Postuar më: 28 Qershor 2016

Përmirësimi i mekanizmit kombëtar të referimit në fushën e trafikimit te personave

Tiranë – Me iniciativën e Koordinatorit Kombëtar për Çështje të Luftës kundër Trafikimit të Personave Elona Gjebrea, në bashkëpunim me Qendrën Ndërkombëtare për Zhvillimin e Politikave të Migrimit (ICMPD), në kuadër të zbatimit të Projektit të ICMPD-së “Lufta kundër trafikimit të qenieve njerëzore”- Faza 2 (THB/IFS /2), financuar nga Bashkimi Evropian dhe i zbatuar nga ICMPD, në datat 28-29 Qershor do të zhvillohet workshopi multi-institucional “Për përmirësimin e Mekanizmit Kombëtar të Referimit dhe praktikat e mira në fushën e ndjekjes penale, hetimit dhe politikave gjyqësore”.

Aktiviteti dyditor do të ketë në fokus shkëmbimin e praktikave më të mira në fushën e ndjekjes penale, hetimit pro-aktiv dhe praktikave gjyqësore, rritjen e dënimeve, shkëmbimin e eksperiencave në përmirësimin e aftësive teknike të ekspertëve për të siguruar një qasje gjithëpërfshirëse për viktimat e trafikimit, si dhe forcimin e lidhjeve mes zbatuesve të ligjit, organizatave ndërkombëtare dhe shoqërisë civile të përfshirë në mbrojtjen e viktimave të trafikimit. Në këtë wokshop do të referojnë ekspertë të huaj dhe vendas me një përvojë të posaçme në çështjet antitrafikim, si dhe janë ftuar aktorë shtetërorë dhe joshtetërorë, përfaqësues të organizmave ndërkombëtarë dhe kombëtarë të përfshirë në zbatimin e MKR-së  dhe Strategjisë së Luftës kundër Trafikimit të Personave dhe Planit të Veprimit 2014-2017.

VIDEO - Fjala e Zv.Ministrit të Punëve të Brendshme dhe Koordinatorit Kombëtar për Çështje të Luftës kundër Trafikimit të Personave, Elona Gjebrea, në hapje të aktivitetit që zhvillohet në datat 28-29 Qershor në Tiranë: 

 

Të nderuar zonja dhe zotërinj pjesëmarrës,
përfaqësues të organizatave ndërkombëtare,
Z. Steve Harvey nga ICPMD , Koordinator Projekti, THB/IFS/2 Ekspert Lider,
përfaqësues të Policisë Metropolitane të Londrës,
përfaqësues Prokurorë nga Belgjika,
përfaqësues i Zyrës së Koordinatorit kundër Trafikimit të qenieve njerëzore nga Wells-i,

Faleminderit që jeni sot të pranishëm në këtë aktivitet dyditor të Ministrisë së Punëve të Brendshme, në bashkëpunim me ICMPD, për të bashkëpunuar më mirë për sa i përket Mekanizmit Kombëtar të Referimit, dhe për të ndjekur praktikat më të mira në fushën e ndjekjes penale, hetimit dhe politikave gjyqësore.

Do të doja të falënderoja në fakt të gjithë organizatorët e këtij aktiviteti. Dëshiroja që të shprehja dhe falënderimet dhe mirënjohjen  që Qeveria Shqiptare ka ndaj Bashkimit Europian, për ndihmën e vazhdueshme ndaj Shqipërisë në rrugën e forcimit të demokracisë dhe konsolidimit të shtetit të së drejtës.

Anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian mbetet një nga prioritet kryesore të Qeverisë Shqiptare. Ne jemi tërësisht të angazhuar të përmbushim të gjitha detyrimet e vendosura nga Bashkimi Europian për të arritur me sukses këtë objektiv.

