Postuar më: 28 Shtator 2017

Fjala e ministrit Xhafaj në seancën parlamentare - 28 shtator

Fjala e Ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj në seancën parlamentare – 28 shtator ’17:

I nderuar Z. Kryetar i Kuvendit,

Të nderuar kolegë deputetë,

Sapo patët të gjithë mundësinë të ndiqnit një hartim politik, që kishte dhe ka një qëllim të vetëm: të nxijë realitetin e vendit. Atë që je duke bërë çdo ditë në kancelaritë ndërkombëtare, të cilat tashmë janë mësuar me këtë gjë.

Askush në këtë vend – dhe gjithashtu kurrë ne – nuk kemi thënë e as nuk do themi që nuk ka kriminelë e grupe kriminale në këtë vend. Përkundrazi. Kemi pasur dhe kemi kurajon ta shohim të vërtetën në sy, edhe kur ajo ka qenë e dhimbshme dhe për ne. Kemi pasur dhe kemi kurajon ta shohim të vërtetën, edhe kur pas saj fshihen gabimet tona. E kjo më së paku është përgjegjshmëri.

Ka pa dyshim dy shembuj lidhur me historinë e kultivimit të kanabisit dhe trafikut të tij.

Njëri, kur ju keni qenë në pushtet dhe kur ju, personalisht, keni qenë Ministër i Brendshëm: shembulli i famshëm i Lazaratit, i Dukagjinit gjithashtu. Kur kultivimi i kanabisit ishte nën mbrojtjen e plotë të shtetit. E ku, siç kanë deklaruar dhe agjencitë zyrtare shtetërore “gjithçka bëhej nën mbrojtjen e shtetit dhe shteti nuk kishte kurajon të ndërhynte”.

Ka dhe një shembull të këtyre katër viteve: kur qeveria është përballur me këtë fenomen. Ashtu siç ka pranuar dhe realitetin aspak pozitiv të vitit të kaluar. Realitet të cilin e pa në sy. U përball me të, gjatë gjithë këtij viti. Dhe sot kemi një pamje krejt tjetër.

Një pamje që unë shpresoj që shumë shpejt të bëhet publike edhe nga agjencitë ndërkombëtare që e kanë asistuar dhe monitoruar këtë proces. E që, për herë të parë në historinë e këtyre (të paktën) 15 viteve të fundit, kemi numrin më të ulët të mbjelljeve dhe kultivimit të kanabisit në mesataren e të gjithë viteve. Që do bëjë që vendi të mos jetë më në listën e vendeve që kultivojnë kanabis.

Kjo është më se e sigurt.

Dhe kjo do duhej më së paku që nga ana juaj si kryetar i opozitës, të kishte një mbështetje. Të kishte një fjalë.

Ashtu siç adresuat edhe gjatë gjithë këtyre kohëve, edhe në vazhdim edhe sot, problemet që ka pasur në këtë fushë.

Kjo nuk është një luftë që mbaron sot. Kjo është një luftë që do vazhdojë.

Një luftë, një betejë që do të kërkojë akoma më shumë sakrifica, se askush nuk mund të pretendojë që mundet të mbyllë trafikun, por vullneti është ai që e përcakton dhe që bën diferencën. Vullneti në rastin e Lazaratit dhe Dukagjinit gjatë kohës suaj, dhe vullneti që po shprehet tani janë dy shfaqje përgjegjshmërie të ndryshme. 

Të jeni të bindur që unë dhe qeveria i ndjek me vëmendje dhe është në kujdes ndaj të gjithë atyre kritikave që ju mund të bëni kur ato janë konstruktive. Por nuk është as në dinjitetin tuaj, as edhe në nevojën që kemi për të zgjidhur dhe për të adresuar këto probleme që të nxijmë gjithçka dhe për gjithçka. 

Gjithashtu ju iu referuat me të drejtë nga këndvështrimi juaj ngjarjeve të fundit, të cilat lidhen me terrenin dhe sigurinë publike të ndodhura së fundmi në Elbasan.

Ngjarje të cilat, të dashur kolegë, më obligojnë mua si Ministër i Brendshëm që në përputhje me ligjin të informoj dhe të raportoj në Kuvend për sa vijon :

Faktet kriminale, një pjesë e të cilave janë bërë publike prej medias, janë të lidhura me ngjarje kriminale, vrasje apo tentativa vrasjesh dhe jo vetëm ato, të cilat datojnë prej vitit 2005, vazhdojnë në vitin 2006, në vitin 2009, në vitin 2011, 2012, 2015 dhe 2016.

