Postuar më: 06 Mars 2017

Ministri Tahiri pret shefin e GdF, bashkëpunim kundër narkotikëve

VIDEO - Ministri i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri, shoqëruar nga Drejtori i Policisë së Shtetit Haki Çako zhvilloi një takim me delegacion nga Guardia di Finanza, udhëhequr nga Komandanti i Përgjithshëm Giorgio Toschi. Takimi u zhvillua në kuadër të bashkëpunimit kundër kultivimit të kanabisit në Shqipëri dhe luftës kundër trafikimit të narkotikëve. 

VIDEO - Konferenca për media e ministrit Tahiri dhe Komandatit të GdF, Toschi:

 

Ministri Tahiri:
 
Pata kënaqësinë të pres në zyrë Komandantin e Përgjithshëm të Guardia di Finanza-s, që prej shumë vitesh tashmë na ndihmon në bashkëpunimin ndërmjet policive, në mënyrë të veçantë në luftën kundër kultivimit dhe trafikimit të kanabisit. Gjithashtu, pata mundësinë ta falënderoja për gjithë ndihmën e vyer që na kanë dhënë gjatë dekadës së fundit dhe veçanërisht në vitet e fundit, pra nga 2013 e në vijim, kur bashkëpunimi ynë ka qenë dhe më i frytshëm dhe me rezultate akoma më të mira se në të kaluarën.
 
I shpjegova dhe planin e punës të miratuar nga qeveria lidhur me parandalimin dhe luftën kundër kultivimit të kanabisit. Ashtu siç i shpjegova dhe vendosmërinë e qeverisë shqiptare për ta mbyllur këtë vit një kapitull 20 e kusur vjeçar të kultivimit dhe trafikimit të drogës. Ne jemi shumë të vendosur për të bërë këtë vit atë që nuk është bërë kurrë më parë. Ashtu siç jemi shumë të bindur se, siç filluam me luftën kundër Lazaratit dhe i dhamë fund asaj njolle turpi për Shqipërinë, këtë vit i japim fund kultivimit të kanabisit në çdo centimetër katror të Republikës së Shqipërisë.
 
Është kjo arsyeja pse kemi filluar më herët kontrollet me Policinë Shqiptare. Është kjo arsyeja pse kemi filluar më herët kontaktet me pushtetin vendor, me administratorët e njësive e me çdo faktor lokal, në mënyrë që të parandalohet kultivimi. Është kjo arsyeja pse Policia ka sot një plan veprimi për parandalimin dhe luftën në çdo parcelë ku është evidentuar kultivim kanabisi në vitet e kaluara.
 
Dhe në kuadër  të këtij plani i kërkova edhe Komandantit të Përgjithshëm të Guardia di Finanza të fillojnë fluturimet shumë më herët krahasuar me vjet dhe me çdo vit më parë. Kjo do të na ndihmojë të forcojmë më shumë dimensionin parandalues të luftës së Policisë së Shtetit dhe të shtetit shqiptar kundër kultivimit të kanabisit. Besoj shumë se do arrijmë në dakordësi të plotë për të filluar më herët fluturimet e mbikëqyrjes së territorit në të gjithë Shqipërinë, në mënyrë që fushata parandaluese të jetë një ndihmë shumë e vyer për t’i dhënë fund njëherë e mirë këtë vit, e përsëris, kultivimit të kanabisit në Shqipëri.
 
Ne jemi shumë të bindur që ky është një fenomen që duhet të mbyllet njëherë e mirë. Kjo është qeveria e vetme që e ka luftuar këtë fenomen. Dhe është qeveria e vetme që do arrijë rezultatin që në fund të këtij mandati të mbyllim njëherë e mirë të gjithë fenomenin e kanabisit.
 
