Postuar më: 10 Mars 2016

“Qëndrimet zyrtare mbi refugjatët janë institucionale, kërkojini”

Fjala e Ministrit të Punëve të Brendshme Saimir Tahiri gjatë seancës së sotme plenare

 

Të nderuar deputetë!

Marr shkas nga ajo që tha kolegu Blushi, sepse në fakt, thellë-thellë, më vjen mirë që tema të tilla bëhen pjesë e diskutimit në Parlament, për sa kohë Parlamenti duhet të jetë aktiv edhe në çështjet që kanë të bëjnë me dimensionin e solidaritetin që ka shteti shqiptar krah për krah partnerëve ndërkombëtarë, për të adresuar çështje që thërrasin më së shumti vlerat më të mëdha të humanizmit dhe të solidaritetit ndërmjet shteteve dhe ndërmjet shoqërive. Por, e sigurtë është që (kolegu nuk është tani në sallë) Blushi dhe kushdo tjetër do të kishte shumë mundësi të kërkonte informacion zyrtar, në rrugë parlamentare, në rrugë institucionale, për të shmangur çdo keqkuptim lidhur me atë që ka bërë deri më sot qeveria, për sa i takon një çështjeje që sot përbën jo vetëm një sfidë për Shqipërinë, por një sfidë për rajonin dhe për më gjerë, sigurisht.  
 
E nis nga e fundit (sepse dhe kjo ka pasur një keqkuptim të pabazë, që vjen më shumë për shkak të refuzimit për të kërkuar informacion, sesa për shkak të krijimit të opinioneve të gabuara mbi burime informacionesh që shpesh janë portale, media, thashetheme dhe që nuk kanë të bëjnë kurrë me të vërtetën).
 
Përsa i takon çështjes së muxhahedinëve, është diskutuar shumë këto kohë lidhur me një të supozuar vendim të qeverisë shqiptare për të marrë 3000 muxhahedinë në Shqipëri. Është e pavërtetë! Këtu ka shumë kolegë që e dinë shumë mirë se kjo është një marrëdhënie e nisur që nga koha e qeverisë së kaluar për t’iu përgjigjur me humanizëm dhe solidaritet një çështjeje që prek më së shumti vlerat që mbrojmë të gjithë bashkë, në kuadër të mbrojtjes së atyre njerëzve që kanë më shumë nevojë për mbrojtje. Ka filluar gjatë qeverisë së kaluar, është një proces që vazhdon, dhe që bën thirrje me gjithçka përfaqësojmë ne si shoqëri, si shtet përkrah partnerëve tanë, për t’u gjendur gjithmonë në mbrojtje të atyre që kanë më shumë nevojë, në një moment të caktuar të historisë.

E tha dhe kolegu: shoqëria jonë, shteti ynë, Shqipëria ka pasur shumë herë raste në histori të përsërisë vetveten, duke ofruar shembuj ekzemplarë të solidaritetit për ata që janë në nevojë. Dhe ky është një nga ato raste ku kemi dhënë një shembull për vende shumë më të zhvilluara se ne, shumë më të mëdha se ne, me kapacitete buxhetore shumë më të mëdha se ne, me infrastrukturë shumë më të konsoliduar se ne. Por kemi dhënë shembull ekzemplarë të humanizmit dhe të solidaritetit të Shqipërisë përkrah vendeve të tjera për të mikpritur edhe muxhahedinët që sot janë në situatë shumë të vështirë. Nuk ka vendim për të marrë 3000! Ka vendim për të vazhduar një çështje që (me shumë të drejtë) e adresoi qeveria e kaluar bashkë me partnerët, dhe që ne e vazhdojmë me intensitet, në emër të humanizmit dhe të solidaritetit ndaj atyre që janë në nevojë.

Një çështje që nga njëra anë i ka bërë thirrje shpirtit të bashkëpunimit solidar ndërmjet vendeve, veçanërisht dhe në rajon. Nga ana tjetër ka treguar (mbase jo pa shkak) vështirësitë që kemi ne për të adresuar si duhet, jo të vetëm (që as që bëhet fjalë) por dhe në nivel bashkëpunimi rajonal e më gjerë, çështje që prekin vendet tona – pavarësisht faktit se kush është anëtar i Bashkimit Evropian apo jo.

Është e njëjta gjë dhe me luftën kundër terrorizmit. Është e njëjta gjë me bashkëpunimin e agjencive ligjzbatuese për të adresuar rrezikun e përbashkët në luftën kundër terrorizmit i cili nuk pyet nëse je anëtar i Bashkimit Evropian apo jo.

E njëjta gjë është dhe me përballimin e fluksit të emigrantëve: është një çështje që nuk pyet nëse je anëtar i BE apo jo. E sigurisht në këtë pikë qeveria shqiptare ndoshta është e vetmja në rajon që nuk ka pasur asnjë mëdyshje përsa i takon qëndrimit. Nuk ka pasur asnjë dyshim për mënyrën si do e trajtojë këtë çështje. Nuk ka pasur asnjë lloj stepje për ta trajtuar këtë çështje në nivel bashkëpunimi me partnerët, por duke mbajtur solidaritet dhe ndjenjën e humanizmit në mënyrë të përgjegjshme e të barabartë ndërmjet vendeve.

Kryeministri Rama e ka trajtuar këtë çështje duke u bërë madje vendi i parë që ka kërkuar të marrë përsipër përgjegjësi në kuadër të bashkëpunimit ndërmjet vendeve në rajon dhe Bashkimit Evropian, sepse kjo është një çështje që nuk le dot në cep as Shqipërinë, as ndonjë vend tjetër të rajonit, as vendet e Bashkimit Evropian, kur vjen puna tek sfidat e përbashkëta që na prekin në mënyrë të paevitueshme, pavarësisht vullnetit tonë.

