Postuar më: 18 Shtator 2017

Intervistë e ministrit të Brendshëm Xhafaj në “Tonight Ilva Tare”

Dokumentat e bashkëngjitura

Intervistë në studio e ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj në “Tonight Ilva Tare” në Ora News:

Ilva Tare: MIrëmbrëma Ministër Xhafaj, mirë se keni ardhur?

Ministri Xhafaj: Mirëmbrëma dhe mirë se ju gjeta.

Ilva Tare: Ju vura re sot që ju dorëzuat rrjeteve sociale dhe hapët një llogari në Twitter?

Ministri Xhafaj: Po, e vërtetë është. Nuk kam pasur kurrë llogari të kësaj natyre - qoftë  në Twitter, qoftë në Facebook. Por me sa pashë nuk rezistoja dot më. Dhe jam i detyruar që për efekt dhe të komunikimit, transparencës me publikun, ta bëja këtë hap.

Ilva Tare: Dhe si ishte ekperienca?

Ministri Xhafaj: Ishte një impresion interesant. Sa të mësohem.

Ilva Tare: Do ju shohim më shumë prezent në Twitter apo në media? Keni bërë një zgjedhje të strategjisë së komunikimit si Ministër i Brendshëm?

Ministri Xhafaj: Jo. Do të vazhdoj të qëndroj pak në media por shumë në komunikim me publikun. Kështu që Twitter do jetë një mundësi për të bërë një transparencë shumë më të shpejtë në raport me publikun por dhe me partnerët. Dhe kjo është shumë e rëndësishme gjithashtu. Sepse pata rastin, me një homologun tim gjatë verës, të bisedoja për çështje që kishin të bënin me funksionin, detyrën, përgjegjësinë e Ministrit të Brendshëm. Dhe një nga gjërat që pyeti ishte nëse kisha apo jo komunikim përmes Twitter apo Facebook-ut. Dhe një nga këshillat që më dha ishte pikërisht domosdoshmëria për ta pasur. Por dua të qëndroj deri këtu, jo më shumë.

Ilva Tare: Do ju mjaftojnë 140 gërma për të përcjellë mesazhin që keni për punën e Policisë

Ministri Xhafaj: Po besoj se nuk është e vetmja mënyrë për të komunikuar me qytetarët, e më pas edhe me struktura dhe me partnerët. Ka shumë mënyra për ta bërë këtë gjë, nëse dëshiron të jesh sa më transparent. Sepse transparenca natyrisht është një element në dobi të efikasitetit dhe rezultatit, mendoj unë.

Ilva Tare: Ministri Xhafaj, kam shumë pyetje dhe nuk do ndalem gjatë tek Twitter-i. Pyetja e fundit lidhur me të. Ishte një përgjigje dhe për akuzat e Opozitës sot ky reagimi në Twitter, apo nuk ishte aq? Ngaqë i falenderuat "të gjithë për mbështetjen, po nisim një punë frytdhënëse në zbatim të ligjit". Mos ishte një mënyrë elegante për t'iu përgjigjur dhe opozitës?

Ministri Xhafaj: Jo. Opozita të them të drejtën (ose disa individë prej saj) më kanë bërë reklamë falas. Që të jem i sinqertë. Unë nuk kam marrë kurrë kaq shumë mesazhe. Dhe ka një përkim të çuditshëm. Edhe gjatë kohës që ishte reforma në drejtësi, edhe në mars, edhe tani, në momentet që më kanë sulmuar më shumë, unë marr më shumë telefonata dhe mesazhe se asnjëherë tjetër. Nuk e di pse ndodh kjo - dhe do t'i kërkoj dikujt ta studiojë sinqerisht. Por është momenti kur kam mesazhe dhe telefonata pa fund.

Ilva Tare: Po çfarë ju thonë?

