Postuar më: 01 Dhjetor 2016

“Ky është buxheti që financon mekanizmin për të pastruar prokurorët dhe gjyqtarët e korruptuar”

VIDEO - Fjala e ministrit të Punëve të Brendshme Saimir Tahiri në seancën plenare – 1 Dhjetor 2016:

Të nderuar kolegë,

në fakt nuk është më këtu zoti Patozi. Jo për të bërë replikë, por meqë e nisi duke thënë se ai ia di peshën fjalës, nuk e vë këtë në dyshim por kam dyshimin se nuk ia di peshën së Vërtetës.

Përmendi këtu një raport të Komisionit Europian sipas të cilit prodhimi i Kanabisit është 2.6% e Prodhimit të Brendshëm Bruto, por në fakt është minimumi i palexuar. Bëhet fjalë për raportin e Kombeve të Bashkuara, i cili ka studiuar këtë fenomen nga viti 2009 deri 2012. Dhe thotë se po, e vërtetë: në këto vite prodhimi i Kanabisit ishte aq (2.6% e PBB).

E dyta, ai ishte abuziv kur tha se kanabisin e kapin policitë e huaja. Nuk është e vërtetë. Thjesht nuk është e vërtetë. Dje dhe sot ka qenë një nga prokurorët më të rëndësishëm të Italisë me të cilin jemi takuar (unë, Prokurori i Përgjithshëm, Drejtori i Policisë), pikërisht për shkak të bashkëpunimit që ka Policia shqiptare me agjencitë ligjzbatuese për të luftuar kultivimin dhe trafikimin e lëndëve narkotike. E kjo është falë bashkëpunimit dhe besimit tek Policia shqiptare – përkundër gjithçkaje keni thënë ju këtu në Parlament.

Megjithatë, duke lënë akuzat, sharjet, barcaletat e shakatë mënjanë, unë vërtet pyes: çfarë po u thoni shqiptarëve sot? Se unë vetë nuk i ve dot titull, dhe dyshoj fort nëse mund t’ia vini ju. Realisht po çuditet dynjaja me çfarë dëgjon çdo të enjte këtu në Parlament. Unë s’e di a jam vetëm unë apo bindeni dhe ju që e Enjtja është bërë dita më e urryer për disa shqiptarë, dhe për disa të tjerë dita e shfaqjes humoristike më mediokër.

Unë e besoj se ky është faji ynë kolektiv. I juaji, që keni zgjedhur këtë rrugë. Dhe i yni, që na takon për hise të bashkëndajmë me detyrim këtë lloj spektakli të padenjë, e sidomos të pamerituar për një pjesë të mirë deputetësh këtu e mbi të gjitha për qytetarët jashtë kësaj salle. Një spektakël për të cilin historia do na njohë fajtorë të gjithëve.

Ndaj realisht e kam me shumë neveri (e s’jam i vetmi, besomëni), nga mënyra si po përballemi të gjithë bashkë me atë që nuk kemi bërë e me atë që duhet të bëjmë. Apo me gabimet dhe fajet e djeshme dhe të sotme. Për shkak të atyre që flasin më shumë. Për shkak të atyre që bërtasin më shumë, për shkak të atyre që shajnë më shumë. Për shkak të atyre që shpifin më shumë, që servilosen më shumë. Për shkak të atyre që heshtin, e për shkak të atyre që pranojnë me heshtje (siç ndonjëherë bën dhe Astriti në fakt). Për shkak të atyre që duartrokasin apo brohorasin këtu në parlament, pavarësisht përmasës së idiotësive që lëshohen nga kjo foltore.

Mekanika e demokracisë kërkon që ju të quheni “opozita”, automatikisht. Logjika e atyre që kanë jetuar dje e na dëgjojnë sot kërkon që ju të jeni “qeveria e kaluar”. Por duhet merituar edhe kjo. Pra duhet merituar të qenit “ish-ministër”, “ish-kryeministër”, “ish-qeveria e shkuar”, “ish-kryetar i grupit parlamentar të ish-mazhorancës”, “ish-deputetë, sërish deputetë”, e kështu me radhë.

