Postuar më: 19 Maj 2016

"Përgjimi"/Kush e shpëton sot Presidentin e Republikës? VIDEO

Video - Fjala e ministrit Tahiri në seancën plenare - 19 maj:

Të nderuar kolegë,
I nderuar Kryetar,

Është ngritur një furtunë e tërë prej të paktën një jave më së paku, me disa pretendime se Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia e Shtetit kanë operuar me një pajisje përgjimi. Imagjinata institucionale dhe politike e të gjithë atyre që mbajnë një post shtetëror të rëndësishëm dhe gjithë atyre tjerëve që kanë mbajtur në të kaluarën poste shumë të rëndësishme e sot janë deputetë, shkoi deri në hartim listash se “kush është përgjuar”, “pse është përgjuar”, “si është shkuar pas me përgjime për diversion” dhe rraqe politike. U ngrit një furtunë në gotë që lebetiti gjithë Shqipërinë.

Sot kjo çështje ka marrë (minimumi) një përthyerje tjetër, pasi nuk u kursye as Presidenti i Republikës të dilte publikisht dy herë, të vinte alarmin publik dhe t’u adresohej shqiptarëve e popullit të tërë se “ka një pajisje përgjimi të konfirmuar e kjo cënon sigurinë kombëtare” (siç tha presidenti).

Sot kjo çështje ka marrë një përthyerje. Eshtë Drejtori i Policisë Italiane i cili para disa ditësh informon Prokurorinë se nuk ka asnjë pajisje përgjimi. Se nuk ka pasur kurrë një pajisje përgjimi. Se nuk ka ndodhur kurrë që Policia Italiane të sjellë në Shqipëri një pajisje të paligjshme përgjimi. Se dhe ajo pajisje që ka ardhur në mënyrë të ligjshme nuk përmban as mundësinë teknike të bëjë përgjim. Se dhe ajo pajisje trajnimi për Policinë Shqiptare është një pajisje didaktike, e cila (edhe sikur të çmendet ndonjë operator) nuk mund të bëjë përgjim, se nuk përmban kapacitetin fizik të bëjë përgjim. Pra, Policia Italiane (deri dje, e nënkuptuar sipas jush, e përfshirë në këtë megaskandalin, se kështu i binte), nëse do ishte një pajisje përgjimi këtu, i binte që mirë ne “banditë”, por edhe ata “banditë”. Mirë unë “bandit”, po edhe homologu im në Itali “bandit”. Mirë Policia e Shtetit këtu e mbushur me “banditë”, por edhe ata mbushur me “banditë”, se qenkan shkulur italianët nga Italia këtu, për të përgjuar Saliun. Dhe Lulin (tjetër hesap ai). Ky skandal mori një përthyerje zyrtare, në një shkresë zyrtare, dorëzuar zyrtarisht në prokurori nga Ministria e Brendshme dhe Ministria e Jashtme italiane, nëpërmjet Ambasadorit italian në Shqipëri, drejtuar Prokurorisë.

Tani unë kam një pyetje për të gjithë ju: Kush do i dalë në mbrojtje Presidentit të Republikës? Se është në ditën e vet të hallit. Kush do e shpëtojë Presidentin e Republikës nga ky hall i madh që shkuli në alarm të madh e të vogël në Shqipëri se “është cënuar siguria kombëtare” sepse “Policia e Shtetit përgjon në mënyrë të paligjshme me një pajisje”?
Kur mësova në fakt që Presidenti i Republikës do dalë sot në një konferencë për shtyp a do bëjë një prononcim, mendova që do kërkojë ndjesë. T’u kërkojë ndjesë qytetarëve dhe të thotë “Më falni, u ngatërrova, ia futa kot!”, ose “Mora një informacion gojor dhe gabimisht dola dhe bëra një konferencë për shtyp e një prononcim më pas”. Por Presidenti sot nuk doli për këtë, por për halle politike të SHQUP-it.
Por unë kam një pyetje për këtë parlament: kush e shpëton sot Presidentin e Republikës? Si mund të rrijë ende në detyrë Presidenti i Republikës? Si mund të rrijë ende në detyrë kur doli dhe lëshoi alarmin se “Policia e Shtetit përgjoka në mënyrë të paligjshme” dhe këtë alarm e futi në çdo shtëpi, duke iu adresuar publikut? Ç’lloj Presidenti është ky që del në televizion dhe i thotë publikut “Është cenuar siguria kombëtare” dhe këtë e ka me thashetheme? Dhe tani që përgënjeshtrohet zyrtarisht (jo nga ne, sepse ne kemi qenë konsistentë ditë për ditë duke deklaruar që nuk ka pajisje përgjimi, por tani që autoritetet italiane e përgënjeshtrojnë), çfarë do bëjë presidenti?