Ministri Xhafaj: Janë mesazhe mbështetëse. Sidomos kur ka qenë reforma në drejtësi, kanë qenë të jashtëzakonshme. Madje shpeshherë iu kam thënë kolegëve të mi që sikur t'i mblidhja të gjithë mesazhet që kam ruajtur nga njerëzit e të bëja një libër, do ishte shumë interesante. I kam ruajtur këto të njerëzve të thjeshtë. Janë shumë interesante, mbresëlënëse, por mund të nxjerrësh dhe shumë mësime.

Ilva Tare: Megjithatë besoj është ende herët për të folur për kujtime tuaja. Keni 4 vite mandat përpara.

Ministri Xhafaj: Pa dyshim. As nuk jam viktimë e kujtimeve. Por për sa i përket të qenit korrekt për Reformën në Drejtësi, po mendoj diçka. E kam gati diçka. E kam një lloj detyrimi për ta botuar. Jo më shumë ndaj vetes, se sa ndaj atyre njerëzve që kanë kontribuar dhe kanë lënë shenjë në këtë proces. Në mënyrë të veçantë grupit të bashkëpunëtorëve, njerëzve në shoqërinë civile, media dhe patrnerëve

 

 

Ilva Tare: Do jetë një rrëfim personal si e keni përjetuar ju atë betejë të Reformës në Drejtësi, apo një përmbledhje e të gjithë punës?

Ministri Xhafaj: Do jetë diçka mikse. Dhe dikush që kam pasur mundësinë t'ua tregoj - më saktë pjesëtarëve të familjes dhe dy-tre bashkëpunëtorëve të mi - e kanë konsideruar një gjetje interesante. Nuk e di a do kem kohë për ta përfunduar apo jo, ky është realisht problem.

Ilva Tare: Katër muaj shkëputje nga Ministria e Brendshme. Ndiheni sikur kanë lëvizur pak gjërat, ju kanë dalë nga kontrolli, apo është gjithçka e rimarrë shpejt?

Ministri Xhafaj: Jo. Sepse nuk e shoh si çështje kontrolli. E shikoj si çështje drejtimi, udhëheqjeje dhe ushtrimi të përgjegjësisë. Për aq kohë sa unë e kisha atë detyrë, ushtrova përgjegjësinë politike, kushtetuese dhe institucionale. Në kohën që nuk e kisha thjesht më mbetej për ta vëzhguar nga larg dhe natyrisht sot jam rikthyer me të gjithë përgjegjësitë e mia për ta përmbushur më së miri.

Ilva Tare: MInistër Xhafaj, a keni një objektiv madhor kryesor gjatë këtij mandati si Ministër i Brendshëm?

Ministri Xhafaj: ... Një objektiv... natyrisht, nëse do ta përmblidhja në një fjali, do ta fokusoja te një moto, zbatim i fortë i ligjit dhe shërbim ndaj qytetarit. Kurse përtej kësaj më duhet të them se kam punuar gjatë gjithë kësaj kohe me bashkëpunëtorët e mi, edhe me shumë ekspertë për përgatitjen e një dokumenti politik në të cilin janë mirëpërcaktuar qartë 10 prioritete kyçe ku do të fokusohet drejtimi i punës sime në udhëheqje të Ministrisë së Brendshme në ushtrim të përgjegjësive të mia kushtetuese dhe ligjore.

Ilva Tare: Ka qenë një dokument politik, thatë?

Ministri Xhafaj : Dokument politikash lidhur me prioritetet, objektivat dhe masat ku do të fokusohet puna në vazhdim. Për të shkuar deri te ky dokument i cili sot mund të konsideroj që është një draft që është formësuar qartë, është i konturuar mirë, por është ende në proces për t’u bashkëshoqëruar me një plan-veprimi që do të përcaktojë masat dhe veprimet konkrete, indikatorët matës të rezultatit, përgjegjësitë, afatet kohore dhe pritshmëritë rreth tyre.

