Postuar më: 22 Dhjetor 2016

"Mbroni gjyqtarët e korruptuar, që të mbroni veten për ç'keni bërë 8 vite në qeverisje"

Fjala e ministrit të Punëve të Brendshme Saimir Tahiri në seancën parlamentare - 22 Dhjetor 2016:

I nderuar Kryetar,

Të nderuar deputetë!

Në fakt nuk e kisha bërë ndërmend që të flisja, po dëgjova interpelancën e z. Blushi. Për fat të keq e kam dëgjuar edhe herët e kaluara në parlament. E nuk jam lodhur t’i kthej përgjigje Saliut për hashashin. Nuk lodhem t’i përgjigjem as Benit, po për të njëjtën çështje. Pavarësisht se ndjehem shumë thellësisht i dëshpëruar, po them, dhe i zhgënjyer sesi këtu në parlament mund të ciklohen të njëjtat shpifje, edhe nga njerëz që deri dje mund edhe mos ta prisje fare.

Këtu problemi nuk është çfarë raporti kemi ne me të vërtetën. Se këtu gara qenka sesa mund të fitojmë me shpifjen. E mua për këtë më vjen shumë keq. Po një gjë është shumë e sigurt: Saliu është komplet i pakonkurrueshëm, në aftësinë e vet për të shpifur, për të hedhur baltë, për të gënjyer, për të akuzuar, për të vënë përpara me lloj-lloj fyerjesh cilindo që ka një detyrë dhe bën një detyrë në këtë qeveri.

Po akoma më e papranueshme është kjo, pra në qoftë se Sali kuptohet. Akoma më e papranueshme është kjo, edhe për Blushin dhe këdo tjetër, që përpjekjen për të imituar Saliun, është gati të thotë gjithçka. Mjafton të drejtojë gishtin ndaj Kryeministrit Rama, ndaj nesh, ndaj mazhorancës, pa kursyer asgjë. As ato gjëra për të cilat shpesh herë jemi mbledhur me njëri-tjetrin për t’i dënuar e për t’i përçmuar si modeli që nuk duhet të përfaqësojë as ne e mbi të gjitha as qytetarët.

Kam dëgjuar shumë shpesh se e rendisin luftën tonë kundër kanabisit si një çështje për të cilën duhet të turpërohemi. Po unë nuk e kuptoj me cilin standard maten sukseset në këtë vend? Mos do ishte më mirë as të mos e luftonim, as të mos merreshim me këtë çështje, as të mos luftonim Lazaratin dhe as në çdo cep të Shqipërisë - se Shqipëria ka qenë plot e mbjellë, historikisht me kanabis.

Ajo që ka munguar ka qenë lufta. Ato që kanë munguar kanë qenë rezultatet. Mos ishte më mirë të mos bënim gjë?! Askush s’do fliste. Askush s’do merrej. Dhe të vetmit të fituar do ishin trafikantët. Dhe të humburit do ishin qytetarët dhe e ardhmja. Cila do ishte më mirë?! Cila është alternativa që propozon Saliu, propozoni ju, që thotë edhe Beni?

Mos do ishte alternativa më e mirë të mos merreshim fare? Të bënim dhe ne siç bënin qeveritë e kaluara? Ta linim Shqipërinë plot me kanabis? Të mos bënim asgjë, as mos ta trajtonim si problem, të fshihnim kokën?  Madje akoma më keq ta merrnim politikisht në mbrojtje atë që ndodhte.

Jo, ne nuk zgjodhëm këtë. Ne zgjodhëm rrugën më të vështirë: ta luftonim fenomenin. Ne zgjodhëm rrugën më të vështirë, të vetëpërballeshim me këtë çështje. Dhe të flisnim në publik për këtë çështje. Dhe t’i bënim me dije qytetarët, që po, e kemi këtë problem. E të punonim bashkë me ta për ta trajtuar këtë çështje.

Do ishte kollaj ndoshta të bënim dhe ne siç bënte Saliu, të mos merreshim fare.

Ne nuk e zgjodhëm këtë rrugë. Zgjodhëm rrugën më të vështirë. Por kjo është rruga më e drejtë. Kjo është rruga e duhur për ta çuar Shqipërinë aty ku duhet. Dhe mbi të gjitha për të garantuar që  fëmijët tanë të rriten në një Shqipëri më të sigurt dhe më të begatë.