Ashtu siç jemi shumë të bindur të ndërtojmë shtet, ashtu jemi të bindur dhe të luftojmë faktorët që deri dje kanë shërbyer si nxitës për kultivimin e kanabisit: varfërinë dhe papunësinë. Siç bëmë shtet deri më sot, siç kemi reformuar policinë deri më sot, siç kemi forcuar shtetin ligjor deri më sot, siç kemi detyruar ata që deri dje ishin të paprekshëm të respektojnë ligjin deri më sot, ashtu do të bëjmë edhe ekonominë më të fortë, ashtu do të luftojmë edhe papunësinë më shumë, ashtu do të ndërtojmë një të ardhme më të mirë për shqiptarët, dhe për fëmijët tanë, dhe për të ardhmen e Shqipërisë në Bashkimin Europian.
 
 
Komandanti i Përgjithshëm i Guardia di Finanza, Giorgio Toschi:
 
Mirëmbrëma,
 
Unë dhe bashkëpunëtorët e mi jemi shumë të lumtur e të nderuar që u pritëm këtë mbrëmje në takim nga Z. Ministër i Punëve të Brendshme. Jemi këtu, unë veçanërisht, për të dëshmuar kënaqësinë e madhe të vendit tim dhe të institucionit të Guardia di Finanza që kam nderin të përfaqësoj, për këtë bashkëpunim tashmë historik. Historik sepse ka nisur 20 vite më parë.
 
Është një bashkëpunim në fakt që dy vendet tona fqinje të ndodhura përballë njëri-tjetrit, pra Italia dhe Shqipëria, kanë ndërmarrë që më se 20 vite më parë. Por që në këto vitet e fundit është fuqizuar në mënyrë të dallueshme. Sepse nga njëra anë kemi mirëpritur ftesën e këtij vendi mik të Italisë, Shqipërisë. Dhe nga ana tjetër kemi ndjerë të nevojshme të përforconim kontrollet e dërgesave në rrugë detare, veçanërisht të substancave narkotike, në territorin tonë shtetëror.
 
Të dhënat janë shumë premtuese. Dhe madje këtë e vërtetojnë edhe marrëdhëniet tona ndërkombëtare. Vitet e fundit janë zhvilluar shumë fluturime nga ajri, por edhe është vënë në dispozicion gjithë flota detare apo ajrore e Guardia di Finanza për të kryer kontrolle kundër trafiqeve të lëndëve narkotike. Këto fluturime monitoruese, të kryera sidomos kohët e fundit dhe vitin e fundit, kanë bërë të mundur identifikimin e shumë më tepër parcelave të mbjella me Kanabis indian në sipërfaqe të ndryshme në Shqipëri. Ndërsa përforcimi i marrëdhënieve ndërkombëtare, sidomos shkëmbimi i informacionit, ka bërë të mundur që sekuestrimet në det nga ana e Guardia di Finanza italiane në bashkëpunim me autoritetet e Policisë shqiptare të dyfishohen, duke arritur deri në rreth 20 ton substanca narkotike.
 
Duke konsideruar këto rezultate shumë-shumë inkurajuese dhe brilante të shërbimit, që nga dita e nesërme, pas kthimit tonë në Komandën e Përgjithshme në Itali, do të nisim me bashkëpunëtorët e mi shqyrtimin e menjëhershëm të kërkesës që na drejtoi këtë mbrëmje ministri i Punëve të Brendshme, për të paraprirë sa më shumë të jetë e mundur (që prej fundit të muajit Prill, maksimumi fillim Maji) aktivitetin e fluturimeve monitoruese, për të kryer më herët se vitet e kaluara këtë kontroll ajror të disa zonave të vendit tuaj të mrekullueshëm. Pikërisht me synimin për të parandaluar akoma më shumë dhe akoma më mirë lulëzimin e këtyre bimëve, të cilat prodhojnë këtë lëndë të paligjshme.
 