Në funksion të saj, nuk ka qenë një punë e lehtë, dua të them diçka që nuk ka qenë shumë publike, kam punuar shumë jashtë vëmendjes së kamerave, kontakteve me median. Kemi pasur shumë takime, disa takime, me prokurorë, të cilët i kam ftuar që të japin përshtypjet, komentet, vlerësimet e tyre, propozimet, sugjerimet ku ata mendojnë se duhet të përmirësohet puna e policisë; me punonjës të policisë të strukturave dhe niveleve të ndryshme, të eksperiencave të ndryshme, të moshave të ndryshme; me aktorë të shoqërisë civile që janë të fokusuar në veprimtarinë e organizatave të tyre në çështje të rendit dhe sigurisë; me gazetarë të kronikës dhe gazetarë investigativë dhe pa dyshim, me partnerët. Kemi punuar ngushtësisht me partnerët. Jam shumë i lumtur për faktin se kam marrë prej tyre kontribute të drejtpërdrejta për dokumentin dhe e shoqëruar kjo edhe me mbështetje konkrete për mënyrën se si do t’i qasemi bashkarisht disa çështjeve themelore që ka ky dokument.

Ilva Tare: Kur do të bëhet publike?

Ministri Xhafaj: Dokumenti siç thashë, do të bëj një rikalim gjatë kësaj jave dhe javës që vjen përsëri te partnerët, për shkak se ka një gjë shumë pozitive që jo vetëm përfaqësuesit e tyre këtu në Tiranë, por ata kanë kërkuar që edhe zyrat qëndrore të tyre, nga ata vijnë, të shprehen rreth këtij dokumenti pasi e konsiderojnë një gjë vërtet të dobishme, edhe në kuadrin e bashkëpunimit dypalësh apo shumëpalësh dhe besoj që brenda harkut të 2 javëve do të jetë një dokument që do të prezantohet në publik dhe ndoshta do të shënojë fillimin e një sërë veprimesh konkrete të rëndësishme në detyrën time si ministër, por edhe të ekipit që do të punojë me mua gjatë kësaj kohe.

Ilva Tare: A do t’i prekim disa nga këto prioritete besoj sot, apo janë ekskluzive e janë sekrete ende deri sa të bëhen publike?

Ministri Xhafaj: Për aq sa do të mundem, patjetër...

Ilva Tare: MInistër Xhafaj, ju thatë që keni marrë mbështetje sidomos kur ju ka sulmuar opozita. Por në fakt ju dhe miku juaj Gramoz Ruçi keni qenë më të sulmuarit nga opozita veçanërisht gjatë debatit që u bë për miratimin e qeverisë? A keni një shpjegim, pse ky sulm kundër jush?

Ministri Xhafaj: Jo nuk është hera e parë, kështu sulmet më të mëdha realisht kanë qenë realisht në periudhën kur filloi të formësohet reforma në drejtësi, ato kanë qenë sulmet më të egra, të dukshme dhe të padukshme. Ka qenë një bashkim i disa grupeve e interesave politike, njerëzve që vinin nga sistemi dhe njerëz të biznesit të cilët janë bashkuar bashkë për të sulmuar politikisht, por edhe për të ushtruar një lloj presioni në të gjithë atë ndërmarrje të jashtëzakonshme.

Ilva Tare: I keni kategorizuar si sulme politike dhe nuk ndiheni i prekur nga to, ne lidhje me të shkuarën tuaj politike?

Ministri Xhafaj: Absolutisht, absolutisht nuk kam asnjë gjë që të më provokoj. Natyrisht kur ndeshesh me qëndrime apo reagime të kësaj natyre, janë më shumë të karakterit personal sesa të nevojës për të debatuar apo për t’u ballafaquar apo për t’u përplasur.  Pikëpamje të ndryshme; nuk ndjehesh mirë, por në fund të fundit ky është një realitet i hidhur i shoqërisë shqiptare, në mënyrë të veçantë i politikës shqiptare, akoma në mënyrë më specifike i disa njerëzve që e kanë ndërtuar gjithë karrierën e tyre mbi prodhimin, hedhjen dhe shpërndarjen e baltës për cilindo dhe ngado.