Kam dëgjuar shumë teori për Balilin. E fundit që dëgjova sot është që Balili është i LSI-së, prandaj nuk e arrestojmë. Këtu dallon Blushi ndaj Saliut. Saliu thotë në fakt se Balili është i joni prandaj nuk e arrestojmë. E mban Edi Rama. Blushi ka një histori tjetër. E minimizon. E mbajmë po ne, por për shkak se është i LSI-së.

Kjo është abuzive në fakt. Është abuzive dhe ky parlament e ka bërë rrugë t’i sjelli kriminelët në foltoren e parlamentit. Ky parlament e ka kthyer në rrugë të bëjë politikë me çdo lloj krimineli. Ky parlament e ka kthyer në rrugë të drejtoi gishtin ndaj Kryeministrit, ndaj ministrave, ndaj mazhorancës, ndaj deputetëve edhe atëherë kur policia i arreston.

Klemend Balili nuk ka rëndësi fare i kujt partie është. Nuk ka asnjë lloj rëndësie. Mund të ishte edhe i PS-së, madje. S’ka fare rëndësi. Klemend Balili ka rëndësi që është hetuar. Është përgjegjës përpara ligjit dhe do arrestohet një ditë e më parë. Kjo është ajo që besojmë ne. Kjo është mënyra si e bëjmë  punën. Kjo është mënyra si e konceptojmë raportin tonë me ligjin dhe kjo është mënyra se si konceptojmë detyrën tonë në raport me ata që shkelin ligjin.

Për ne, ata që shkelin ligjin nuk ka rëndësi çfarë tesere partie mbajnë në xhep. Ky është dallimi ynë me të kaluarën. Kjo është qasja jonë në dallim me qeverinë e kaluar. Nëse ju i mbronit për shkak të partisë, për shkak të politikës, për shkak të votave, ne nuk mbrojmë kërkënd, i çojmë përpara ligjit, sepse për ne janë të gjithë të barabartë përpara ligjit.

Policia Shqiptare këtë zotërinë e ka hetuar për muaj me radhë bashkë me oficerët e DEA-s, bashkë me partnerët grekë. Po mirë, po të donim ta mbronim a nuk ju shkon ndërmend që mund ta kishim njoftuar? Dhe mund ta kursenim.

A nuk ju shkon ndër mend që mbase dhe s’e kishim hetuar? Sepse këtë bënit ju në të kaluarën, prandaj mendoni që e bëjmë ne. Kështu silleshit ju në të kaluarën, prandaj mendoni se sillemi dhe ne. Kjo është mënyra se si i trajtonit ju kriminelët në të kaluarën, sipas flamujve  partiakë. Këtë, ne nuk e bëjmë.

Dhe sigurisht më e pakta që mund të bëni është ta trajtoni një çështje të një individi, të një krimineli në raport me ligjin, në raport me hetimet, në raport me policinë, në raport me atë që duhet të japë llogari përpara drejtësisë, ta trajtoni si çështje politike.

Po mirë, unë kam një pyetje: sa latitantë ka në botë, të cilët presin të dalin përpara drejtësisë, në kërkim të vazhdueshëm nga policia dhe nga agjencitë e zbatimit të ligjit? Sa vite ju duhet ndonjë herë, sa dekada iu duhet ndonjëherë agjencive të zbatimit të ligjit për të arrestuar ata që janë në kërkim? E çfarë do të thotë kjo, që i merr politika në mbrojtje? Sa vite ju deshën CIA-s, DEA-s, agjencive të zbatimit të ligjit të arrestuar ‘Eskobarin e vërtetë’?  E çfarë do të thotë kjo, që e  mbronte Presidenti amerikan? E mbronte politika e Shteteve të Bashkuara të Amerikës? Sa vite i është dashur Policisë italiane, Prokurorisë Antimafia në Itali, agjencive të zbatimit të ligjit të arrestonin kokat e familjeve mafioze në Itali?

E çfarë do të thotë kjo që i mbronte politika? Sipas logjikës tuaj, kështu është! Sipas logjikës së Saliut, kështu është. Sipas asaj që dëgjova këtu nga Beni, kështu është!

Sipas nesh, jo! Sipas nesh është punë e vazhdueshme ditë për ditë e nuk do rreshtim asnjë minutë, asnjë orë, 24 orë të 7 ditë të javës, në çdo muaj dhe në çdo vit për të bërë atë për të cilën na kanë besuar qytetarët. Sepse kjo është detyra jonë. Dhe në dallim nga ju, për ne nuk ka rëndësi as tesera e Partisë, nuk ka rëndësi as flamuri i partisë, as përkatësia; për ne ka rëndësi vetëm një gjë: - barazia para ligjit për të gjithë ata që shkelin ligjin.