E në rast se për fajin tuaj nuk e keni merituar atë që ishit deri dje, të paktën meritoni këtë që jeni sot. Pa gënjeshtra. Pa shpifje.

E mbi të gjitha pa tradhti (dhe do ta shpjegoj më pas çfarë është kjo). Sepse atë që nuk bëtë dot dje kur mund të bënit diçka, bëjeni sot kur mund të mos bëni këtë që bëni. E nëse deri dje nuk mund të rregullonit, të paktën bëjeni sot që të mos prishni.

Unë jam i qartë që ka pak veshë në këtë parlament për moral. Por jam akoma më i qartë që sa më shumë të shpifni ju, aq më shumë mundësi ka që nga ky parlament të dalë e Vërteta. Sa më shumë ta nxini realitetin, aq më shumë ka mundësi që ne të tregojmë ç’kemi bërë e mbi të gjitha ç’mbetet për të bërë ende. Sa më shumë padrejtësi të donit të mbanit në këmbë, aq më shumë është e domosdoshme për një reformë që do të shkulë nga themeli padrejtësinë e mbjellë në 25 vite – kjo edhe falë jush.

Por sot flasim për buxhetin e vitit tjetër ama. Dhe në çdo parlament ka plot debate që zgjasin me ditë, me raste edhe me javë, për të marrë disa lekë nga një projekt e për t’i çuar në një projekt tjetër. Për ta bërë buxhetin më funksional, më të mirë, që t’u shkojë qytetarëve. Për të financuar projekte që realisht ia vlejnë – dhe këtu ka patjetër nevojë edhe për sugjerimet e Opozitës.

Por askund, dhe askund vërtet, nuk kam hasur që një opozitë edhe ditën kur debatohet buxheti për shqiptarët, për qytetarët, të errësohet aq shumë sa të shajë, të shpifë, të flasë për çdo gjë tjetër, vetëm për buxhetin jo. Kjo sepse hipokrizia është kthyer në sport, në sportin e ditës, në sportin e të enjtes.

E nëse ndeshjet e kampionateve janë të premte, të shtunë dhe të diel , e enjtja është dita e sportit hipokrizisë në parlament. Sepse në kulmin e hipokrizisë çdo të enjte flitet për varfërinë këtu, por të premten ka disa këtu që nisin fundjavat jashtë vendit, për pushimet jashtë vendit, e ka ca të tjerë fëmijët e të cilëve thyejnë rrjetin me foto luksi, nga vende luksi, me pushime luksi. Ka shqiptarë të varfër, sigurisht. Por ju kërkoni t’i varfëroni shpresën, ju kërkoni të varfëroni besimin. Sepse në llumin e padrejtësisë, ju fitoni. Jeni kampionët e padrejtësisë.

Pa harruar që jeni qeveria e kaluar gjithsesi, që zhytët vendin në një borxh që kapërcente 720 milion dollarë, në krizë ekonomike, në varfëri. E nëse të jesh kryefamiljar e të zhysësh familjen në borxhe se i harxhon paratë në lloto, në baste apo në qejf është e padenjë të jesh Kryeministër, të jesh në qeveri, e të zhysësh vendin në borxhe, kjo të bën akoma më shumë të padenjë dhe sigurisht aspak për t’u mburrur.

Jeni qeveria e kaluar me pasiguri për biznesin, me pasiguri për sipërmarrësit, me frikën e taksidarëve ngjyra-ngjyra që shfaqeshin derë më derë - dhe jo për taksat por për gjobat e pushtetit. Pasiguri për qytetarin, në shtëpi, në rrugë e kudo. Padrejtësi për të gjithë, në tutelën dhe mbështetjen tuaj, të ish-qeverisë deri te qytetari më i fundit i Republikës. 

Ekonominë e mbyllët me klientelizëm, me monopole, me korrupsion. Të bëje biznes kishe sa hallin e taksave, po aq dhe të përqindjes së gjobës që të vinte për shkak të pushtetit. E sot, po ju (qeveria e kaluar) jo vetëm shpifni këtu, por bridhni dhe nuk keni lënë ambasadë apo kancelari të huaj, nuk keni lënë  e-mail dhe adresa e-mail mediash në botë duke nxirë vendin tuaj si mos më keq. Duke quajtur Shqipërinë "Kolumbi". Duke quajtur shqiptarët "kolumbianë", shqiptarët që ju i latë në varfëri, të varfër për shkakun tuaj dhe ju i quani "kolumbianë". Nga ai medemek Presidenti i Republikës, shërbëtori më i panevojshëm në fakt i Partisë tuaj, e deri te më i fundit deputet këtu në Parlament.

