Postuar më: 15 Mars 2017

Të thyejmë modelin e kalitur gjatë dekadave, të ndërtojmë modelin që duam për të rinjtë

Të thyejmë modelin e kalitur gjatë dekadave, të ndërtojmë modelin që duam për të rinjtë

Gërdeci/Sot ende nuk ka drejtësi, disa nga autorët guxojnë bëjnë moral publik lidhur me ç’është Shqipëria sot dhe ç’duhet të bëhet nesër

Sot ne i mbledhim armët, dje armët përdoreshin për një biznes kriminal

VIDEO - Fjala e ministrit të Punëve të Brendshme Saimir Tahiri në tryezën e organizuar nga Forumi Civil, në përkrahje të nismës qeveritare për dorëzimin e armëve në vend:

Faleminderit President,

Faleminderit të gjithëve,

së pari për ftesën, së dyti për mundësinë që më jepni të ndaj me ju gjithçka kemi bërë në kuadër të punës së Ministrinë së Punëve të Brendshme për atë që unë do ta konsideroja, siç Presidenti Moisiu bëri, prioritetin e të gjitha prioriteteve në vendin tonë.

Jo sepse kjo është një gjë që ka të bëjë me historikun e problemeve që kemi pasur lidhur me raportin që ka qytetari shqiptar me dhunën, me armën. Po se realisht – sot dhe brezave që vijnë pas – duhet t’i heqim mundësinë gjithkujt që, për çdo lloj konflikti të mundshëm apo çështje që prek jetën tonë të përditshme, zgjidhjen më të lehtë ta referojë tek arma apo përdorimi i saj.

Është kjo arsyeja pse ne vendosëm si prioritet të punës sonë dhe menduam se një ndër gjërat kryesore që mund të bënim është të organizonim një fushatë për t’u kërkuar qytetarëve të dorëzonin vullnetarisht armët. Është kjo arsyeja pse miratuam amnistinë në Parlament, duke u dhënë një mundësi çdokujt që e kishte varrosur diku armën apo e kishte fshehur diku në shtëpi, për ta dorëzuar e për mos ta pasur më një kërcënim të vazhdueshëm në banesë apo kudo tjetër.

Gjithsesi, në dy muaj kohë kemi bërë një punë të mirë. Janë dorëzuar mbi 1 mijë armë dhe mijëra municione. E kuptoj dhe jam i vetëdijshëm se kjo është shumë pak në raport me çfarë duhet. Por është shumë krahasuar me harresën e viteve të kaluara lidhur me këtë problem. Pra nga njëra anë jam shumë i gëzuar që e kemi rivendosur në prioritetin publik këtë çështje.

Dhe nga ana tjetër jam shumë i vetëdijshëm se mbledhja e armëve nuk është e nuk duhet perceptuar kurrë si sipërmarrje vetëm e Policisë së Shtetit, apo e Ministrisë së Punëve të Brendshme, apo e qeverisë (cilado qoftë kjo). Asgjë, por mbledhja e armëve akoma më shumë, nuk mund të ketë sukses mjaftueshëm nëse vetëdija nuk është e të gjithëve, nëse nuk ndërgjegjësohen të gjithë, dhe nuk punojnë të gjithë për ta bërë të mundur që kapitullin e  armëve ta mbyllim njëherë e mirë.

Politika duhet të ndajë mendjen çfarë do të bëjë lidhur me armët e paligjshme që sot mbajnë qytetarët në duar. Sepse nuk mund të vazhdohet me Qeverinë që kërkon të mbledhë armë, dhe me një pjesë tjetër të politikës që bën thirrje për armatosje.

Shoqëria civile dhe kushdo tjetër që ka një zë publik, duhet të ndajë mendjen ç ‘duhet të bëjë me çështjen e heqjes së armëve nga duart e qytetarëve. Sepse nuk mund të vazhdohet  me disa që janë ndërgjegjësuar dhe me disa që kanë çdo lloj prioriteti tjetër përveçse ato që lidhen drejtpërdrejtë me qëllimin publik.

Dhe këtu është vendi të falënderoj komunitet fetare pa përjashtim. Sepse kanë qenë një ndihmesë e madhe e jona dhe e gjithçkaje kemi bërë për të bindur qytetarët se nuk ka zgjidhje nëpërmjet dhunës, e akoma më pak nëpërmjet armëve.

Jam i bindur dhe vazhdoj ta them pa asnjë diskutim: çarmatosja nga duart e qytetarëve, përpara se të fillojë nga duart, duhet të fillojë nga mendja dhe shpirti. Duhet të fillojmë të refuzojmë publikisht referencën tek modelet e dhunës. Duhet të fillojmë të refuzojmë publikisht modelet e deformuara që sot po shkaktojnë një problem shumë më të madh për të rinjtë dhe brezat që vijnë pas. Ashtu siç duhet të fillojmë të besojmë më shumë tek institucionet, edhe atëherë kur ato dështojnë të bëjnë siç duhet punën e tyre.