E më vjen çudi si flisni për reformën në drejtësi, si flisni për vetting-un.

Dëgjova dhe Benin që foli këtu se s’paska rëndësi Vettingu. E kur vjen puna te çështja e Lulzim Berishës, nuk i përmendni këta gjyqtarët. Çfarë standardi keni?! Në raport me të vërtetat që publiku i di. Vetëm ne këtu në sallë na duhet të bëjmë rolin e idiotit. Me njerëz që dalin këtu e flasin e nuk e çojnë gishtin tek e vërteta por fshihen e rrotullohen, përplasen mureve vetëm e vetëm që gishtin e përgjegjësisë ta drejtojnë o tek Kryeministri, o te mazhoranca në tërësi. Por kurrë aty ku duhet.

Por mirë, këta gjyqtarët, që për një njeri që ka bërë 5 vrasje, i ulën dënimin me më pak se gjysma – a kanë përgjegjësi këta?! Këta gjyqtarë që dënimin e përjetshëm e bënë 25 vjet burg e pastaj nga 25 ka vuajtur më pak se gjysmën, nuk janë përgjegjësit? Pse i mbroni këta gjyqtarë? Për cilën arsye i mbroni gjyqtarët që e liruan? Për cilën arsye ju duhet një viktimë politike që kësaj radhe qenka Vangjushi dhe Edi Rama dhe nuk përmendni gjyqtarët? Pse i merrni në mbrojtje gjyqtarët? Pse refuzoni vetting-un? Pse nuk ju duhet reforma në drejtësi?

Dhe kjo që bëni me kriminelët është më e pakta. Juve ju duhet për t’ju mbrojtur ju, dhe gjithçka keni bërë në 8 vitet e kaluara. Dhe shkoni flitsi me shqiptarët për drejtësinë që presin. Shkoni drejtojuni shqiptarëve për drejtësinë që duhet të marrin. Shkoni flituni për 25 vjet padrejtësi që e vuajnë në kurrizin e tyre duke i përplasur derë më derë.

Dhe nuk marrin dot drejtësi pa pasur para, apo pa pasur muskuj, apo pa ju trokitur juve në derë! Ja prandaj i merrni në mbrojtje ju gjyqtarët. Prandaj nuk doni Vetting-un. Prandaj nuk doni reformën në drejtësi. Prandaj fshiheni e shpikni çdo lloj historie politike. Prandaj sulmoni këtu në parlament, pa kursyer as familjarët tanë, vetëm e vetëm për të mbrojtur gjyqtarët, imuniteti i të cilëve është imunitet për ju!

Dhe unë këtë mund ta pranoj nga Saliu, mund ta pranoj dhe nga ju, por deri dje nuk e pranoja dot nga Blushi. E kjo është e pafalshme.

Para qytetarëve sot, para historisë dhe mbi të gjitha para fëmijëve tanë. Kjo është e pafalshme. Ndaj mblidhni mendjen e bëni atë që duhet të bëni.

Faleminderit!

Replika e ministrit Saimir Tahiri me deputetin Berisha dhe përgjigje për disa akuza, në Parlament:

Asnjë surprizë në fakt. Bërë kronikën e zezë (Berishës). Bëre parashikimin e motit. Bëre atë seancën e filxhanit. Lëshove disa urime dhe disa mallkime. Po mirë si nuk fole njëherë, një llaf, ta thoje për Reformën në Drejtësi? Për vendimin e Gjykatës Kushtetuese për t’i hapur rrugën Vetting-ut? Si ka mundësi një ngjarje të tillë, me rëndësi madhore për vendin, për qytetarët, po si ka mundësi zotrote nuk i kushtove një fjalë?

Ti, mjeshtër i fjalës dhe thashethemit. Ti, artisti i imagjinatës deri te vrimat më të zeza. Si ka mundësi nuk lëshove një fjalë për Vetting-un? Si ka mundësi nuk the një fjalë për Reformën në Drejtësi, ti që nuk lë llaf pa sharë Kryeministrin, mua, kolegët e mi, deputetët e mazhorancës, familjet tona. Dhe s’ka problem, ne t’i durojmë si kusur të natyrshëm të të qenit tënd këtu në parlament. Po si ka mundësi nuk the një fjalë për Vetting-un? Si ka mundësi nuk the një fjalë për Reformën në Drejtësi?