Çfarë do bëjë Presidenti i Republikës?

Në të dy skenarët Presidenti minimumi duhet të dalë dhe të kërkojë ndjesë. Edhe në skenarin kur është gënjyer aq kollaj me informacione gojore dhe doli lëshoi alarmin madhor në publik që “është cënuar siguria kombëtare” (ky është skenari më i mirë: që është gënjyer). Ashtu edhe në skenarin akoma më të keq: që donte të gënjehej, në mos kontriboi vetë të përhapte këtë gënjeshtër në publik, ta thurte dhe ta përhapte, për të shpallur edhe njëherë luftën e radhës së SHQUP-it për të mos miratuar Reformën në Drejtësi. Kaq e thjeshtë është kjo.

E kuptoj deri diku drejtorin e Shërbimit Informativ kur thotë se ky është një tjetër skandal më vete. Drejtori i Shërbimit Informativ thotë: “Mua ma tha njëri. E pashë në internet në Google se çfarë ishte kjo pajisj. Dhe shkova ia thashë Presidentit. Se ishte thashethem i vogël dhe ishte tamam fiks për Presidentin. Thashethem i vogël...”. Po mirë. Unë një gjë nuk kuptoj kur Drejtori i Shërbimit Informativ edhe këtë mund ta bëjë.

Po Presidenti i Republikës (që ka detyrimin të lëshojë alarmin për kërcënimin e Sigurisë Kombëtare në publik vetëm atëherë kur çdo informacion është i verifikuar, dhe madje atëherë kur edhe Prokuroria heton) sot çfarë do të bëjë? Sot çfarë do të bëjë Presidenti i Republikës? Dhe mos u merakosni. Unë nuk e kam për te keq ndaj Presidentin e Republikës. Institucionin e Presidentit të Republikës e respektojë maksimalisht, por sot duhet ta shpëtojmë Presidentin. Më besoni.

Duhet të shpëtojmë Presidentin nga gënjeshtrat e vogla që i merr e i ha dhe del atje në publik dhe lëshon alarmin. Nuk di. Imagjinoni për një çast, të nderuar qytetarë, sikur Presidentit të Italisë t’i shkonte një fjalë në vesh që “Policia Italiane po përgjon në mënyrë të paligjshme” dhe vetëm me këtë llafin në vesh të dilte në konferencë për shtyp e të lebetiste të madh e të vogël në Itali se Policia Italiane po përgjon italianët. Mendojeni çfarë hataje e nivelit maksimal do ishte kjo për shtetin ligjor dhe për demokracinë në çdo vend. Këtu te ne? Kollajllik i madh! Dëgjon nga veshi Presidenti një informacion gojor dhe pastaj del në konferencë për shtyp dhe thotë që është cënuar siguria kombëtare. Po mirë, tani që nuk është cënuar siguria kombëtare, çfarë do ndodhë? Tani që Presidenti (pa dashje ndoshta, dua të besoj pa dashje) ia futi kot, çfarë duhet të ndodhë?

