Postuar më: 19 Qershor 2017

Intervista e ministrit Demiraj tek Zëri i Amerikës VIDEO

Dokumentat e bashkëngjitura

VIDEO - Intervista e ministrit të Punëve të Brendshme Dritan Demiraj për Zërin e Amerikës - 19 Qershor:

Ilir Ikonomi: Në Tiranë ministri i Brendshëm Dritan Demiraj kërkoi sot shkarkimin e tre shefave të komisariateve të Policisë në rajonet ku kanë ndodhur incidente gjatë fushatës zgjedhore. Z. Demiraj tha se po bashkëpunon ngushtë me Prokurorinë për të zbardhur  krimet elektorale dhe se policia po merr të gjitha masat për një proces zgjedhor sa më të rregullt.

Korrespondenti ynë Ilirjan Agolli njofton nga Tirana:

“Incidentet e ditëve të fundit në dëm të veprimtarëve politikë të Lëvizjes Socialiste për Integrim gjatë fushatës zgjedhore po hetohen me intensitet nga policia, që të zbardhen sa më parë, për të kthyer sa më shpejt qetësinë në fushatën zgjedhore”. 

Kështu deklaroi sot për “Zërin e Amerikës” ministri i Brendshëm, Dritan Demiraj, i cili theksoi angazhimin e forcave të rendit për të përmbushur detyrat kushtetuese dhe ruajtjen e qetësisë për mbarëvajtjen e fushatës zgjedhore”.

Ministri Demiraj: Këto ditët e fundit, sidomos këto katër- pesë ditët e fundit kemi pasur incidente të shtuara, kryesisht midis subjekteve të Partisë Socialiste dhe LSI-së. Gjë e cila, e ka prishur pak klimën që ishte në dy javët e para të fushatës. Kemi pasur incidente të ndodhura në Fushë-Krujë. Kemi pasur incidente në Pukë, incidente në Lezhë.

Policia është angazhuar për të zbatuar misionin e saj, për të qëndruar sa më larg subjekteve politike, nga njëra anë. Kurse nga ana tjetër, për zbulimin dhe sigurimin apo mundësimin e zgjedhjeve sa më të lira. Jemi të vendosur për të zbuluar autorët. Ju siç e dini dje kemi pasur persona të shpallur në kërkim, përsa i përket ngjarjes në Fushë-Krujë, në fakt nuk është kapur autori akoma. Dhe në të njëjtën kohë kemi pasur dhe persona të angazhuar nga Drejtoria e Shkodrës, nga Komisariati i Pukës. Në fakt incidente të tilla e ashpërsojnë klimën.

LSI ka kërkuar largimin nga detyra të drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit dhe të disa drejtuesve vendorë të policisë në qarqe. Nga ana e tij, ministri Demiraj tha se edhe ai ka kërkuar shkarkimin e disa drejtuesve të policisë në qarqet, ku kanë ndodhur incidentet.

Ministri Demiraj: Edhe unë nga ana ime kam kërkuar shkarkimin e dy-tre shefave të komisariateve, të cilët nuk kanë qenë në lartësinë e detyrës tyre dhe kemi pasur edhe disa persona të cilët në një formë apo një tjetër nuk kanë qenë në konform të zbatimit të ligjit për sa i përket të qenurit asnjë-anës gjatë fushatës zgjedhore. Po identifikojmë çdo person. Kam kërkuar që të largohet Shefi i Komisariatit të Pukës, ka pasur raste të përsëritura. Kam denoncime të përditshme që mbështet një subjekt të caktuar elektoral. Dhe për këtë qëllim kam kërkuar shkarkimin e dy shefave të komisariateve edhe të Dibrës edhe të Gramshit.

Zoti Demiraj thotë se bashkëpunimi i policisë me prokurorinë në zbardhjen e incidenteve ka qenë shumë i mirë dhe të dy institucionet i kanë ftuar qytetarët të denoncojnë çdo përpjekje që vërejnë për manipulim të zgjedhjeve.

Ministri Demiraj: Jemi të angazhuar maksimalisht. I gjithë aparati i Ministrisë së Brendshme në të njëjtën kohë edhe Drejtoria e Përgjithshme me drejtoritë në Drejtorinë e Përgjithshme dhe qarqet jemi të angazhuar maksimalisht që në bashkëpunim edhe OSBE të cilët për hir të së vërtetës na kanë trajnuar 7 mijë policë të cilët do të asistojnë në të gjitha qendrat zgjedhore deri në momentin e mbylljes dhe dorëzimit të kutive, që të angazhohemi maksimalisht në mënyrë që ta përmbushim këtë mision me sukses. I bëj thirrje të gjitha subjekteve politike të tregohen më të pjekura, më të përgjegjshme. Ti shmangin militantët, apo persona të cilët janë me tendenca kriminale, të largohen, apo të mos kërkojnë mbështetjen e tyre dhe të zbatojnë ligjin në mënyrë që rezultati të jetë sa më i pakontestuar dhe le të jenë këto zgjedhjet e para të pakontestuara nga të gjitha partitë.

Ministri i Brendshëm i Shqipërisë Demiraj tha se marrëveshja e fundit Rama-Basha ka ndikuar pozitivisht për një fushatë sa më të qetë dhe nga ana e tyre forcat e rendit kanë marrë të gjitha masat për të siguruar një proces zgjedhor sa më normal.