Postuar më: 25 Korrik 2016

"S'ka më ndërkombëtarë t'ju kujtojnë se duhet të votoni për Shqipërinë, koha juaj është drejt fundit"

25 Korrik – Fjala në Kuvend e ministrit të Punëve të Brendshme Saimir Tahiri, gjatë seancës së fundit plenare për këtë sesion parlamentar:

Edhe Kaporal Pelegrini ta ka zili me atë “Fashistë trima, syleshët po na shkatërrojnë Perandorinë!”. E në fakt ke të drejtë të dalësh këtu se një Perandori mbetet për t’u shkatërruar nga Reforma në Drejtësi: që janë gjyqtarët dhe prokurorët që për 25 vite me radhë (çerek shekulli), nën pelerinë me çekiç bëjnë llogaritë e pazaret personale, duke u rënduar qytetarëve pafundësisht në kurriz. 

Ajo që sot është mbi të gjitha e qartë e për të cilën nuk ka dyshim asnjë qytetar është cilët në këtë Parlament ishin pro Reformës në Drejtësi, e cilët ishin kundër.  Provoni të dilni jashtë e të pyesni në çdo cep të Shqipërisë: kush e donte Reformën në Drejtësi e kush nuk e donte?  

Dhe i jap të drejtë Saliut në një pikë. Që ishte konsensus i detyruar: sepse u detyruat Ju të vinit këtu e të bashkonit votat me ne, me mazhorancën, për të miratuar Reformën në Drejtësi. E kjo është dita e fundit ku askush nuk legjitimohet të flasë për të humbur a të fituar. 

Çfarë e ka shkatërruar sistemin e drejtësisë duke u dhënë imunitet të gjithë atyre që për shkak të korrupsionit detyroheshin të fshiheshin nën çadrën politike të ish-Kryeministrit, të ish-Presidentit, të ish-maxhorancës. Dhe ka plot vendime që përbëjnë llahtar më vete për shoqërinë.

Përmendi këtu ditën e pushimit. Po sa herë shqiptarët dëgjojnë emrin e këtij vetëm ditë zie kujtojnë. 4 të vrarë në bulevard, 28 në Gërdec. Ja pse emri i këtij nuk lidhet me ditë pushimi, as me ditë gëzimi, por me ditë zie lidhet në Shqipëri.

Për të mos kujtuar më pas problemin e madh që kemi dhe me armëmbajtjen, me armët pa leje – kusur që e trashëgojmë pikërisht nga ky.  E sot vazhdojnë shqiptarët të vriten me njëri-tjetrin për çfarëdo motivi, brenda e jashtë familjes: për tokën, hipotekën, legalizimin, për problemet me pronat. Ngjarje kriminale pa fund, me kollajllëkun për të zgjidhur çdo problem duke u drejtuar tek arma – sepse armët i kemi peshqesh nga ky këtu. Se dhe atëherë përmendte “komplotin ndërkombëtar” që po i bëhej Shqipërisë e ish-Presidentit të Republikës, e po njëlloj vinte këtu para Parlamentit e qahej se medemek një tufë partnerësh ndërkombëtarë kishin synim ta hidhnin nga pushteti.

Të fundit që duhet të flasin për Reformën në Drejtësi jeni ju.

Të fundit që duhet të flisni për çfarë riparojmë apo hapim rrugën për të riparuar me Reformën në Drejtësi jeni ju. Jo sepse ndër ju nuk ka njerëz që realisht e duan drejtësinë. Jo sepse ndër ju nuk ka njerëz që realisht mendojnë për të ardhmen e fëmijëve tanë, për qytetarët. Por sepse ndër ju ka njerëz të cilët (më e pakta) kanë mbyllur gojën kur pushteti në drejtësi është mbajtur peng, dhe (më e shumta) kanë qenë pjesëmarrës në histori dhune, krimi, përdhunimi e korrupsioni në sistemin e drejtësisë. Kur janë vrarë njerëz në bulevard – dhe ju fshihnit vrasësit në bodrumet e kryeministrisë. Kur dështonte i gjithë shteti për të organizuar një sipërmarrje kriminale në Gërdec – dhe askush nga ju nuk fliste. Kur badigardët e familjarëve të ish-Kryeministrit tuaj vrisnin kamarier për një tavëll duhani – dhe askush nga ju nuk fliste.

