Postuar më: 16 Qershor 2017

"Punonjësit e Policisë së Shtetit, larg procesit zgjedhor"

VIDEO - Deklarata e ministrit të Punëve të Brendshme Dritan Demiraj:

Të nderuar përfaqësues të medias, 

ju kam thirrur në këtë konferencë për të dhënë një mesazh të qartë për të gjithë punonjësit e Policisë së Shtetit që të mos ketë asnjë moment dyshimi se çdo përfshirje e tyre në aktivitete të partive politike do të ndëshkohet rreptësisht sipas përcaktimeve të ligjit.

Punonjësit e Policisë së Shtetit kanë marrë të gjithë trajnimin e nevojshëm ligjor për të kuptuar detyrimet dhe kufizimet që ata kanë në një process zgjedhor.

Ligji për Policinë e Shtetit nr.108, 2014, Kreu 11-të, detyrimet dhe kufizimet kryesore të punonjësit të Policisë, neni 90-të i tij, përcakton qartësisht kufizimet në jetën politike të punonjësit të policisë të cilit i ndalohet:

a) të jetë anëtar i një partie ose organizate politike 
b) të mbështesë fushatën e një partie, organizate politike, të një anëtari partie politike apo të një kandidati të pavarur duke marrë pjesë ose kontribuar fizikisht ose financiarisht.

Kodi Zgjedhor dhe udhëzimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve numër 7, viti 2009 i ndryshuar, Vendimit të Këshillit të Ministrave numër 473, datë 01.06.2017, përcaktojnë qartësisht këto kufizime ligjore.

Dua t’ju rikujtoj se Kodi Penal, i ndryshuar më 22 Maj 2017, në nenin 332 a parasheh se “Shpërdorimi i autoritetit policor nga punonjësi i Policisë së Shtetit ose i Policisë së Burgjeve për të influencuar në mbështetjen e një partie politike ose kandidati në zgjedhje, nëpërmjet mosushtrimit të funksionit me paanësi sipas ligjit, pjesëmarrjes në veprimtari politike të një partie politike ose kandidati në zgjedhje, me kryerjen e çdo veprimi ose dhënien e urdhrave, këshillave apo çdo lloji tjetër propagande që favorizon një parti politike ose kandidat në zgjedhje, përbën vepër penale dhe dënohet me burgim nga 1 vit deri në 5 vjet”.

Më lejoni t'ju bëj me dije se Policia e Shtetit është në monitorim të rreptë prandaj i ftoj të gjithë punonjësit e saj që të respektojnë çdo gërmë të ligjit përndryshe masat do të jenë proporcionale me shkeljet e kryera.