Në fund do të doja ta mbyll duke iu drejtuar një falenderim të përzemërt autoriteteve të Qeverisë Shqiptare, në veçanti Ministrit të Punëve të Brendshme, si dhe autoriteteve diplomatike, zotit Ambasador Italian këtu në Shqipëri, për mbështetjen dhe asistencën që u japin ushtarakëve të Guardia di Finanza, që janë rreth 25 njësi të përbëra kryesisht nga Shërbimi detar, të cilat kryejnë me shumë rezultate dhe profesionalizëm të lartë punën e tyre prej rreth 20 vitesh. Ndaj ju falenderoj. Dhe ju inkurajoj në përkushtimin e mëtejshëm dhe në të qënit dhe më efikasë në arritjen e kësaj lufte kundër lëndëve narkotike.
 
Pyetje: A keni një shqetësim në rritje për sa i përket kanabisit nga Shqipëria dhe a siguron fluturimi nga ajri përfundimisht kufizimin e tij në Shqipëri?
 
Toschi: E përsëris: shqetësimet tona janë të inkurajuara nga fakti që sekuestrimet po rriten. Dhe kjo do të thotë që bashkëpunimi mes dy vendeve tona dhe në mënyrë të veçantë me ekspertët e shërbimit antidrogë funksionon. Dhe funksionon mirë.
 
Pyetje: Fluturimet e sigurojnë këtë? Do të ndodhin së shpejti?
 
Toschi: Ne besojmë se duke përdorur pajisje gjithnjë e më shumë të sofistikuara dhe falë eksperiencës së pilotëve tanë, pra të personelit tonë si në qiell dhe në det, këto pjesë toke të cilat në vend që të kultivohen me kultura bujqësore përdoren për kultivimin e marijuanës, mund të identifikohen më shpejt dhe me më shumë saktësi.
 
Ministri Tahiri: Që ta kuptoni sepse zakonisht e lexoni keq: në punën e Guardia di Finanza dhe në punën e Policisë së Shtetit, sa më shumë shkatërron dhe sa më shumë kap, është sukses.
 
Pyetje: Z. Ministër, vitin që vjen do të sigurohemi për sukses se nuk do të ketë më Shqipëria kanabis, me monitorimin nga ajri që do të bëhet?
 
Ministri Tahiri: Ne do të bëjmë maksimumin. Kemi nisur shumë më herët punën e policisë për kontrollin e territorit dhe parandalimin. Kam kërkuar dhe shpresoj do biem dakord për të nisur akoma më herët edhe fluturimet e Guardia di Finanza. E ritheksova: kur të gjithë nuk besonin që Lazarati mund të zhdukej nga Shqipëria, ne e besonim dhe e arritëm. Kur të gjithë ju me të drejtë mund të keni dyshimin e ligjshëm se kultivimi 20 vjeçar i kanabisit në të gjithë Shqipërinë nuk mund të mbyllet, kini besim që do e bëjmë. Siç kemi bërë të tjerat do të bëjmë edhe këtë. Dhe do ia dalim që këtë vit ta mbyllim këtë fenomen.
 
Pyetje: Por nëse në gjë e tillë nuk ndodh, nëse kultivimit të Kanabisit nuk i jepet fund?
 
Ministri Tahiri:
E përsëris: keni pasur arsye të ligjshme të dyshoni, sepse në të kaluarën asnjë qeveri nuk ju ka dhënë motivin të besoni se Policia mund të bëhet – dhe Policia u bë. Keni pasur dyshimin në të kaluarën se kriminelët iknin në drejtim të paditur? Sot nuk ikin në drejtim të paditur, Policia bën detyrën dhe është ringritur në këmbë e gjitha. Keni pasur dyshimin e ligjshëm se shteti nuk bëhet sepse qeveritë e kaluara nuk kanë punuar për këtë? Sot këtë dyshim nuk e keni dhe jeni të bindur që kjo qeveri po bën gjithçka ka mundësi për të bërë shtetin që duhet. Keni dyshimin e ligjshëm për atë që kanë bërë gabim qeveritë e kaluara se kanabisi nuk mund të zhduket? Do zhduket! Ashtu si bëmë edhe me Lazaratin.
 
Faleminderit.