Ky sigurisht nuk është buxheti i mrekullive. Nuk mund të jetë, pasi nuk është asnjë i tillë. Por është buxheti më i mirë për punët që kemi nisur dhe për punët që duhet të bëjmë. Nuk është buxhet i rastësishëm, është falë reformave që kemi ndërmarrë në këto tre vite deri më sot, për të cilat ju nuk keni lënë vend pa u çjerrë. Duke filluar me kundërshtitë që kishit për pagesën e energjisë elektrike. Duke vijuar me taksimin e ndershëm. Me zerimin e taksave për biznesin e vogël. Me reformën territoriale. Me reformën e tokës. Me reformën e ujit. Me reformën në shëndetësi. Me reformën në arsim ... që të gjitha. Pa harruar sigurisht edhe reformën në sistemin e sigurisë. Por produkti i këtyre është ky buxhet. Sepse për gjithçka kemi ndërtuar sot, po mbi të gjitha për gjithçka duhet të bëjmë në vazhdim, ky buxhet i jep frymëmarrjen financiare të nevojshme.

Dhe sigurisht ky nuk është buxheti i mrekullive, e përsëris, sepse nuk mund të jetë dot as këtu dhe nuk është në asnjë vend. Por ky ka një detyrë. Unë nuk i kam për qejf shifrat e mëdha por një gjë mund ta them shumë me bindje. Ky është buxheti i një pune të madhe që duhet ta bëjmë sa më shpejt: reformën në drejtësi. Prandaj ky është buxheti i reformës në drejtësi. Buxheti i drejtësisë.

Qytetarët sot duhet ta dinë se ky buxhet financon mekanizmin që do të pastrojë sistemin në Prokurori dhe në Gjyqësor nga prokurorët dhe gjyqtarët e korruptuar. Pra ky është buxheti për reformën në drejtësi, kaq e thjeshtë është kjo. Reformë, që sot është bllokuar falë jush dhe që nuk po e lëshoni akoma.

Në fakt ka 25 vite që drejtësia blihet me para. Këtë e dimë ne, e dinë shqiptarët, e dini ju, pavarësisht se ju nuk i flisni.  Madje çuditërisht na sugjeruat të lanim gojën kur përmendnim gjyqtarët e korruptuar, çka sigurisht do të thotë të lajmë gojën ne kur i përmendim e të pastrojnë xhepat qytetarët kur paguajnë për drejtësinë.

Ka 25 vite që pesha e drejtësisë varet nga pesha e lekëve, nga pesha e pushtetit. Dhe disa ndër ju këtu janë prova e gjallë se si drejtësia nuk funksionon. Disa ndër ju që janë ende deputetë, janë prova e gjallë se si drejtësia korruptohet nga paratë dhe nga pushteti. Mund të jesh i varfër sot, ke bërë një çati pa leje - dhe dënohesh. Por mund të jesh i pasur aq sa ke bërë edhe kate pa leje në një pallat apo edhe pallat pa leje - e nuk dënohesh. Mund të vjedhësh toka - e nuk dënohesh. Mund të të marrin tokën, shtëpinë, pensionin, ushqimin për fëmijën - e nuk merr drejtësi, pa paguar para nën dorë.

Mund të jesh punonjës në administratë - e shkon para drejtësisë në qoftë se korruptohesh. Po mund të jesh gjyqtar - e nuk të hyn gjemb në këmbë në rast se vjedh për të dhënë drejtësinë, në rast se korruptohesh për të bërë padrejtësi. Madje mbrohesh nga medemeku "Presidenti i Republikës".

Mund dhe të promovohesh nga medemek "Presidenti i Republikës". Mund të të japin një titull përkatësie në ato medemek "shoqata gjyqtarësh" që i keni bërë si seksione të Partisë Demokratike. Të të nxjerrin dhe në televizion për t’ia përplasur publikut arrogancën e gjyqtarëve të korruptuar.