Ja, kjo është drejtësia që kërkonit ju për t’u dhënë imunitet atyre prokurorëve e gjyqtarëve që ju shërbenin më mirë. Në këto tre vite është shumë e qartë cilët janë ata që realisht kanë kërkuar reformën në drejtësi. E çfarë thonit ju? “Do kapin sistemin gjyqësor”. Po kush mund të flasë për “kapje” kur ju jeni sponsorizuesit dhe mbrojtësit e të gjithë atyre, e vinit më pas këtu dhe na thonit të lanim gojën para se ta përmendnim? A ju kujtohet si vinte këtu ish-Presidenti, ish-Kryeministri (25 vjet që rri këtu në këtë foltore, në pushtet e jo në pushtet duke mbajtur peng këtë vend), e na kujtonte ne si duhet të lanim gojën kur t’i përmendnim emrin Gjin Gjonit? A ju kujtohet si merrte në mbrojtje prokurorë e gjyqtarë që guxonin të bënin paligjshmëri pa fund vetëm për të mbrojtur familjen e tij?

Kjo është Reforma në Drejtësi që nuk donit ju. Ju nuk donit që përtej partive politike, përtej kujtdo që është në pushtet në një moment të dhënë të historisë, drejtësia të funksionojë për qytetarët pavarësisht të gjithave. Ju nuk donit një sistem drejtësie – dhe nuk e doni ende. Por u detyruat saktësisht siç ju thamë: “Dy opsione kishit, o ta votonit, o ta votonit!”. Dhe fiks atë bëtë. Erdhët këtu dhe e votuat me pahir Reformën në Drejtësi. E asgjë nuk ju vlen sot të vini këtu e të na bëni përralla se paskeni “fituar”, e paska fituar bashkë me PD dhe Lulzim Basha e Sali Berisha, etj. Jo mor jo. Kanë fituar qytetarët shqiptarë që më në fund kanë një dritare shprese se drejtësia mund të bëhet pa e mbajtur peng askush. Ju së pari.

Sot flisni për armëmbajtjen pa leje. Unë kam rreshtuar publikisht, edhe për Presidentin e Republikës në cilësinë e kryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, një sërë vendimesh se si qytetarë të arrestuar në flagrancë nga Policia këto 3 vjet për armëmbajtje pa leje, për plagosje të rëndë, për plagosje të lehtë, me armë pa leje janë liruar në sallën e gjyqit. Ose më e shumta janë dënuar me arrest në shtëpi.

E ju flisni për “cënim të sovranitet”? Po ku ka cenim më të madh të sovranitetit, të dinjitetit, drejtësisë e sundimit të ligjit, se gjyqtarët e prokurorët që cenojnë jetën e përditshme të qytetarëve duke ricikluar kriminalitetin e duke shkaktuar kërcënim të shtuar për qytetarët? Për çfarë sovraniteti flisni? Sovranë ishit për 25 vjet dhe ja ç’derexhe e keni bërë sistemin e drejtësisë! Për sovranitet flisnit ju edhe kur falët detin,  e tregonit përralla me sovranitet këtu.

Këtë sovranitet keni parasysh ju por ky nuk është sovraniteti i krimit dhe korrupsionit, që gjyqtarë e prokurorë kanë bërë biznes nën mburojën tuaj politike. Jo mor jo. Ne duam një Shqipëri tjetër, kaq e thjeshtë është. Ne duam një mundësi tjetër për qytetarët shqiptarë. Ne duam një të ardhme tjetër. Kjo nuk ka lidhje as me ne në qeveri e maxhorancë, fundja as me ju në opozitë. Ne duam që Shqipëria të bëhet e pavarur (sovrane po të doni) nga korrupsioni e krimi mbi të gjitha, nga pushteti politik që në 25 vjet e ka pasur fare të lehtë të mbajë peng drejtësinë, duke mbajtur peng të ardhmen e qytetarëve shqiptarë.

