mbajtur pak ditë më parë në rastin e Komisariatit të Kurbinit do të jetë i njëjtë në çdo rast tjetër që do të konstatohet. Për cilindo punonjës të Policisë së Shtetit që bëhet palë me krimin ndëshkimi ligjor do të  jetë mjaft i rreptë: nga largimi i tyre nga radhët e Policisë së Shtetit dhe deri në ndjekje penale.

Është më e pakta naive të mendohet se kanabisi apo çdo lloji narkotiku tjetër mund të mbahet nën kontroll dhe kështu mundet të ketë edhe përfitime të ndryshme. Duhet të jemi të gjithë të bindur se edhe tolerimi më i vogël kundrejt kultivuesve dhe trafikantëve të narkotikëve sjell krim të rëndë dhe mungesë të rendit dhe sigurisë publike. Ndaj lufta kundër këtij fenomeni duhet të jetë pa asnjë kompromis. Besoj fort se në këtë luftë të vështirë, por plotësisht të mundshme për të fituar, ne do të kemi në radhë të parë mbështetjen e qytetarëve dhe të partnerëve tanë.

Zgjedhjet parlamentare të 18 qershorit gjithashtu po afrojnë. Dhe detyra jonë, detyra e Policisë së Shtetit, është që të ushtrojmë detyrat e ngarkuara nga ligji me paanësi, me qëllim mbarëvajtjen e sigurinë e tyre për të garantuar një proces të pacenuar dhe shembullor. Tashmë prej disa vitesh Policia e Shtetit ka krijuar një traditë të konsoliduar përsa i përket sjelljes së saj në raport me proceset zgjedhore. Roli i saj në përputhje me ligjin në proceset zgjedhore është i vlerësuar pozitivisht nga të gjithë faktorët.

Është hap prapa që në një shtet të së drejtës të kërkosh që zgjidhjet politike t’i realizosh përmes të ashtuquajturave kompromise që politizojnë dhe rrezikojnë funksionin dhe rolin e Policisë së Shtetit. Ne e kuptojmë shumë mirë rëndësinë jetike që ka sjellja e Policisë në një proces zgjedhor. E dimë shumë mirë se çfarë dëmi mund të sjellë edhe për atë forcë që është në qeveri, nëse nuk garanton sjellje dhe veprim të policisë në përputhje me kushtetutën dhe me ligjin. Ndaj vullneti im si ministër, vullneti i kësaj qeverie për të garantuar zgjedhje të qeta, të lira, të ndershme edhe për sa i përket veprimit të policisë, është i plotë dhe i qartë.

Të dashur studente dhe studentë,

Ju duhet të punoni fort për t’u bërë pjesë e skuadrës së Policisë së Shtetit në këtë mision të rëndësishëm, duke u arsimuar dhe trajnuar profesionalisht, me qëllim garantimin e sigurisë publike për të gjithë ne, për familjet tuaja, për shqiptarët, për të gjithë ata që ju kanë mbështetur në ëndrrën tuaj për të qenë pjesë e Policisë së Shtetit. Duke ju uruar edhe njëherë suksese në rrugën tuaj të re, e cila do t’ju ndryshojë dhe do t’ju lartësojë jo vetëm në formimin profesional por dhe jetën tuaj, shprehem besimplotë se vendi ynë do të jetë në duar edhe më të sigurta me gjeneratat që do të pasojnë.

Jam i sigurt që për të gjithë ju, kjo ka qenë ëndrra e jetës. Bëjeni realitet!

Bëjeni një realitet të bukur që të në bëni dhe ne drejtuesve, profesorëve, familjarëve tuaj në mënyrë të veçantë, ju vetë, krenarë që kontribuat në jetësimin e kësaj ëndrre!

Ju uroj mirëseardhjen në familjen e madhe dhe të nderuar të Policisë së Shtetit!
Suksese!