Dhe Partia Demokratike të mbron në parlament me filozofinë "anëtarët e bandës mbrojnë anëtarët e tjerë të bandës". Në mbrojtje të atyre gjyqtarëve të korruptuar nga paraja dhe pushteti për shërbimet që kanë bërë, në pritje për shërbimin e radhës, duke bërë korrupsionin e radhës.

Sot ky buxhet ka një propozim themelor, që sipas meje qëndron mbi gjithçka tjetër. Kjo Qeveri ka vendosur të sjellë në parlament për miratim këtë buxhet që me taksat e qytetarëve ka vendosur të financojë mekanizmin që pastron sistemin e drejtësisë nga prokurorët dhe gjyqtarët e korruptuar. Kjo është kaq e thjeshtë. Pra, është një buxhet për të financuar reformën në drejtësi.

Unë kam një pyetje. Buxhetin e reformës në drejtësi, që pastron prokurorët dhe gjyqtarët e korruptuar, ju do e votoni apo nuk do e votoni? Jeni me gjyqtarët e korruptuar? Apo jeni me shqiptarët që duan më shumë se gjithçka tjetër që, drejtësia të funksionojë pa para, pa presione? Ju mund të keni sigurisht kundërshti për mënyrën se si do pastrohen prokurorët dhe gjyqtarët e korruptuar. Pavarësisht se unë besoj që ky është preteksti i radhës për të mos u bërë kurrë reforma në drejtësi.  

Po ju nuk keni qenë (të paktën në nivel deklarativ) kundër qëllimit. Në qoftë se nuk jeni kundër qëllimit, zgjidhja do gjendet për mekanizimin si do bëhet. Por, të paktën, votoni mekanizmin financiar me anë të të cilit kjo do bëhet e mundur. Pra, këtë buxhet, që është buxheti për të pastruar sistemin e drejtësisë nga prokurorët dhe gjyqtarët e korruptuar.

Tani ju do e votoni këtë apo nuk do e votoni? Jeni me gjyqtarët e korruptuar apo jeni me qytetarët? Ndajeni këtë dhe votoni për buxhetin pastaj.

Dhe sigurisht ka shqiptarë të varfër. Po varfëria më e madhe është padrejtësia. Varfëria është e padrejtë, por padrejtësia të varfëron vazhdimisht. Prandaj ishte e padrejtë (dhe kjo është më e pakta) kur ishit në qeveri banesat sociale ia shpërndanit familjarëve të pushtetarëve. Rekordmeni i paaftësisë ky medemeku tjetër që e keni për kryetar partie nuk shpërndau asnjë banesë sociale në Bashkinë e Tiranës. Pavarësisht se Edi Rama ia la gati mbi 500 të tilla.

Ishte e padrejtë (dhe kjo është më e pakta) kur përzgjidhnit me klientelë, me para apo me kërcënimin e votës, të drejtën për të legalizuar shtëpinë. E as legalizonit shtëpi në fakt. Legalizonit vetëm biznese, sepse aty kishte para. Ishte e padrejtë, dhe kjo është më e pakta: të mos i jepje fshatarit certifikatën e tokës, dhe ta ktheje hipotekën në pengmarrësin e institucional.

Ishte e padrejtë dhe kjo prapë është më e pakta: t’i merrje taksa më shumë të varfrit sesa të pasurit. Të taksoje më shumë atë që merrte 200 mijë lekë rrogë sesa atë që kishte pagën 1 milion lekë.  Ishte e padrejtë dhe kjo prapë është më e pakta: të mos paguanin energjinë elektrike bizneset e mëdha.

Ata që njihnin ndonjë ministër, ndonjë drejtor dhe që korruptonin administratën dhe pastaj korruptonin politikën sepse politikës i duheshin që të vidhen prapë votat. Dhe nga ana tjetër, ta paguanin rregullisht pensionistët dhe qytetarët e ndershëm.