Kjo është e rëndësishme për t’u dalluar. Dhe fundja nëse ka një gjë për të cilën mund të mburremi të gjithë bashkë (edhe ju, se erdhët votuat këtu me pahir) është kjo dritare shprese dhe drite që u japim qytetarëve shqiptarë. Për të dhënë mundësinë që nesër të marrim në shqyrtim konkretisht çdo prokuror, çdo gjyqtar që nuk justifikon dot pasurinë, që ka dhënë vendime palaço, që është korruptuar, që flirton me krimin edhe duke e ricikluar në shoqëri.

Një rast ju kam sjellë këto javët e fundit, një gjyqtar Arjan Aliu që jep vendim për kthim prone, dhe nga ajo pronë përfituesi me vendim gjykate i dhuron gjyqtarit tokë. Fiks nga ajo tokë?! Po çfarë është kjo, që një gjyqtar merr vendim për t’i kthyer tokë një qytetari dhe qytetari në këmbim i fal tokë gjyqtarit ?! Çfarë është kjo nëse nuk është korrupsion?

Ja pra këto praktika duhet të marrin fund. Ashtu siç duhet të marrin fund gjyqtarët që nxjerrin jashtë ata që mbajnë armë pa leje, që plagosin, që vrasin e që pastaj kthehen në rrugë e plagosin e vrasin përsëri.

Ky Parlament sot shqyrton ndryshimet në Kodin Penal për armëmbajtjen pa leje. Personalisht kam qenë shumë më i ashpër sepse besoj që armëmbajtja pa leje duhet të dënohet shumë më ashpër. Megjithatë qeveria ka sjellë një draft për t’u miratuar në Parlament, sepse në këto kushte nuk vazhdohet dot më pas një vendimi të Gjykatës Kushtetuese e cila ka parë të arsyeshme të shohë proporcionalitetin e dënimeve në Kodin Penal. Unë nuk bie dakord me atë vendim po kjo nuk ka rëndësi. Ne duhet të gjejmë një zgjidhje për armëmbajtjen pa leje. Dhe kemi bërë shumë mirë duke diferencuar “armëmbajtjen pa leje në shtëpi”, “armëmbajtjen pa leje në  mjedise të tjera”, “armëmbajtjen pa leje në trup”.

Ashtu siç duhet të bëjmë shumë mirë ashpërsimin me një sërë veprash penale të tjera të cilat sot dëmtojnë rëndë shoqërinë, shëndetin dhe jetën e qytetarëve. Shikoni aksidentet rrugore. Përveç edukimit e masave të tjera sensibilizuese që ka ndërmarr policia, duhet domosdoshmërisht të mendojmë se si aksidentin rrugor të fillojmë ta klasifikojmë siç bëjnë vendet Evropiane në “Vrasje rrugore”, dhe autorët të dënohen jo më për “Aksident” po për “Vrasje rrugore”. E bëri Italia. Po e bën Gjermania. Ka shumë vende të cilat e klasifikojnë vepër të rendë penale edhe aksidentin.

Keni “Ligjin e Sigurisë” në tavolinë të nderuar deputetë. Nuk kam dashur të diskutoj, duke shmangur në të gjitha rastet  keqkuptimet për publikun. Çfarë ju thotë ai ligj? Është ligj që mbi të gjitha shton masat parandaluese në rast të ngjarjeve kriminale. Jeni marrë pafund me vjedhjen në aeroport, ngjarje super e rëndë për të cilën ka një zinxhir të tërë institucionesh përgjegjëse. Por nëse ai ligj do të ishte miratuar dhe nuk do merreshit politikisht se kush është ministër e kush është drejtor policie dhe “mos të miratojmë këtë se po e miratuam do bëjnë kështu e ashtu” ajo ngjarje nuk do të kishte ndodhur. Policia e Shtetit i ka kërkuar Aeroportit dhe një sërë institucionesh të tjera të marrin masa sigurie shtesë, të detyrueshme për të shmangur ngjarje kriminale. Në rastin konkret, nëse ai ligj do të ishte miratuar nuk do të ndodhte ajo ngjarje kriminale. 