E ke një problem, përderisa u detyrove të bëje një xhiro të tërë llafesh dhe thashethemesh e nuk e the një gjysmë fjale. Nuk të lëshoi gryka një gëk për reformën në Drejtësi dhe për ligjin e Vetting-ut. Si e ke hallin?

Çfarë gjë kaq e madhe të mbylli gojën sot? Cila gjë kaq e fortë të heshti sot? Ti, burri që flet çdo gjë dhe vetëm për Reformën në Drejtësi dhe Vetting-un sot nuk fole? Si ka mundësi ti që shquhesh për guximin e fjalës, e nuk the sot një fjalë për Vetting-un? Çfarë ta mbylli gojën? Çfarë të heshti?

Bëhu burrë, çohu këtu dhe hajde fol. Çohu pra bëhu burrë edhe fol për Vetting-un! Pse nuk flet për gjyqtarët, për prokurorët, për të gjithë ata që për shkak të Vetting-ut nuk duhet të jenë më në sistemin e drejtësisë. Dhe kjo falë Vetting-ut. Çohu pse nuk flet për Reformën në Drejtësi dhe për Vetting-un! Për 25 vjet kusur që kanë mbi kurriz shqiptarët, kjo dhe falë teje, për gjyqtarët dhe prokurorët të korruptuar që nuk japin drejtësi po nuk ju tregove paratë. Që nuk japin drejtësi po nuk ju tregove lidhjet në pushtet. Që nuk japin drejtësi në rast se nuk gjejnë një shkelje syri te ty apo te kanakarët e tu.

Ja kjo është ajo që ta mbylli gojën. E nuk të del një fjalë për gjënë sot më të madhe. Shqiptarët kanë pritur çerek shekulli. Ti që i bën thirrje ëndrrave të shqiptarëve të viteve ’90 dhe po ti që mbolle padrejtësinë më të madhe në këto 25 vjet, pse nuk del këtu të flasësh për Reformën në Drejtësi?

Ëndrrat e shqiptarëve të viteve ’90 ishin për të bërë një vend më të begatë, një vend më të drejtë, ku drejtësia të mos jetë monopol i disave.

Ku padrejtësia të mos jetë rregulli. Dhe ti nuk çohesh. Ti nuk u çove të flasësh as për Reformën në Drejtësi, as për Vetting-un. U përpoqët ta vononit. U përpoqët ta bllokonit. U përpoqët ta deformonit. Përdorët gjithë mekanizmat në dëshpërimin e fundit, donit të përdornit dhe mekanizmat që keni brenda sistemit gjyqësor. Sot pse s’flisni? Minimumi angazhojuni këtu, bashkë me ne që po Reformën në Drejtësi do ta çojmë përpara bashkë.

Tani që u zhbllokua dhe ligji i Vetting-ut, Reformën në Drejtësi do ta çojmë përpara se tani fillon historia e vërtetë. E tani na duhet të punojmë më shumë për ta bërë realitet. Unë nuk po të them që, fundja të bësh një apologji të tërë për nevojën që kemi për të pasur drejtësi. Po të paktën dil këtu në emër të Partisë Demokratike dhe angazhohu bashkë me ne për ta bërë realitet reformën në drejtësi. A do dalësh këtu Sali dhe të thuash po, Partia Demokratike angazhohet që ta bëjë realitet Reformën në Drejtësi.

Do dalësh këtu ta thuash apo jo? Pse nuk e thua? Ti që je më i gjindshmi i parlamentit për të shpifur për cilindo prej nesh. Makina ime me drogë, makina e Kryeministrit me drogë, makina e vëllait të Kryeministrit me drogë, vila aty dhe paratë atje. Në Kryeministri numërohen para e çfarë nuk ke thënë ti. Po mirë dakord. Ka drejtësi dhe ka institucione ky vend dhe ne duam që me Reformën në Drejtësi t'i japim drejtësinë e vërtetë qytetarëve shqiptarë.

A del këtu të angazhohesh se bashkë do ta bëjmë të mundur Reformën në Drejtësi. A do dali dikush nga ju këtu në emër të Partisë Demokratike të angazhohet publikisht, zyrtarisht për ta bërë realitet Reformën në Drejtësi? Ja këtë nuk bëni dot ju. Ju jeni gati të dilni këtu dhe të përdridheni edhe për skafet, edhe për makinat, edhe për drogën, edhe për hashashin dhe për të gjitha, nuk lini gjë pa thënë.