Ishte e padrejtë dhe shkatërrimtare një shtet që rronte duke u majmur mbi kurrizin e atyre që rronin duke u varfëruar. Një shtet që ndëshkonte të ndershmit dhe mbronte pandershmërinë, që promovonte shkeljen e ligjit dhe e quante të tepërt ta respektoje. Ishte e padrejtë dhe kjo është prapë më e pakta: të ishe i varfër e të merrje ndihmë ekonomike 15 mijë lekë.

Ndërkohë sa më shumë afroheshin zgjedhjet aq më shumë shtohej lista e paguheshin dhe pakësoheshin lekët. Ishte e padrejtë që ilaçet kushtonin më shtrenjtë në Shqipëri sesa në çdo vend tjetër të Bashkimit Europian. Që një vizitë te mjeku i familjes të kushtonte aq lekë sa mund të mos e përballoje dot, sepse përndryshe as nuk vizitoheshe.

Ishte e padrejtë që shëndetin ta gëzoje me kushtin që të ishe i pasur. Ishte e padrejtë dhe kjo është prapë më e pakta: që arsimin ta kishe të barabartë me xhepin. Dijen të barabartë me çmimin e diplomës. E padrejtë: që mund të ishe student pa investuar meritën, pa investuar mendjen, por duke investuar paratë, ndonjëherë rrotat e makinës, ndonjëherë ndonjë thes me miell e si do të vinte në varësi të preferencës. 

Ishte e padrejtë dhe kjo është prapë më e pakta: të ishe punonjës në shtet, të kishe pagë jo të mjaftueshme dhe mbi të gjitha jo dinjitoze. Një pagë që më shumë të turpëronte dhe ndonjëherë të kriminalizonte, duke i hapur rrugë korrupsionit, sesa një pagë që të shpërblente meritën dhe të kthente mbrapsht dinjitetin.

Në 3 vjet, kjo qeveri ka shpërndarë qindra banesa sociale, vetëm për të varfrit, jo për fëmijët e pushtetarëve. Nuk ka ndodhur. Dhe pas 5 vjetëve, edhe ato që nuk dha medemeku i PD-së, kur ishte kryetar bashkie, sot janë në duart e familjeve në nevojë. Kjo është e pamjaftueshme sigurisht, por është akoma më shumë seç ishte dje. Dhe mbi të gjitha është e drejtë.

Në këto 3 vjet janë bërë gati 100 mijë legalizime. Ka nevojë për më shumë. Janë 5 herë më shumë seç keni bërë ju në 8 vjet. Nuk janë mjaftueshëm. Por të paktën është e drejtë dhe jemi në rrugën e duhur.

Sot të varfrit taksohen më pak, në mënyrë më të ndershme. Ata që kanë pagë më të ulët taksohen më pak sesa ata që kanë pagë më të lartë. sot ndihma ekonomike shkon deri në 80 mijë lekë të vjetra për familjet në nevojë të cilat nuk e marrin për merita elektorale. Por ata që janë vërtet në nevojë dhe në vështirësi ekonomike.

Në 3 vjet, ilaçet nuk taksohen më dhe sot kushtojnë më lirë. Sot, të bësh një vizitë, nuk ke pse të paguash, por merr shërbim falas. Kjo sigurisht nuk është ajo që duhet. Nuk është ajo që duam ne për shëndetësinë por është një hap shumë i madh përpara në raport me atë që gjetëm.

Kjo nuk zhduk varfërinë por është sigurisht e drejtë. Eshtë mënyra më e mirë për të luftuar varfërinë që ndoshta s’e arrijmë dot sot, as brenda natës, as brenda muajit, as brenda një viti dhe as brenda një mandati. Por është varfëria që kemi trashëguar e mbi të gjitha, rruga më e mirë për të ecur përpara për të zhdukur pabarazinë sociale.

Sot energjia nuk është më një mall pa zot, por një e mirë publike për të cilën paguajnë që të gjithë pa dallim. Sot nuk ka më të pabarabartë. Me ca që nuk e paguanin energjinë për shkak të lekëve, për shkak të muskujve, dhe ca të tjerë që e paguanin. Edhe për ata që s’e paguanin madje.