Qeveria shqiptare nuk ka pasur asnjë mëdyshje, asnjë dyshim, edhe tek deklarimi i qartë i nevojës për ta trajtuar në mënyrë të përbashkët këtë krizë. Sepse asnjë vend nuk ia del dot vetëm. Shembulli më i qartë u dha muaj më parë kur përballë sfidës për t’i bërë ballë kësaj çështjeje Italia e më pas Greqia patën probleme jo të vogla në raport me koordinimin që duhej për ta bërë këtë sfidë sfidën e të gjithëve, e për të gjetur zgjidhje që janë zgjidhje të të gjithëve.

Qëndrimi ynë ka qenë i qartë e pa ekuivok: përballë domosdoshmërisë për t’iu përgjigjur me solidaritet dhe humanizëm, e për të gjetur bashkim brenda Europës së Bashkuar (pavarësisht kufijtë të sotëm të Europës së Bashkuar), ne kemi kërkuar zgjidhja europiane të jetë zgjidhje unike për çështje dhe sfida që janë europiane dhe të përbashkëta për të gjitha vendet.

Kjo ka qenë ajo që kemi kërkuar. Kjo është ajo që mbështesim shumë fort sot. Pa evituar këtu masat paraprake që ka marrë Shqipëria, në nivel institucional dhe në partneritet bilateral me disa vende të rajonit për t’u përballur në rast emergjence.

Sot që flasim institucionet në tërësi janë të rreshtuara (me urdhër të Kryeministrit) në një grup institucional pune që mblidhet çdo javë për të koordinuar masat e për të adresuar çështjet e emergjencës (në rast se kjo vjen). Por një zgjidhje e qëndrueshme për një problem të tillë nuk vjen kurrë nga secili vend vetëm.

Një zgjidhje e qëndrueshme për një problem të tillë kaq të madh nuk vjen kurrë nga vullneti unilateral i çdo vendi, qoftë kjo për të hapur apo mbyllur kufijtë. Shqipëria kurrë nuk ka diskutuar as për të ngritur mur në kufi por as për të hapur kufijtë. Kjo nuk është çështje nëse Shqipëria i hap i apo i mbyll kufijtë. Nuk është çështje as e një vendi nëse i hap apo i mbyll kufijtë sepse asnjë zgjidhje nuk vjen në mënyrë të qëndrueshme nëse nuk zgjidhet në mënyrë të përbashkët nga të gjitha vendet. Skenari kur ajo që quhet “Rruga e Ballkanit” apo më keq “Rruga e Adriatikut” që realizohet shpesh edhe këto kohë, do ishte skenar fatkeq në rast se nuk do kishte bashkëpunim dhe solidaritet nga të gjitha vendet që preken nga kjo histori.

Ndaj është shumë e domosdoshme, siç është e nevojshme, që Parlamenti të përfshihet në këtë proces duke marrë informacion dhe duke u përfshirë në zgjidhjen që ka dhënë  qeveria shqiptare. Është shumë e domosdoshme të kuptohet roli ynë. Ne mund të mbajmë përgjegjësi mbi shpatullat tona edhe në emër të vlerave të shoqërisë sonë, humanizmit dhe solidaritetit, për aq kohë sa vendet e tjera rreth nesh dhe Europa e Bashkuar i jep një zgjidhje të qëndrueshme këtij problemi, ku përfshihet sigurisht edhe dimensioni i sigurisë. Është kjo çështja që kam diskutuar me partnerët. Është kjo çështja që kam adresuar edhe në takim e fundit me ministrin italian. Është kjo çështja që kam adresuar edhe me ministrat e brendshëm të BE-së, sepse ne nuk duhet të lejojmë kurrë që në emër të solidaritetit dhe humanizmit të tolerojmë neglizhenca të vogla që (siç ka ndodhur në të kaluarën) shfrytëzohen nga rrjetet kriminale apo terroristët). Duhet gjetur balanca e duhur për të pasur informacionin e duhur, kontrollin e duhur, rregullin, disiplinën në punën që duhet të bëjnë institucionet për t’u përballur me humanizmin dhe solidaritetin për ata që janë në nevojë duke ruajtur dimensionin e duhur të sigurisë, luftës kundër krimit të organizuar, luftës së atyre që përfitojnë nga kriza të tilla për të përfituar para në mënyrë kriminale dhe luftës kundër terrorizmit.  Këto janë sfida që na përfshijnë në mënyrë të pashmangshme.

Unë jam i kënaqur që kjo bëhet pjesë e debatit parlamentar. Sigurisht do preferoja që çdo deputet këtu të kishte mundësinë (ose t’i jepte vetes mundësinë) të interesohej zyrtarisht, të merrte informacion zyrtar, dijeni të plotë institucionale për atë që ka bërë qeveria shqiptare, për qëndrimet që ka mbajtur Kryeministri, Ministri i Jashtëm, unë si Ministër i Punëve të Brendshme dhe qeveria në tërësi, në çdo takim me partnerët ndërkombëtar, në çdo nivel dhe çdo tryezë, sepse ne besojmë shumë fort që përtej thashethemnajës, rrëmujës, keqkuptimeve të supozuara të cilat nuk kanë të bëjnë aspak me qëndrimin që ka mbajtur Kryeministri apo qeveria shqiptare. Ne i kemi bërë thirrje vlerave më të larta të shoqërisë shqiptare, të humanizmit, solidaritetit dhe sigurisht të sigurisë që duhet të ofrojmë për qytetarët në vendin tonë dhe Europën e Bashkuar.