Të nderuar deputetë, ju që e keni dhe të partisë Presidentin e Republikës: është shumë e rëndësishme ta shpëtojmë Presidentin e Republikës. Që të mos na vërë më kambana alarmi për idiotësira nga më të ndryshmet që dëgjon, e që të mos ndodhë më që Presidenti i Republikës të lebetisë të madh e të vogël në republikën tonë me thashetheme që i dëgjon nga goja në gojë. Kjo nuk është punë për t’u bërë. Minimumi të priste hetimet e më pas të dilte, dhe secili të mbante përgjegjësitë siç i takon. Por unë nuk di se si do i ngelë fytyra tani Presidentit që ia futi kot. Doli aty dy herë dhe me garancinë e vet i tha shqiptarëve që është cenuar siguria kombëtare. Dhe tani çfarë do thotë? Gjithsesi një gjë është e sigurt: në rast se siç bëri këtë punë ka bërë çdo punë, atëherë i bie që Presidenti ka qenë pa punë. Po kjo është histori më vete.

Ajo që më shqetëson është nevoja politike për të kriminalizuar edhe aty ku nuk ka nevojë të kriminalizojmë. Dhe të ndysim mjedisin publik dhe qytetarët shqiptarë me kriminalizim të gjithkujt pa qenë aspak e nevojshme. Kujt i shërben që të krijohet kjo klimë e panevojshme kriminalizimi? Kujt i shërben që këtu në foltoren e Parlamentit, aty në podiumin e Presidentit, dhe në çdo lloj institucioni kushtetues, të drejtohet gishti publik ndaj kujtdo, për të kriminalizuar këdo? Kjo nuk i shërben njeriut.

Kemi miratuar një ligj në këtë parlament, që është Ligji për Pastërtinë dhe Integritetin e Figurës së Zyrtarëve Publikë (ose Dekriminalizimi, quajeni si të doni). Është ligj që e kemi miratuar edhe ne bashke me ju, i cili në mënyrë imperative vendos disa standarde të mjaftueshme për të gjithë ne. Kemi shkuar më larg se çdo eksperiencë tjetër europiane. Shumë mirë kemi bërë, ejani të mbahemi fort aty. Po kujt i shërben që, këtu në foltoren e parlamentit apo në foltoren e SHQUP-it, të hyjmë në presidencë? Kujt i shërben që të dalë secili (nga presidenti i Republikës deri te ai që të zëvendëson ty në SHQUP, ai Alibeu), të dalin dhe të kriminalizojnë këdo pa asnjë lloj lidhje?

Ka shumë rëndësi të ruajmë integritetin e atyre që kanë integritet, në mënyrë që të jemi të gjithë bashkë në gjendje të luftojmë ata që realisht integritet nuk kanë dhe janë të lidhur me krimin. Ka shumë rëndësi që të tregojmë shembuj pozitivë në këtë Parlament, dhe kurdoherë të flasim me publikun në mënyrë që, kur t’i drejtohemi fëmijëve, të rinjve dhe të rejave, burrave dhe grave që na dëgjojnë, t’u japim shembuj pozitivë si Republika mund të bëhet, si Shqipëria mund të bëhet. Dhe për këtë nuk ka nevojë që të jemi të gjithë bashkë në një thes kriminela, hajdutë e banditë. Unë e di shumë mirë që ndër deputetë të Partisë Demokratike ka plot njerëz që janë të ndershëm, burra e gra shumë të mirë, familjarë shumë të mirë, punëtorë shumë të mirë, në Parlament dhe jashtë Parlamentit. Dhe kjo nuk do të thotë që meqë paska te ju nuk mund të ketë kërkund tjetër dhe ne qenkemi të gjithë “banditë”, “qeveria me të gjithë banditë” e kështu me radhë. Nuk funksionon kështu. Është kjo arsyeja. Më vjen keq që nuk është sot këtu, por është kjo arsyeja që edhe kolegut tim Blushi ia thashë personalisht, ia them institucionalisht: nuk mjafton të denoncohet një gjë këtu në parlament, në foltoren e parlamentit. Nuk mjafton kurrë.