Disa prej këtyre ngjarjeve kanë ndodhur jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.  Për disa prej këtyre ngjarjeve kriminale ka autorë të identifikuar dhe ose të dënuar. Por ka edhe shtetas, të cilët janë marrë të pandehur, si autorë të këtyre veprave kriminale, por që janë liruar nga akuzat nga sistemi i kalbur i drejtësisë.

Pa dashur aspak të kaloj përgjegjësitë tek drejtuesit e Policisë së Shtetit, te Ministrat e Brendshëm gjatë gjithë këtyre viteve që përmenda, që kanë emra konkretë, cituar si më sipër duhet të konfirmoj se qasja jo profesionale dhe jo sipas ligjit nga organet ligjzbatuese kundrejt këtyre ngjarjeve dhe individëve të lidhur me to, kanë ndihmuar në vite në inkurajimin e veprimit kriminal nga këta element, në një cilësi kriminale më të lartë dhe jo rrallë për hir të së vërtetës arrogante.

Nga ana tjetër është fakt i vërtetë që ngjarjet e fundit të Elbasanit janë rrjedhojë e veprimit në rritje të Policisë së Shtetit kundër elementëve kriminale pa dallime të çfarëdolloji si dhe kundër potencialit të tyre kriminal.

Si Ministër i Brendshëm kam urdhëruar zhvillimin e një analize të plotë dhe të detajuar të situatës në këtë qytet. Kam urdhëruar drejtuesit kryesorë të hetimit në Policinë e Shtetit, të instalohen dhe fokusohen në Elbasan. Kam kërkuar të analizojnë jo thjesht dhe vetëm ngjarjen e ndodhur, sikurse është pasqyruar në media, e cila ka në vetvete problematikat e saj, por një analizë shumë më të plotë që të nxjerrë në pah shkaqet e vërteta të situatës kriminale lidhur me këto dy grupe kriminale, ‘Çelaj’ dhe ‘Çapja’, në mos gaboj.

Po ashtu i kam kërkuar Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA) dhe Drejtorisë së Standardeve në Drejtorinë e Policisë së Shtetit të analizojnë veprimet dhe mosveprimet e Policisë apo të individëve të veçantë, pavarësisht detyrës që kanë.

Kam kontaktuar personalisht drejtuesit më të lartë të Prokurorisë së Përgjithshme dhe Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe u kam dhënë atyre mbështetjen time maksimale dhe mbështetjen gjithashtu maksimale të oficerëve dhe drejtuesve të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, që merren me hetimin policor, në funksion të zbardhjes së ngjarjes dhe jo thjesht dhe vetëm të kësaj ngjarjeje.

Në dijeninë time, Prokuroria, aktualisht, edhe sot që flasim, edhe tani që jemi duke folur këtu, është duke zhvilluar hetime intensive, të përbashkëta me Policinë e Shtetit dhe është rasti që ajo të dëshmojë se është në lartësinë e detyrës dhe përgjegjësisë.

Problemet e Policisë në Elbasan do të jenë pjesë e një analize shumë të thellë, nga e cila do të dalin përgjegjësitë e strukturave dhe individëve të veçantë.

Është gjithashtu shumë e rëndë dhe dalja në publik e materialeve sekrete nga burime të institucioneve shtetërore. I kam kërkuar Prokurorisë të hetojë edhe për këtë ngjarje të shëmtuar për përgjegjësinë e institucioneve shtetërore sigurisht, edhe në këtë rast.

Si Ministër i Brendshëm inkurajoj dhe mbështes me forcë veprimet e Policisë në goditje të krimit. Këtë gjë kërkoj edhe nga ju të nderuar kolegë. Me keqardhje konstatoj se edhe në këtë sallë, edhe pak më parë, u përpoq të përfitohet politikisht nga kjo situatë. Puna juaj, secili zgjedh mjetet dhe armët e veta. Publiku le të na gjykojë sot dhe në ditët në vijim.

Duke thënë këto nuk dua aspak të shfajësoj përgjegjësitë e mia, për aq sa kam dhe për aq sa mund të kem edhe në vijim, Policinë e Shtetit, gjithashtu.

Përkundrazi jam këtu për të thënë se brenda Policisë së Shtetit ka edhe disa struktura apo individë të paaftë dhe në ndonjë rast, edhe të lidhur me krimin, ndaj dhe kam urdhëruar dhe një analizë të detajuar të ngjarjes siç thashë më lart, përmes strukturave përgjegjëse të ngarkuara nga ligji për këtë gjë.

Ndaj dhe së bashku me partnerët ndërkombëtarë po punojmë për të organizuar me asistencën e tyre, procesin e Vetting-ut në radhët e Policisë pa asnjë dallim funksioni apo përgjegjësie, por në këtë përballje me krimin policia nuk duhet lënë vetëm.