Ajo që po them është fare e thjeshtë. Nëse ligji do të ishte miratuar sot, shumë ngjarje kriminale do të parandaloheshin. E nëse i thërrisni vetëdijes tuaj, nëse dilni në publik dhe bëni ditë për ditë konferenca shtypi kundër meje e Policisë së Shtetit, nëse ditë për ditë i përbetoheni publikut për medemek “domosdoshmërinë që ky vend të jetë më i sigurt”, unë ju këshilloj t’i bëni thirrje vetëdijes tuaj, të ndërroni vendimin politik dhe të vini të votoni “Ligjin për Sigurinë”, në mënyrë që Policia të ketë mundësinë që mbi  bazën e analizës së riskut t’i thotë një biznesi a një institucioni të marrë masa sigurie shtesë sepse duhet patjetër të forcojë masat parandaluese. 

Kjo në kuadër të luftës kundër krimit të organizuar, në kuadër të luftës kundër terrorizmit. Sepse nuk ndodh në asnjë vend të botës. Ndodhi ngjarja tani në Gjermani, ndodhi më parë në Francë, ndodh thuajse çdo javë në Amerikë, ndodhi në Turqi, ndodhi në çdo vend të botës. Unë nuk parë asnjë opozitë në të gjitha këto vende që gjënë e parë që bën është të merret me Policinë e Shtetit. Unë nuk ka parë mungesë solidariteti, mungesë vetëdije politike, mungesë kursi dhe drejtimi për t’i bërë shërbimin më të mirë qytetarëve duke u bërë bashkë me Policinë kundër kriminelëve. Unë nuk kam parë opozitë më të çakorduar se kjo që një punë ka të gjithë ditën: që një herë merret me mua, me Kryeministrin, me mazhorancën, me ministrat e tjerë dhe nuk merret me ato që duhet të bëjmë bashkë kundër kriminalitetit për të ndërtuar një Shqipëri më të sigurt.

Të nderuar kolegë, Shqipëria është larg të qenit vendi i engjëjve. Kjo është e sigurt. Edhe kjo është shumë larg të qenit “opozita e engjëjve”. Mbase dhe ne, se kjo nuk ka lidhje. Po një gjë kemi mundësi ta bëjmë. Është që të mblidhemi bashkë dhe të vendosim pa pahir disa gjëra themelore për shtetin. Siç u detyruat të votonit Reformën në Drejtësi, bujrum mos u detyroni më por ejani ta bëjmë bashkë “Ligjin për Sigurinë”. Ejani të punojmë bashkë për një Shqipëri më të sigurt. Ejani të punojmë bashkë të përmirësojmë Policinë e Shtetit fundja. As unë nuk jam i kënaqur me Policinë e Shtetit. Edhe unë mendoj se mund të bëjmë shumë më shumë por të paktën jemi 24 orë në 24 në punë. Nuk merret asnjë nga ne me ju, se mos mendoni se merremi me ju jo me përgjime me histori. Nuk merret me ju njeri fare. Një gjë duam të bëjmë mirë. Ta bëjmë Shqipërinë më të sigurt.

Dhe këta gjyqtarë e prokurorë që kanë nxjerrë nga burgu kriminelë, vrasës, përdhunues për këtë shkak, se janë të korruptuar, bëjmë mirë t’i marrim në shqyrtim bashkë. Dhe bëjmë mirë t’i çojmë bashkë përpara drejtësisë. E siç u detyruat të miratonit Reformën në Drejtësi hapësira për të gjetur konsensus akoma ka plot, për ta bërë Shqipërinë më të zhvilluar, më të begatë dhe më të sigurt. Por thirrini mendjes. Më ndërkombëtarë që t’ju bien me çekiç te koka dhe t’ju kujtojnë se duhet të votoni për Shqipërinë dhe për shqiptarët, nuk do ketë. Kështu që shansi juaj është drejt fundit.

Gjithë të mirat, të fala Kaporal Pelegrinit!