Statistika e armëmbajtjes pa leje është më shumë se tragjike në Republikën e Shqipërisë. Vetëm Policia e Shtetit në tre vitet e fundit ka arrestuar mbi 3 mijë shtetas shqiptarë për “Armëmbajtje pa leje”. Është shumë krahasuar me çdo vend të botës. Këtu flas për vendet që kanë një minimum të standardit të shtetit ligjor dhe demokracisë, jo për vende që janë në luftë apo kaos total.

Por të arrestosh më shumë se 3 qytetarë në ditë për “Armëmbajtje pa leje”, dhe kjo për 3 vite rresht, nga njëra anë tregon përmasën e problemit që kemi. Dhe nga ana tjetër domosdoshmërinë që duhet t’i vëmë vetes përpara për ta zgjidhur këtë problem.

Gjithashtu, eksperienca ka treguar se ne duhet të fillojmë të thyejmë modelin që kemi kalitur gjatë dekadave të fundit, dhe të ndërtojmë modelin që duam si referencë permanente për të rinjtë dhe për fëmijët tanë. Deri dje jemi rritur me idenë që “trim” është ai që sillet si trim, pa e lidhur këtë me mendjen a me dijen. Sot (dhe unë e Ministria e Brendshme është munduar ta bëjë këtë), sot “trim” është ai që duhet ta dorëzojë armën. Dhe akoma më trim ai që refuzon tërësisht dhunën. Dhe akoma më “trim” ai që i dedikohet dijes, librit, kulturës po ashtu.

Pra, mbledhja e armëve të paligjshme nga duart e qytetarëve nuk mund të jetë dot një aksion represiv, përpara se të jetë një aksion që ka të bëjë me kulturën e qytetarëve, me mentalitetin – qoftë dhe me përballjen me historinë tonë, me mënyrën si perceptojmë ligjin, të drejtën, shtetin, ligjin, të drejtën, edhe atëherë kur ligji i interpretuar nga prokurorë apo gjyqtarë nuk bën atë që duhet dhe nuk jep drejtësinë që duhet.

Wshtë për të ardhur shumë keq që nga mbi 3000 të arrestuar nga Policia e Shtetit, as gjysma sot nuk vuan dënimin. Dhe kjo është mënyra më e dhunshme për t’i rikujtuar qytetarëve se nëpërmjet dhunës dhe armës mund t’i zgjidhësh akoma problemet dhe drejtësi nuk ka.

E lidh me drejtësinë sepse asgjë nuk mund të ndodhë në rast se nuk bëhemi të gjithë bashkë, përfshirë edhe sistemin e drejtësisë që të ndëshkojë sa duhet atë që mban armë pa leje dhe t’i japë mundësi të sillet si qytetar i mirë ai që ka vendosur të sillet si i tillë duke refuzuar dhunën dhe duke mos mbajtur një armë.

Dhe ne kemi shembuj spektakolarë të padrejtësisë që bëhet në dyert e gjykatave. Edhe atëherë kur njerëzit kapen në flagrancë duke kryer një krim dhe veçanërisht te armëmbajtja pa leje.

E ciladoqoftë përmasa e angazhimit të policisë, të shoqërisë, në qoftë se nuk bëhet drejtësi për ata që refuzojnë dhunën dhe për ata që nuk respektojnë ligjin, për ata që mbajnë një armë duke shpresuar se kështu zgjidhin konfliktin, atëherë kurrë nuk do të ketë sukses kjo histori.

Nuk e di nëse është rasti dhe dal shumë nga protokolli po duke ju kërkuar ndjesë nuk mund të rri pa e përmendur se sot është një ndër ditët, ndoshta më alarmante, që na kujton ne, publikisht dhe mbi të gjitha çdo qytetari, padrejtësinë e madhe që bëhet në dyert e gjykatave.

Sot, 9 vjet më parë, 26 qytetarë shqiptarë kanë humbur jetën. Në mes tyre edhe fëmijë. Në një biznes që armët i përdorte për një biznes të paligjshëm dhe kriminal dhe që i mori jetën 26 njerëzve. Sot ende nuk ka drejtësi. Madje disa nga autorët janë ende të shfaqur publikisht dhe guxojnë bëjnë dhe moral publik lidhur me ç‘është Shqipëria sot dhe ç‘duhet të bëhet nesër.

Unë kam mbajtur detyrën e ministrit të Punëve të Brendshme dhe, edhe në këtë cilësi, më duhet të kërkoj një ndjesë personale, edhe në emër të detyrës që kam mbajtur për gjithçka nuk kemi bërë dot në raport me ata që shkaktuan tragjedinë e Gërdecit dhe që sot janë të lirë.

Por ky është një angazhim dhe vetëdije jonë e madhe, e imja, e kolegëve të mi, e qeverisë, e Kryeministrit, për të bërë drejtësinë që duhet ndaj të gjithë atyre në sistemin e drejtësisë që kanë lënë të lirë sot, për 9 vjet me radhë, ata që shkaktuan 26 viktima.

Dhe ky është një dallim shumë i madh. Ne i mbledhim armët. Dje armët përdoreshin për një biznes kriminal.