Ajo do të vazhdojë të godasë grupet kriminale duke rihapur shumë shpejt disa procese të ndjeshme për publikun. Do vazhdojë të godasë bazën ekonomike të këtyre grupeve akoma më fortë se sa është duke bërë këto ditë. Prisja që sot, që më së paku ta vlerësonit këtë proces, që po ju them sapo ka nisur.

Këtë gjë jemi duke koordinuar edhe me misionet e asistencës ndërkombëtare dhe me ekspertë ndërkombëtarë të nivelit të lartë që priten t’i atashohen së afërmi Ministrisë së Brendshme në kuadër të këtij projekti antikrim.

Reagimi ndaj veprimeve të Policisë do të jetë edhe më i madh, por ne jemi të vendosur në zbatimin e ligjit. Edhe njëherë ju kërkoj ta mbështesni Policinë e Shtetit, pasi në pjesën më të madhe të saj, ajo është e përbërë nga individë që punojnë ndershëm dhe me sakrifica të mëdha, për ta dhe familjet e tyre. Me sakrifica të mëdha përfshirë edhe sigurinë e jetës së tyre si punonjës policie. Për këtë kërkojmë më shumë mirëkuptim të publikut dhe politikës.

Personalisht jam i hapur ndaj kujtdo për kritika dhe sugjerime kur ato i shërbejnë mbështetjes së policisë në luftën kundër krimit.

Lidhur me ngjarjen konkrete të Elbasanit, unë mirëkuptoj dhe konsideroj të përligjur edhe trajtimin që i është bërë nga media kësaj ngjarje, pavarësisht se i konsideroj prematurë komentet konkluzive apo disa përfundime irracionale që prezantohen në disa raste, në analizë të asaj çfarë ka ndodhur. Po ne ndjekim me vëmendje çdo gjë që publikohet në media për këtë ngjarje.

Gjithashtu nga ana tjetër duhet të kuptohet se Prokuroria që është organizmi përgjegjës i hetimit, por dhe Policia e Shtetit, me akte konkrete akoma nuk e kanë thënë fjalën e vetë. Ky është një proces, i cili ka zhvillimin e tij dhe taktikat e veta dhe me gjithë respektin për këdo që ka një opinion të vetin për sa ka parë apo sa ka dëgjuar, veprimtaria e Policisë nuk mund dhe nuk duhet të udhëhiqet nga emocionet apo subjektivizmi, spontaniteti dhe në tërësi nuk mund të ketë të njëjtën pikë vështrimi që kanë dhe të tjerët pavarësisht statusit që kanë.

Më së pari, qasja jonë konsiston jo në kryerjen e veprimeve, të cilat do të kishin bujë mediatike në moment dhe më pas asgjë, por konsiston në goditjen e veprimtarisë kriminale, ndalimin e autorëve të tyre dhe grumbullimin e provave të cilat edhe prokurori apo dhe gjyqtari më i paaftë profesionalisht nuk do të mundet dot t’i injoronte.

Kjo është edhe qasja për ngjarjen e Elbasanit. Jo çfarë duket, qoftë edhe në një video është prova e mungesës së profesionalizimit të gjithë strukturave të Policisë apo tregues i krimit me politikën.

Gjej rastin të konfirmoj qartë se çdokush që është i përfshirë në këtë veprimtari kriminale nuk do të mundet t’i shpëtojë përgjegjësi ligjore. Gjithsesi jam i ndërgjegjshëm që ky nuk është një proces i lehtë, përkundrazi.

Krimi është i lidhur me fije të dukshme dhe të padukshme dhe ky proces kërkon  profesionalizëm, qetësi dhe maturi. Inteligjencë, përkushtim, ndershmëri dhe jo protagonizëm mediatik.Mospërfshirja në debate publike si kurse edhe me këtë ngjarje dhe mos-ofrimi i informacioneve fillestare mbi ngjarjen kriminale, nuk duhet kuptuar si ndrojtje apo më shumë akoma si pafuqi e Policisë për t’u përballur me elementë kriminelë të çdolloji qofshin.

Dikush që është i përfshirë në veprimtari kriminale mund të jetë për njëfarë kohe, i pacënuar në këtë veprimtari. Por është iluzion të mendohet se ai, për një arsye apo për një tjetër, mundet të sfidojë shtetin, për më shumë.

Ne po punojmë në mënyrë profesionale që të godasim të gjitha vatrat e krimit të organizuar në vend dhe të sjellim para drejtësisë me prova të forta, më së pari, drejtuesit e organizatave kriminale.

Ky është objektiv prioritar për mua si Ministër përgjegjës për Rendin dhe Sigurinë publike.

Mbetet koha ta provojë dhe që ju ta gjykoni.

Faleminderit!