Postuar më: 03 Nëntor 2016

Tahiri-opozitës: Dje e tradhëtuat policinë, sot bashkohuni me ne ose përkraheni dhe heshtni

Fjala e ministrit të Punëve të Brendshëm Saimir Tahiri në seancën parlamentare - 3 nëntor: 

Të nderuar deputetë, 

do e marrim me të qeshur, a do e marrim me të qarë. E aq më tepër ç’kusur kanë shqiptarët t’iu çosh edhe në mend kur flet këtu, se ke qenë kryeministër i Shqipërisë në tetë vitet e kaluara?! Në fakt bëre një xhiro shumë të madhe diskutimi nga Lufta e Dytë Botërore, te kokrra e ullirit e fute diskutimin, e dole pastaj te investimet, ekonomia etj., etj..

Unë u habita, një gjë si nuk e the. Sot në rendin e ditës është ligji më i rëndësishëm i Reformës në Drejtësi. Si ka mundësi nuk the asnjë fjalë! Dhe të thuash këtu: cili është vullneti i partisë tuaj? A do e votoni reformën në drejtësi apo jo? Nuk le gjë pa thënë, nuk le gjë pa marrë në gojë, nuk le gjë pa përmendur. Po si nuk the: cili është vullneti i partisë tuaj? Këtë ligjin që është sot për reformën në sistemin e drejtësisë, do e votoni apo jo? 

Unë nuk hyj te ata që e kanë me shumë qejf këtë garën e patriotizmit, veçanërisht në parlament. Them “veçanërisht në parlament” se ka pak brenda parlamentit që, në histori po dhe sot, mund ta zënë me gojë dhe seriozisht, çështjen e patriotizmit. Po kur ti nga një komunist i devotshëm, një sekretar partie, arrite t’i shiteshe këtij vendi si antikomunisti më i madh - unë nuk kam asnjë dyshim që edhe sot këtu do vije dhe do shisje me sukses qenien tënde, si patrioti më i madh i këtij vendi! 

Tani mua më vjen pak keq që është kthyer në modë në këtë parlament të përbaltet jo vetëm qeveria, se s’ka problem, kjo është pjesë e kostos, por mbi të gjitha, Shqipëria dhe shqiptarët. Dhe këtë e keni bërë ju, e nuk e keni bërë as në emër të patriotizmit, as në emër të interesit publik. E keni bërë në emër të interesit të ngushtë politik dhe partiak. 

Me “Kanabistan” me “Kolumbinë e Europës”, e me çdo lloj gjëje që ju ka shpikur mendja djallëzore, vetëm e vetëm për t’i hedhur baltë Shqipërisë dhe shqiptarëve, për të fituar ju, disa pak vota, në qoftë se i fitoni, dhe disa kredo politike, në qoftë se arrini. 

Unë nuk hyj edhe te ata që e kanë qejf debatin me kolegët apo me ish-kolegët. Më erdhi edhe keq kur e tha dhe Blushi. Kur për hir të debatit, apo për hir të çdo lloj debati, Shqipëria etiketohet si “Kanabistan”, apo si “Kolumbi”, apo më keq akoma si ‘eksportuesja’ më e madhe e drogës në vend.

Unë besoj që përgjigjen më të mirë jua dha komisioneri Avramopoulos, kur ju tha fare qartë se: Shqipëria ka bërë sukses në luftën kundër kultivimit të kanabisit. Kur tha fare qartë se: Shqipëria në këto tre vjet dhe Qeveria në këto tre vjet, ka treguar vullnet në luftën kundër kanabisit.

Dhe dhe në qoftë se ka një gjë për të cilën sot partnerët dhe bashkëpunëtorët e Policisë së Shtetit kanë ndërtuar besim dhe kanë investuar bashkëpunim, është lufta kundër kultivimit të paligjshëm të kanabisit. Tani unë e kuptoj që juve ju verbon çdo lloj suksesi i policisë.  Madje dhe dje e kthyet në ekzemplar sesi një operacion të policisë ju e quajtët dështim të policisë. 