Sot, të punosh në administratë, me buxhetin e ri, do të thotë të paguhesh më shumë. Shumë më shumë se në të kaluarën. Janë në këtë buxhet, 100 milionë dollarë, vetëm për rritjen e pagave dhe pensioneve. Ndërkohë, falë taksimit të ndershëm, ajo që i mbetet qytetarit në xhep, atij që punon në administratë apo pensionistit, shkon në vlerën 240 milionë dollarë.

Ju gjithsej në 8 vjet, të shpërndara në kohë, keni arritur në 124 milionë gjithsej. Ne, brenda një viti, në 240 milionë. Eshtë më shumë se dyfishi, dhe kjo falë këtyre reformave në këto 3 vjet.

Dhe shifrat, edhe këto që thashë unë, janë shumë më të forta sesa shpifjet tuaja.

 E për ta bërë shumë më të thjeshtë, po ju marr shembullin e një punonjësi policie, për të cilin ju dyzoheni në fakt. Njëherë i quani banditë me uniformë, njëherë i quani çunat e Sajes, njëherë i quani punonjës policie të ndershëm për të cilët ju keni vlerësim, por pastaj harroni dhe i quani prapë banditë dhe çunat e Sajes e kështu me radhë.

Një punonjës policie paguhej jo më shumë se 420 mijë lekë në kohën kur ishit ju në qeveri. Ndërkohë, ne, që vitin e parë i rritëm pagat me 25% dhe prapë do rriten vitin tjetër me buxhetin e ri. Dhe do të thotë që një punonjës policie i rolit bazë do ketë një pagë diku te 690 mijë lekë.

Po e njëjta gjë për infermierët, mjekët, mësuesit, profesorët, për të gjithë rrogëtarët dhe për pensionistët. Dhe po flas vetëm për policinë në fakt, sepse besoj ju keni shumë arsye për t’u turpëruar për gjendjen ku e latë dhe keni shumë arsye të heshtni sot, meqë nuk gjeni dot forcën ta mbështesni policinë.

Buxheti i vitit 2017 ka investime 145% më sesa buxheti i vitit 2013, përsa i përket Policisë së Shtetit. ju që sot bëni sikur vuani nga fatkeqësitë natyrore, madje bridhni shtëpi më shtëpi e kopsht më kopsht, sa herë që del ndonjë lum jashtë shtratit – ju e latë fondin e Emergjencave Civile me vetëm 520 dollarë! T’ju mbledhësh të gjithëve ju që jeni bashkë këtu, rrezik në xhepa ju gjen më shumë. E latë me vetëm 520 dollarë!

Ndërkohë që edhe borxhe të pashlyera nga qytetarët që ishin përmbytur dhe u takonte dëmshpërblimi, latë borxh mbi 20 milionë dollarë.

Ndërkohë që pagat e policisë i ulët me 4% në vitin 2011. Për të mos folur pastaj për policë të paveshur, me uniforma skandaloze, të patrajtuar, në punë, dhe pa trajtimin ditor, të lënë në rrënimin më spektakolar që mund t’i bënte një Qeveri, Policisë së Shtetit.

Të tradhtuar nga ata që qeverisnin, që më shpejt shisnin policët para shkelësve të ligjit, sesa i mbronin! Trashëguam policinë më të pashkolluar, më të moshuar dhe më të paktë në numër, në krahasim me çdo vend të BE-së.

Një polici që nuk punonte dot për shkak të tradhtimit; për shkak të mungesës së mbështetjes nga qeveria. Prandaj pandëshkueshmëria, jo sipas nesh, por sipas BE-së, ishte kthyer në sistemin më të kalcifikuar në Shqipëri.

Prandaj drejtësi nuk kishte dhe as ka ende. Prandaj gjyqtarët e korruptuar u promovuan dhe sot janë ende në mbrojtjen tuaj.

Unë po e përsëris dhe besoj kjo është më e rëndësishme se çdo gjë tjetër: Ky është buxheti që financon reformën në drejtësi.

Ky është buxheti që financon mekanizmin për të pastruar prokurorët dhe gjyqtarët e korruptuar.

Ky është momenti kur ju duhet të ndani mendjen: - jeni me gjyqtarët e korruptuar, apo jeni me qytetarët!

Faleminderit!