Po për Reformën në Drejtësi përse nuk dilni? Po për Reformën në Drejtësi përse nuk dilni? Si e keni hallin? Cili gjyqtar ju ka lidhur prej fyti? Ku jeni lidhur prej fyti? Të është bërë zakon të flasësh për shtëpinë e Edi Ramës. Mirë e bën fundja se të gjithë politikanët pasuritë duhet t’i kenë nën dritën e syve të publikut dhe mirë e bën pavarësisht abuzimit. Po Edi Rama e ka sqaruar zyrtarisht, publikisht historinë e shtëpisë së tij.

Po ti si nuk e sqaron historinë e shtëpisë tënde. Historinë e zyrës tënde. Historinë e vilës tënde në Gjirin e Lalzit. Ti si nuk i sqaron 12 shtëpitë e vajzës tënde që i bëri gjatë 3 viteve. Pse nuk i sqaron ti këto? Fole këtu për librat e Edi Ramës. Po mirë dakord ai i shkruan vetë librat, të mirë të këqij i gjykon publiku nuk i gjykon ti. Po këtu në këtë parlament i vetmi që i shkruhen libra për të birin je ti.

Askush nga ne. Kurrkujt në këtë parlament sot e 25 vitet e kaluara nuk ka njeri që t’i shkruaj libër për djalin. Nuk ka njeri. Je i vetmi ti, apo t’i bëjnë filma Hollywood-i? Je i vetmi ti. Po dil të paktën fol për Vetting-un dhe Reformën në Drejtësi. Lëri thashethemet, lëri mashtrimet, lëre baltën fundja. Mund të ketë hije një ditë, një lloj fisnikërie këtu në këtë podium, që të dalësh dhe të flasësh vërtetë për atë që presin qytetarët. Mund të ketë hije për çfarë ke qenë në këtë vend, detyrat që ke mbajtur dhe fundja për çfarë do të mbajë mend.

Por dil e thuaj një llaf për Reformën në Drejtësi. Dil thuaj një fjalë për Vetting-un. Se mua ma do mendja se nuk ndahemi kur vjen puna për të dënuar gjyqtarët e korruptuar, pavarësisht se ti kur të zëmë në gojë Gjin Gjonin, thua lani gojën. Po të paktën dil thuaj një fjalë.

Sot dua ta falënderoj Lulzim Bashën. Dhe s’e kam fare për ironi. Ta falënderoj se sot për herë të parë, në emër të PD, shkoi në Spitalin Ushtarak, pa një punonjës policie të plagosur në krye të detyrës, dhe i falënderoi punonjësit e policisë, duke iu garantuar mbështetje. Dhe dua ta falënderoj jo me ironi Lulzim Bashën, sepse është ajo që duhet. Shyqyr Zotit, erdhi dita, kur dhe ju falenderoni Policinë e Shtetit. Dhe faleminderit që e bëtë.

Por ndajeni mendjen! Ndajeni mendjen. Do falenderoni punonjësit e policisë, apo do i quani “çunat e krimit” këtu në këtë foltore? Ndajeni mendjen. Do falenderoni policinë apo do i quani “çunat e Sajes” këtu kur vini në këtë foltore? Do falenderoni sakrificat e policisë, apo do thoni që policia merret, ngarkon, mbjell, ruan, transporton kanabisin dhe drogën në vend? Ndajeni mendjen! Ndajeni mendjen!

Por unë gjithsesi dua ta falënderoj Lulzim Bashën, më në fund e kuptoi që policia është e denjë për të merituar falenderimet dhe mbështetjet e secilit në këtë parlament, dhe të atij që e keni lënë atje si sekretar partie! Po, është e denjë Policia e Shtetit. Kështu që mirëserdhët aty ku duhet, për të falënderuar dhe për të mbështetur Policinë e Shtetit.

Sot policia bërë një aksion shembullor, në ndjekje të një grabitësi të një makine në Lezhë. Një polic u plagos, dhe unë gjej rastin t’i uroj – shërim të shpejtë! Dhe mbështetja jonë shkon për të dhe për familjen e tij. Dhe gjithashtu të falenderoj kolegët e tij që bënë një detyrë të shkëlqyer, për të kapur në kohë rekord, atë që plagosi policin.

Se tani, ndryshe nga koha kur ju ishit në qeveri, kriminelët nuk ikin më në drejtim të paditur. Nuk ka më që: - bëj ç‘të duash në këtë vend, i kalon dhe nën hundë policisë, dhe nuk merresh vesh. Nuk ka më. Dhe ata që ju i përmendni emrin, Balili me shokë, të jeni shumë të bindur që është vetëm çështje orësh dhe ditësh, deri sa të kapet.

