Postuar më: 04 Qershor 2016

KiE vlerëson progresin e Shqipërisë për masat anti-trafikim

Deklarata e zv/ministres së Punëve të Brendshme Elona Gjebrea:

Këshilli i Europës përshëndet Shqipërinë për progresin e dukshëm në Masat kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore.

Kam kënaqësinë të ndaj me ju konkluzionet e  Progres- Raportit të Këshillit të Europës, për Shqipërinë lidhur me masat e marra në luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore, miratuar më 23 maj 2016 dhe publikuar dje.

Ky është raporti i dytë pas atij të vitit 2011 në lidhje me zbatimin e Konventës së Këshillit të Evropës për Masat kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore.

Ky raport është shumë pozitiv krahasuar me atë të vitit 2011, progresi është i dukshëm dhe përshëndetet Shqipëria nga Këshilli i Europës për këtë përmirësim.

Është inkurajues konstatimi i raportit se Shqipëria është nën rrugën e duhur për të luftuar trafikimin e qenieve njerëzore. 

MPB e konsideron progres-raportin një udhërrëfyes për gjithë shoqërinë shqiptare në përgjithësi ndaj e çmojmë të dobishme ta ndajmë atë me publikun.

Sipas raportit (GRETA), vlerësohen zhvillimet që janë bërë, pas raportit të parë në dhjetor, mbi zbatimin e Konventës së Këshillit të Evropës për Masat kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore.

Raporti është hartuar nga një Delegacion i Grupit të Ekspertëve, të cilët gjatë vitit 2015 zhvilluan një vizitë zyrtare në Shqipëri për vlerësimin e zbatimit të Konventës së Këshillit të Evropës “Për masat kundër trafikimit të qenieve njerëzore”.

Më konkretisht, raporti i publikuar një ditë më parë, identifikon progresin e bërë nga institucionet shtetërore në një numër fushash, si:

- Përmirësimi i legjislacionit në luftën kundër trafikimit të personave

- Miratimi i përkufizimi të zgjeruar të veprës penale të trafikimit

- Rritja e masës së dënimit

- Prezantimi i dispozitave të reja që lidhen me lehtësimin e trafikimit të personave

- Miratimi i dispozitës për mosdënimin e viktimave të trafikimit për vepra të kryera gjatë kohës së trafikimit

- Miratimi i dispozitave ligjore të veçanta që parashikojnë periudhën e reflektimit dhe lëshimin e lejes së qëndrimit për viktimat e trafikimit me qëllim mundësimin e bashkëpunimit me drejtësinë.

- Zgjerimin e Komitetit Shtetëror kundër Trafikimi të Personave dhe të Autoritetit Përgjegjës me anëtarë të rinj, si dhe përfshirjen e OJQ-ve në zhvillimin dhe zbatimin e politikave anti-trafik dhe identifikimin e viktimave të trafikimit.

- Nënshkrimi i Marrëveshjes së Bashkëpunimit midis Koordinatorit Kombëtar, Policisë së Shtetit dhe Inspektoratit Shtetëror të Punës dhe Shërbimeve Shoqërore për adresimin e trafikimit me qëllim punën e detyruar.

- Përpjekjet e bëra për trajnimin e profesionistëve në bashkëpunim me OJF-të dhe ON-të.

- Hapat e ndërmarrë në fushën e parandalimit, duke përfshirë aktivitetet dhe fushatat ndërgjegjësuese që targetojnë fëmijët e shkollave, si dhe iniciativa për të reduktuar vulnerabilitetin e grave, nëpërmjet promovimit të përfshirjes ekonomike.

- Miratimi i Procedurave Standarde të Veprimit për identifikimin dhe referimin e viktimave të trafikimit, duke formalizuar funksionimin e MKR-së dhe duke parashikuar procedura të veëanta për identifikimin e fëmijëve.

Por, Ministria e Punëve të Brendshme garanton se mbetemi të angazhuar për parandalimin dhe identifikimin e rasteve të trafikimit të personave gjatë kontrolleve kufitare, duke i kushtuar vëmendje të veçantë fëmijëve të pashoqëruar, midis azilkërkuesve dhe migrantëve të parregullt si dhe identifikimi i rasteve të shfrytëzuar për punë.

Gjithashtu prioritet mbetet rritja e numrit të hetimeve dhe procedimeve proaktive, si dhe dënimeve për këto vepra penale.