Falenderoj dhe njëherë Qendrën Ndërkombëtare për Zhvillimin e Politikave të Migrimit (ICMPD) për kontributin konstant që i ka dhënë qeverisë shqiptare dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme, në mbështetje të iniciativave në luftën kundër trafikimit të personave. Ashtu sikurse është zbatimi i këtij projekti “Lufta kundër trafikimit të qenieve njerëzore”, i cili mbështetet nga të gjithë partnerët tanë. Ky workshop do vijojë gjatë dy ditëve dhe do jetë një ndarje praktikash mes prokurorëve këtu të pranishëm, gjyqtarëve të Krimeve të Rënda, dhe përfaqësuesve të Policisë së Shtetit.

Pritshmëritë e këtij aktiviteti i kemi të mëdha, pasi na duhet të forcohet më shumë puna e hetimeve dhe e të gjithë politikave gjyqësore. Jo më kot sot fjala e ditës është “reforma në drejtësi”. Ne mendojmë se pikërisht kjo reformë do sjellë një përmirësim të legjislacionit penal të Procedurës Penale, një bashkëpunim dhe trajtim më të mirë të viktimave të trafikimit dhe të të drejtave të njeriut, sikurse dhe rritje të hetimeve e procedimeve të suksesshme.

Gjatë gjithë punës sonë dhe bashkëpunimit ndërmjet tre hallkave shumë të rëndësishme si policia – prokuroria – gjykata, ne shikojmë shpeshherë vonesa. Ka çështje të cilat zgjaten mbi dy vjet, ose dhe pushime për shkaqe të ndryshme (zvarritje, mosndëshkim, qoftë edhe mosdëshirë për bashkëpunim nga ana e viktimave të trafikimit, mungesë e punonjësit social në Prokurori ashtu sikurse  e parashikon dhe Konventa e Këshillit të Europës, etj).

Në qoftë se do t’i referohemi statistikave të vitit 2015-të kemi vetëm 10 raste, 10 dënime gjatë vitit 2015-të nga Gjykata e Krimeve të Rënda. Ndërkohë që kemi rreth 60 raste të referuara nga Policia. Dhe në fakt ka një mospërputhje midis numrit të hetimeve që referohen nga Policia, atyre që regjistrohen nga Prokuroria dhe çështjeve që përfundojnë në gjykim. Të gjitha këto janë çështje të cilat dihen, janë përmendur në raportin e fundit të Këshillit të Europës. Qeveria Shqiptare mori lavdërime për sa i përket punës që kishte bërë në luftën kundër trafikimit të personave, por nga ana tjetër përveç lavdërimeve aty janë një sërë rekomandimesh të cilat duhet t’i kemi në konsideratë. Një nga këto rekomandime ka të bëjë pikërisht me forcimin e gjyqësorit dhe rritjen e dënimeve dhe hetimeve proaktive për sa i përket çështjeve të trafikimit të personave.

Shpresoj që ky workshop do të ndihmojë për të pasur praktika më të mira nga vende të cilat janë shumë përpara nesh, por dhe që kanë arritur të kenë një efikasitet e dënime të shpejta duke dhënë maksimalisht dënimet që u takojnë sipas ligjit trafikantëve të qenieve njerëzore.

Dëshiroj të them që Shqipëria do vijojë të luajë rolin e një partneri konstruktiv në të gjitha nismat e përbashkëta rajonale dhe europiane, për të pasur rezultate të prekshme në luftën kundër trafikimit të personave në Ballkanin Perëndimor.

Meqënëse formati i këtij aktiviteti dyditor do të na lejojë të flasim dhe më gjatë dhe të kemi ndërhyrje, nuk po zgjatem shumë në fjalën e hapjes. Do të dëshiroja t’ia jepja fjalën zotit Steve Harvey, i cili vjen nga ICMPD e përmendur më lart dhe ka qenë një partner i yni për një bashkëpunim mes prokurorëve dhe oficerëve të policisë nga vendet ku vërtet kemi shumë për të mësuar.