Postuar më: 12 Qershor 2017

Dita ndërkombëtare kundër punës së fëmijëve - Aktivitet në Elbasan

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare kundër Punës së Fëmijëve, Ministria e Punëve të Brendshme, në bashkëpunim me Agjencinë Shtetërore për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijës dhe Prezencën e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE, zhvilluan një takim me përfituesit dhe stafin e Qendrës “Tjetër Vizion”, Elbasan.

Në takim mori pjesë Zëvendëskryetari i Prezencës së OSBE-së, Z.Robert Wilton, Drejtori i Përgjithshëm i Antitrafikut dhe Azilit, Znj. Anila Trimi, Kryetarja e Agjencisë Shtetërore për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijës, Znj. Ina Verzivolli, Zëvendëskryetari i Bashkisë Elbasan, përfaqësues të strukturave shtetërore dhe të pushtetit vendor, etj.

Qëllimi i takimit konfirmimi dhe angazhimi i përbashkët i strukturave shtetërore dhe joshtetërore në mbrojtje të të drejtave të fëmijëve, sikurse e drejta për t’u arsimuar dhe e drejta për të mos u shfrytëzuar për punë. 

12 Qershori shërben si ditë kujtese për të gjithë aktorët shtetërorë dhe joshtetërorë për të bërë më të mirën për fëmijët, për të siguruar të ardhmen e tyre dhe për të na kujtuar detyrimet që kemi për ta.

Të pranishmit gjatë fjalës së tyre përshëndetëse vunë theksin tek bashkëpunimi mes institucioneve dhe vullneti për të realizuar objektivat në interesin më të lartë të fëmijës.

Një rëndësi të veçantë zë formimi profesional i fëmijëve, si një mundësi optimale qoftë për integrimin e tyre në shoqëri, por më së shumti si mundësi për të siguruar punësim jo vetëm në vend, por edhe në vendet e bashkimit Evropian.

Në mënyrë të veçantë u përshëndet qeveria italiane që nëpërmjet prezencës së OSBE mundësoi ofrimin e bursave për 30 fëmijë për ndjekjen e disa kurseve profesionale.