Postuar më: 01 Shtator 2017

Drejtori i SHÇBA Merkaj takim me homologun grek në Athinë

Drejtori i Përgjithshëm i SHÇBA, në Ministrinë e Punëve të Brendshme Eduart Merkaj takim në Athinë me homologun grek: Shkëmbimi i informacionit dhe hetimet e përbashkëta në qendër të diskutimit.

Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA) Eduart Merkaj, shoqëruar nga shefi i Inspektimit të Përgjithshëm Florian Sulejmani, është pritur në një takim në Athinë nga homologu i tij grek Anastasios Anastasakos.

Në qendër të diskutimeve gjatë takimit të dy delegacioneve ka qenë forcimi i bashkëpunimit midis dy shërbimeve të kontrollit të brendshëm të policisë, shkëmbimi informacionit dhe hetimi i rasteve të përbashkëta.

Gjatë takimit Drejtori Përgjithshëm i Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesave, Eduart Merkaj, njohu Z. Anastasakos me disa nga arritjet e SHÇBA. 

Një pikë e rëndësishme  ku të dy drejtuesit e shërbimeve ranë dakord gjatë takimit ka qenë intensifikimi i hetimeve të përbashkëta për punonjësit e policive të përfshirë në afera korruptive në pikat kufitare që lidhin të dy vendet.

Në fokus të takimit ka qenë edhe shkëmbimi i eksperiencave, si dhe zhvillimi i trajnimeve për oficerët e të dy shërbimeve.