Ne na duhet të bëjmë shumë më shumë punë dhe jam shumë i bindur që kjo do të ndodhë për të vazhduar këtë prioritet maksimal të shoqërisë sonë dhe për të evituar që fëmijët tanë nesër të jenë të kërcënuar nga dhuna, frika, armët, konflikti dhe për t’i dhënë mundësi shoqërisë të besojë se zgjidhja e çdo konflikti shkon tek institucionet, dhe forcë atyre që nuk e gjejnë zgjidhjen tek institucionet, qoftë dhe padrejtësisht, për të vazhduar dhe për të besuar ende se zgjidhja do jetë aty. Sot apo nesër, kjo është sakrificë e jona kolektive, e pashmangshme.

Unë ndaj bindjen dhe do e propozoj që amnistia për dorëzimin e armëve duhet të vazhdojë, të paktën deri në fund të këtij viti. Këto dy muaj na treguan se ka sukses t’u hapësh një shteg qytetarëve që të dorëzojnë armët e paligjshme. Dhe besoj që duhet të vazhdojë me sensibilizimin, me aksionin derë më derë dhe dorëzimin e armëve nga çdo qytetar që sot, për cilëndo arsye, e mban në shtëpi. Dhe pas përfundimit të amnistisë, bie dakord me propozimin e Presidentit, ligji duhet të jetë shumë shumë më i ashpër se sot për dorëzimin e armëve.

Më vjen shumë keq që në Kuvend u miratua një ligj që e zbuti dënimin për armëmbajtjen. Nuk ka ndikuar mirë dhe nuk ka treguar që me politikë penale të zbutur, me dënime të vogla, mund t’i bindim njerëzit. Edhe në qoftë dënimi për armëmbajtje pa leje më i madh se dënimi për veprat e tjera penale, ne duhet ta mbajmë maksimal dënimin për armëmbajtje pa leje. Sepse ky është një prioritet mbi çdo prioritet tjetër.

Falë punës që kemi bërë për të mbledhur armët pa leje, veprat penale në Republikën e Shqipërisë janë minimale, përkundër asaj beteje që dëgjoni në publik lidhur me kriminalitetin apo kriminalizimin, sot Shqipëria ka një numër vrasjesh fare fare të ulët, të pakrahasueshëm me çdo vend të rajonit, sot që flasim.

Pa asnjë diskutim ka shumë për të bërë, sepse edhe ulja e numrit të vrasjeve nuk është vetëm çështje e policisë, është çështje e familjes, është çështje e edukatës, është çështje e kulturës, është çështje qytetërimi mbi të gjitha, është çështje e institucioneve, është çështje e drejtësisë, është çështje e politikës dhe e diktimit që i bën mendjes së qytetarëve me dhunë, është çështje që i prek të gjithë.

Por sot ka shumë më shumë punë për të parandaluar çdo konflikt që në fazën paraprake dhe mbledhja e armëve është një ndër punët për të hequr mundësinë që qytetarët t’i referohen armës sa herë kanë një problem, apo sa herë kanë një konflikt, ‘Pse më e pe e pse të pashë’, ‘Pse ti je këtu’, ‘Pse ngacmove familjaren time’ dhe kështu me radhë.

Këto janë të gjitha motive që tregojnë sa shumë civilizim na duhet ende dhe sa shumë drejtësi na duhet ende për të bërë Shqipërinë që duam. E thashë pak më parë, sot është një ndër ditët më alarmante të vitit për të parë me dhimbje se sa shumë punë kemi ne për të bërë drejtësinë. Dhe sa shumë punë kemi ne për të bërë për të përcaktuar një standard moral në të gjithë ata që sot dalin dhe bëjnë moral publik në politik kur duhet të ishin para drejtësisë dhe pas hekurave për atë që kanë bërë.

Unë dua të falënderoj Presidentin për ftesën që më bëri dhe për organizimin e kësaj tryeze lidhur me një çështje që shqetëson shumë njerëz por ka sensibilizuar  pak nga shoqëria civile apo nga analist, apo nga media, të gjithë ata që kanë një mundësi t’i drejtohen publikut për të bërë opinion.

Duhet t’ju falënderoj dhe ju për të gjithë kontributin, dua të falënderoj edhe komunitet fetare dhe shpresoj dhe besoj që ky do vazhdojë të mbetet një prioritet për vitet në vazhdim.

Ne nuk mund të heqim dorë nga përcaktimi i modelit që duam për fëmijët tanë dhe kësisoj për Shqipërinë nesër. Pa frikë, pa dhunë, pa kërcënimin e armëve.

Me drejtësi, me institucione që bëjnë drejtësi dhe që kanë mundësi t’i japin qytetarëve zgjidhjet që duhen, atëherë kur duhet, në kohën kur duhet. Pa korrupsion , me transparencë dhe që largon konfliktin dhe dhunën nga mendja e shqiptarëve.

Nuk çarmatoset asnjë qytetar nëse nuk çarmatoset politika, nëse nuk çarmatoset vendimmarrja, nëse nuk çarmatoset fjalori publik, nëse nuk çarmatoset mentaliteti, mendja dhe shpirti i njerëzve.

Ju faleminderit!