Ne duhet të japim shembullin tonë personal. Nëse ka diçka që realisht përbën vepër penale dhe duhet denoncuar, ekziston mundësia në Polici apo në Prokurori – dhe atje denoncohet. Në se këtu për hir të diskutimit politik duhet të kriminalizojmë gjithkënd – kjo nuk i shkon njeriut. Një rrugë ka. Dhe rruga është: të japim shembullin pozitiv ne këtu (nga njëra anë), dhe të forcojmë institucionet (nga ana tjetër).

E fundit, e gjithë kjo zhurmë maksimumi ju dha dhe një javë kohë për Reformën në Drejtësi.
Çfarë do bëni tani që ikën përgjimet? Do vazhdoni dhe pak kohë të gjurmoni parcelat e drogës? Se dëgjova njërin këtu që tha: “Policia e la që të mbilleshin 35 mijë rrënjë, po policia e shkatërroi”. Po mirë, ç’llogjike ka kjo për kë e dëgjon?! “E la Policia të mbilleshin 35 mijë rrënjë, se janë ortakë, po prap Policia e shkatërroi (!)”. Po ku ka njeri në këtë botë që mund ta hajë këtë llogjikë kaq banale: pra Policia e mbillka, policia e shkatërroka ?!
Jepuni fund këtyre historirave. Koha kur droga nuk luftohej në këtë vend ka marrë fund në Shtator 2013! Koha kur droga rritej dhe ju guduliste dhe hundët ka marrë fund në Shtator 2013! Koha kur Lazarati ujitej me mjete zyrtare të zjarrfikësve Gjirokastër ka marrë fund njëherë e mirë, dhe kjo nuk ndodh më. Koha kur partnerëve ndërkombëtarë ju u tregonit derën dhe u thonit “Dilni andej se këtu me ne s’bashkëpunoni” ka marrë fund njëherë e mirë në shtator 2013!
Dhe do Zoti nuk e thoni më që ne kemi kapacitetin të korruptojmë edhe EUROPOL-in. Do lebetisnit Europën (se mirë Shqipërinë e lebetitët). Se nëse Edi Rama e Saimir Tahiri paskan kapacitet të korruptojnë dhe EUROPOL-in dhe INTERPOL-in për të ndryshuar deklarata se kemi ne hall këtu në parlament, kjo pastaj është për të lebetitur edhe Europën, edhe botën.

Ndërkohë është e thjeshtë, shumë shumë e thjeshtë. Në qoftë se fituat një javë kohë me historinë e medemek “përgjimeve” e ju dha dhe ndonjë dorë Presidenti për ta çuar përpara e për të vonuar akoma Reformën në Drejtësi, çfarë do bëni? Se, në fund të ditës, nëse doni realisht të luftohet krimi, nëse doni realisht të bëhet shteti ligjor tamam ashtu si e presin qytetarët, nëse doni realisht që të ketë reformë institucionale dhe shoqëria të përpiqet të ndikojë dhe të kontribuojë që Shqipëria të bëhet më e drejtë, ejani të miratojmë Reformën në Drejtës. Në tavolinë e keni, ejani e miratojmë.  Pasi të iki unë? Shpresoj të mos jetë kusht zyrtar i SHQUP-it ky, shpresoj t’ju ketë dalë gabimisht. Sepse nëse do të nxirrni sërish kushte, qartë fare do të thotë që nuk e doni Reformën në Drejtësi! E nëse nuk keni kurajo të thoni “Ore nuk e duam këtë reformën në drejtësi”, të paktën mos e vononi me pretekstin jo “përgjim” e jo historira të tjera. Se lebetitët mirë Presidentin (se hajde s’ka problem, edhe ai pastaj me mend tuaja lebetiti Shqipërinë), po lebetitët shqiptarët dhe botën mbarë.

Faleminderit e gjithë të mirat.