Ju mund të jeni opozita e vetme në këtë botë  që keni humbur kursin e definicionit të suksesit. Në qoftë se ju na doni ne, të bëjmë atë që bënit ju dhe e quanit sukses, që nuk e preknit Lazaratin me dorë. E linit aty dhe madje Saliu thoshte së është me vendim politik! Dhe lëre pastaj t’ju shkonte në mend të çonit në procedim penal Dasho Alikon, ne nuk e bëjmë dot. 

Ne kemi definicion të ndryshëm për suksesin. Ne mendojmë që sukses është ta luftosh. Të evidentosh më shumë dha ta luftosh më shumë. Në qoftë se për ju suksesi ishte të mbyllnit sytë dhe bashkë me ju të mbyllte sytë gjithë Shqipëria dhe shqiptarët dhe të bënit sikur nuk kishte, ky për ne nuk është sukses. 

Ky është minimumi dështim, maksimumi bashkëpunim! Ne kemi tjetër kuptim për suksesin. Kemi atë kuptim që ka gjithë bota, kemi atë kuptim që ka çdo agjenci ligjzbatuese në botë. Që të evidentosh më shumë dhe të shkatërrosh më shumë, të godasësh më shumë dhe të arrestosh më shumë  - ky po është sukses! Ju keni në fakt një leverdi të madhe. 

Në kohën tuaj arritët me art, t’i mbyllnit sytë shqiptarëve, duke u thënë që kanabisi nuk është problem. E ka nisur Saliu, në një fshat, duke iu thënë që mbillni atë që është më pjellore dhe ju sjell me shumë fitim.  Dhe e ka vazhduar në Lazarat.

Pra në këtë rast e filluat me porositë për ta mbjellë dhe e vazhduat duke marrë në mbrojtje politike Lazaratin! Në mbrojtje politike! Ironinë e çuat deri në pikën sa Luli shkonte në Lazarat dhe falënderonte lazaratasit për kontributin e tyre në luftën kundër drogës.

Unë nuk po them dhe askush nga ne nuk e ka thënë që ne nuk kemi një problem në luftën kundër kanabisit. Në qoftë se doni mendimin tonë, unë e kam thënë publikisht, kjo është një çështje të cilën për kusur në shpinë Shqipërisë dhe shqiptarëve ia ka lënë politika në 20 e kusur vjet. 

Duke i mbyllur çdo dritë shpresë Shqipërisë, duke hequr çdo mundësi për të parë në mënyrë të qarë zhvillimi ekonomik, punësim, ekonomi më të mirë, dhe mbi të gjitha duke krijuar rrënim veçanërisht në zonat rurale. Dhe këtu Saliu përmend rrugët... unë e quaj të papranueshme që këtë problem të cilin ne duhet ta zgjidhim, ju le ta quani momentin më të mirë tuajin politik për t’u marrë me qeverinë. 

Sepse ju jeni më të parët që e dini shumë më mirë, shumë më mirë  sesa Presidenti sot, shumë më mirë sesa ai komiteti apo këshilli kombëtar i sigurisë e kështu me radhë.

Ju e dini shumë më mirë se ç‘ka qenë Shqipëria gjatë kohës që ju ishit në qeveri, në raport me kultivimin e kanabisit, në raport me sigurinë, me trafikun e drogës, në raport me mosbesimin themelor që kishin partnerët te Policia e Shtetit në kohën që qeverisnit ju, për shkaqet që i dinit ju dhe për shkaqet që i kishit ju në gjirin e partisë tuaj! 

Dhe po ju jeni të vetmit që sot kujtoheni të flisni dhe të përmendni luftën e policisë kundër kanabisit. Jeni po ju që kur policia italiane del dhe thotë që me njoftim të policisë shqiptare, u kapën këta trafikantë, ju dilni dhe thoni: janë trafikantët e Saimir Tahirit dhe Edi Ramës. Po mirë mo, më fal, tani këta kush i kapi?! I kapni gjë ju?! Njoftoni gjë ju policinë italiane?! 

Bashkëpunoni ju me policinë italiane?! Po këta këtu, kush i kap? I kapni ju!? Kjo pra, policia e shtetit shqiptar i bën këto. Dhe ne, që nga Kryeministri, te secili prej nesh,  nuk kemi asnjë lloj egoizimi që këtë sukses ta mbajmë për vete. Jo mo, jemi të gatshëm ta ndajmë me ju. Në rast se ju ndani mendjen nga cila anë jeni.