Sepse në këtë vend, me këtë qeveri dhe me këtë polici, nuk ka asnjë nga ata kriminelë që thoni ju, që mund të mbetet larg nga duart e drejtësisë. Kjo është e sigurt dhe ky është dallimi ynë i madh me policinë që ishte dje. Ky është dallimi ynë i madh me qeverinë që ishte dje. Ky është dallimi ynë i madh me mënyrën se si ju bënit punët, me mënyrën se si bëjmë ne punët!

Sa për Agron Sojatin, meqë e përmende, unë kam detyrimin të mbroj çdo njeri që ka punuar në Policinë e Shtetit dhe çdo njeri që punon sot në luftën, veçanërisht në përpjekjet tona të përbashkëta me SHBA, për të luftuar terrorizmin.

Agron Sojati është emëruar prej meje drejtor i Drejtorisë së Antiterrorit. Është emëruar në konsensus të plotë me partnerët amerikanë, sepse është një drejtori e krijuar me ta. Një drejtori që e kam gjetur me 7 oficerë gjithsej dhe është me 110 oficerë sot. Drejtoria Antiterror më e madhja në rajon. Që ka kyer operacione të shkëlqyera për të cilat kemi marrë falenderime të partnerëve tanë. Dhe janë operacione inkurajuese, për atë që duhet të bëjmë në vazhdim.

Agron Sojati nuk ka ikur nga policia, as me shkarkim, as me masë disiplinore, asgjë. Agron Sojati ka ikur në një detyrë akoma më të rëndësishme pranë Kryeministrit. Që është krijimi i Qendrës Rajonale kundër Radikalizmit të Dhunshëm. Edhe kjo me partnerët amerikanë. Edhe kjo madje me financimin e DASH. Dhe ti vjen këtu tani e thua që Agron Sojati qenka kriminel! Unë nuk e di. Unë dhe partnerët amerikanë nuk e ditkemi. Ju e dini. Në qoftë kështu, unë, Policia e Shtetit dhe partnerët amerikanë qenkemi jashtë linje. Qenke ti në linjë shyqyr zotit!

Dhe sa për hallin e madh që keni nëse e kam takuar unë Drejtorin e CIA-s apo jo... unë nuk jam nga ata që mburrem, me kujt i jap dorën nga ndërkombëtarët.

Dhe nuk jam nga ata që ngrefem apo shkrefem se kush ma shkel syrin, apo se kë ndërkombëtar takoj. Por për t’jua hequr kuriozitetin, unë e kam takuar në takimin kryesor me Kryeministrin e vendit dhe kemi shkëmbyer prioritetet madhore që kemi, Policia e Shtetit, agjencitë ligjzbatuese në vend dhe partnerët amerikanë në luftën kundër terrorizmit.

Ndaj boll abuzimeve dhe mos u merrni me çështje që nuk ju takojnë kur nuk keni aftësinë të kuptoni se të paktën në këto gjëra duhet të jemi bashkë.

Dhe e fundit, duhet të thoni dy fjalë për marrëveshjen për të cilën jemi duke diskutuar. Është një marrëveshje mjaft e rëndësishme, marrëveshje dypalëshe me SHBA-të, të cilat falë kësaj marrëveshjeje që kemi nënshkruar ne, kjo qeveri, i jep 3 milionë dollarë më shumë shtetit shqiptar, për të bërë të mundur implementimin e reformës në sistemin e drejtësisë.

Janë parà të taksapaguesve amerikanë, për të bërë të mundur implementimin e reformës në sistemin e drejtësisë. Do votoni pro, apo do votoni kundër kësaj marrëveshjeje?! Do votoni pro Reformës në Drejtësi, apo kundër? Do votoni pro, që ta çojmë përpara axhendën e Reformës në Drejtësi, apo kundër?

Dhe dilni këtu, mos u merrni as me mua, as me drogën, ose të paktën merruni edhe me këto, por kini guxim e nxirrni nga gryka një fjalë për reformën në sistemin e drejtësisë, Vetting-un dhe nevojën që kemi të gjithë bashkë për të bërë akoma më shumë që më në fund ta bëjmë realitet Reformën në Drejtësi.

Dhe mos lini Flamurin tani të përgjigjet, se as Lul Basha s’e mori në spital sot!