Si mund të bëhesh pjesë e Gardës së Republikës? Kriteret

Për t’u bërë pjesë e Gardës së Republikës shtetasit duhet të plotësojnë kriteret e mëposhtme:

Bazuar në nenin 11 dhe 12, të Ligjit nr. 8869, datë 22.05.2003 “Për Gardën e Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, në nenin 3, të Rregullores së Personelit të Gardës, miratuar me vendimin nr.66, datë 14.01.2004, të Këshillit të Ministrave

Në Gardën e Republikës, pranimi i punonjësve bëhet me konkurim, në përputhje me nenin 11 të ligjit nr.8869, datë 22.5.2003 "Për Gardën e Republikës së Shqipërisë", si dhe procedurat e përcaktuara në këtë rregullore.

a) Për punonjës nënoficerë gardistë

Ka të drejtë të aplikojë për të konkurruar çdo shtetas shqiptar që plotëson kriteret:

1. Të mos jetë dënuar penalisht;

2. Të ketë sjellje të mirë qytetare;

3. Të jetë i aftë fizikisht dhe me gjatësi jo më pak se 175 cm; të ketë pamje të jashtme të rregullt;

4. Të ketë aftësi shëndetësore sipas kërkesave të testit shëndetësor të kësaj rregulloreje;

5. Të ketë kryer shërbimin ushtarak të detyrueshëm aktiv, duke i dhënë përparësi atyre shtetasve që kanë kryer shërbimin ushtarak aktiv pranë reparteve të Gardës së Republikës ose në repartet e Forcave Komando dhe paqeruajtëse;

6. Të ketë aftësi të plota për të vepruar;

7. Të ketë kryer Institutin e Policisë ose kurse të barasvlefshme me të;

8. Të jetë i moshës deri në 30 vjeç.

Nënoficeri gardist, që nga momenti i emërimit në detyrë, do të nënshkruajë kontratën sipas së cilës do të qëndrojë deri në 5 vjet në Gardën e Republikës, me të drejtë përsëritjeje.

b) Për punonjësit e nivelit të mesëm (oficerë gardistë)

1. Të jetë i diplomuar pranë Akademisë së Policisë (me shkëputje nga puna) ose Akademisë Ushtarake "Skënderbej".

T'i nënshtrohet testit për pranim të kontrollit shëndetësor dhe të përgatitjes fizike të miratuar nga komandanti i Gardës, si dhe një kursi të përgatitjes profesionale (për shërbimet e Gardës) 1-3 mujor në Institutin e Gardës.

2. Për nevoja të sektorëve të veçantë të Gardës, ku kërkohen njohuri të posaçme, mund të pranohen shtetas me arsim të lartë civil, pasi të kenë kryer më parë kursin 3-4 mujor të formimit të përgjithshëm për shërbimet në Gardë, pranë Institutit të Gardës.

Gjatë periudhës të kursit, trajtimi financiar të bëhet me pagën bazë të funksionit organik më të ulët të nivelit të mesëm, për gradën e karrierës, si dhe vjetërsinë në punë të kandidatit.

Oficeri gardist, që nga momenti i emërimit në detyrë, do ta nënshkruajë kontratën, sipas së cilës do të qëndrojë deri në 5 vjet në Gardë, me të drejtë përsëritjeje.

Personeli që do të pranohet në grupet e shoqërimit dhe në trupën speciale, përveç kritereve të mësipërme, duhet të plotësojë edhe këto kritere:

- Të njohë një gjuhë të huaj (anglisht ose frëngjisht).

- Nga radhët e të diplomuarve në Akademinë Ushtarake të pranohen kuadro të diplomuar në specialitetin: gjitharmësh, zbulim dhe forcat speciale.

- Të kenë vjetërsi shërbimi policor ose ushtarak (në specialitet) mbi tre vjet dhe me vlerësime pune mbi nivelin mesatar.

- Të qëndrojë në këto shërbime deri në moshën 40 vjeç, ndërsa për detyra funksionale të veçanta të jenë mbi 40 vjeç dhe të kenë eksperiencë në këto shërbime mbi 5 vjet.

Para caktimit në detyrë t'i nënshtrohen testeve të pranimit dhe një kursi 4-mujor kualifikimi special, për shërbimin përkatës në Gardë, pranë Institutit të Gardës.

 c) Për punonjës të nivelit të lartë (oficerë të lartë të Gardës)

Të jenë punonjës të nivelit të mesëm (oficerë gardistë) që të kenë kryer kualifikime profesionale dhe kurse drejtimi të nivelit të lartë (në përputhje me detyrën që do të kryejë).

Të zotërojë një gjuhë të huaj (anglisht ose frëngjisht).

*Aplikimet për punë bëhen vetëm kur shpallen vende bosh.