Jeni nga ana e atyre që bëjnë banditët në rrugë, apo nga ana e ligjit? Kur ju të ndani mendjen, jeni nga ana  e gjingjonrave më shokë, apo jeni nga ana e reformës në drejtësi. Jeni nga ana e ligjit apo jeni nga ana e antiligjit. Këtë ndani ju dhe pastaj ne jemi shumë të gatshëm të ndajmë çdo rezultat dhe çdo sfidë me ju. 

Sot Shqipëria sigurisht nuk është ajo që duhet. Unë mirëkuptoj cilindo këtu prej jush që vjen këtu dhe akuzon në emër të çfarëdolloj gjëje. Këtë më së pari e dimë ne, e pranojmë ne, dhe e themi ne, por ky është produkti i vetëdijes sonë për të bërë një punë më të mirë për Shqipërinë sot dhe për brezat që do vijnë pas.

E që të ndodhë kjo nuk mjafton që ju të vini këtu dhe të lëshoni një lum  të tërë akuzash e llumi, baltosje e ofendimesh, sharje pa fund duke treguar më e pakta që jeni të verbër, më e shumta që s’keni kurrë kapacitetin për të bashkëpunuar, për ta bërë këtë vend më të sigurt e për ta bërë më të mirë.

Unë besoj që ka shumë ndër ju, një pjesë të mirë ndër ju në opozitë, dhe ndër ca të tjerë rioshë në opozitë, të cilët nuk lënë vend, nuk lënë shteg, nuk lënë tavolinë, nuk lënë ambasador,  nuk lënë tryezë pa etiketuar Shqipërinë, qeverinë, shqiptarët  si Kolumbi, Kanabistan, kolumbian e lloj-lloj epitetesh që na bëjnë me turp të gjithëve.

Duke u përpjekur të deformoni një realitet për të cilin partnerët kanë sy, agjencitë ligjzbatuese partnere kanë sy, ata që ndihmojnë Shqipërinë kanë sy. Kjo ju bën me turp ju dhe jo ne. Kjo nuk bën me turp as Shqipërinë, as shqiptarët. Kjo ju bën me turp ju që jeni të gatshëm të shisni interesin madhor kombëtar, Shqipërinë dhe shqiptarët, vetëm për partinë tuaj, me iluzionin e verbër se mund të fitonit ca vota, apo ca pak mbështetje nga ndonjë partner i verbër dhe ai. 

Ne jemi shumë të bindur që të bëjmë një betejë, që Shqipëria kurrë nuk e ka njohur më parë. Kjo është qeveria e parë që problemin e kultivimit të kanabisit e trajton në themel, duke filluar nga parandalimi e deri te mjetet represive. Dhe kjo është qeveria e parë që këtë problem nuk ua fsheh Shqiptarëve, por e thotë dhe e pranon publikisht.

Po ky është problemi dhe po, këtë problem do ta zgjidhim ne, dhe pikë. Në këtë pikë duhet të bashkoheni dhe ju, në rast se ndieni se kjo mund të jetë një betejë e përbashkët. 

Në të kundërt heshtni dhe përkrahni punonjësit e policisë, të cilët nuk ju kanë asnjë kusur, që dje kur ishit në qeveri i latë të rropateshin në një betejë dyfishe, me pamundësinë që kishin për të bërë detyrën, me tradhtinë nga nivelet më të larta të policisë dhe politikës, dhe në  betejën e dytë me krimin në rrugë.

Ja ky është motivi i madh pse sot, policia është tjetër gjë. Pse rezultate sot janë tjetër gjë. Pse gjithçka kemi arritur deri më sot është mundësia më e mirë për të besuar që nesër do jetë akoma më mirë.

Dhe kjo sot është dritarja më e mirë për ju, që të mendoni se realisht mund të bëheni bashkë me ne, në një betejë që nuk është as e jona, as e juaja, as e qeverisë, as e Edi Ramës e askujt prej nesh.

Është beteja e Shqipërisë për sot dhe Shqipërisë së të ardhmes. 

Ju faleminderit!