Ilva Tare: A mund ta ndani me teleshikuesit e kësaj studioje se cila ka qenë e shkuara juaj në periudhën e komunizmit? E di që janë shumë, por nëse mund ta përmblidhni.

Ministri Xhafaj: Jo. Jo.

Ilva Tare: Është me interes publik.

Ministri Xhafaj:  Nuk ka ndonjë gjë të veçantë. Të kuptohemi, kur është ndryshuar sistemi unë kam qenë vetëm 30 vjeç. Kam mbaruar Juridikun në vitin `82.

Kam punuar për disa kohë jurist, ndihmës-këshilltar ligjor, gjyqtar. Dhe pastaj kam punuar, për pak kohë, gati  një vit e pak hetues, por jo hetues në Ministrinë e Brendshme, siç mundohen ta paraqesin. Kur në momentin, - për të gjithë ata që nuk e njohin, -që hetuesia ka qenë pjesë e sistemit të drejtësisë, pra pranë Prokurorisë. Ashtu siç do të konsiderohen sot, e thënë në terminologji, hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit, që do të jenë pranë SPAK-ut. E di që ka pasur disa akuza lidhur me, nëse kam marrë pjesë, kam hetuar apo gjykuar çështje të karakterit politik. E kam dhënë një përgjigje publike. ju zakonisht i kërkoni këto për herë të dytë, për herë të tretë. Por meqë më pyetët, po them në mënyrë kategorike, në mënyrë kategorike, në asnjë rast nuk kam hetuar apo gjykuar një çështje të karakterit, të natyrës politike. Në mënyrë kategorike. Për këtë jam shumë, shumë, shumë i qetë dhe i qartë. Edhe vetë koha ka qenë shumë e shkurtër, edhe si gjyqtar, edhe si prokuror, edhe për detyrën e hetimit.. Por jam sot edhe i vetëdijshëm përse ka ndodhur gjithë kjo histori e sajuar. Ajo që është më e keqja është një histori e sajuar. Janë tentuar të korruptohen apo të shfrytëzojnë njerëz të caktuar thjesht dhe vetëm për të më sulmuar politikisht. Është shumë e turpshme, është shumë banale. Disa prej tyre më kanë shkruar. Janë ndjerë keq. Kanë shkruar drejtpërsëdrejti, por që janë përdoruar ata ose të afërmit e tyre. E di shumë mirë edhe nga ka ardhur gjithë kjo dhe kush është angazhuar për këtë gjë dhe çfarë kanë premtuar për ta bërë këtë gjë. Por kjo është shumë e parëndësishme. Është farë e parëndësishme. 

Dua të them që unë si shumë njerëz, mund të ketë gjëra që kam bërë gabime në jetë, me gjithë këtë jetë të gjatë dhe jo pak të gjatë, por nuk ka asnjë gjë për të cilën të ndjehem keq. Përkundrazi nuk ka asnjë gjë që të më bëjë sot që të ndjehem keq. Jo thjesht dhe vetëm përpara qytetarëve, por edhe individit vetë. Se përsa i përket veprimeve politike..., këto budallallëqe që s’meritojnë më shumë se kaq. 

Ilva Tare: Po kur shikoni foton tuaj afër ish-diktatorit Hoxha që publikohet herë pa here, ua riciklojnë edhe atë. Si ndjeheni?

Ministri Xhafaj: Është thjesht një kujtim i së shkuarës.

Ilva Tare: Ju bezdis fakti që e publikojnë? Ju nuk jeni i vetmi, në fakt, që është aktualisht aktiv në politikë që ka foto me Enver Hoxhën.

Ministri Xhafaj: Jo, jo fare. Bëjnë pjesë në arkivin e jetës time. Kaq, asgjë më shumë. Argëtohem ndonjëherë, rri dhe shikoj veten si kam qenë.

Ilva Tare: Nuk është e vetmja akuzë lidhja, angazhimi juaj në kohën e komunizmit. Edhe akuza personale ju kanë ardhur nga opozita që gjithashtu ju janë rikthyer shpesh herë në vëmendje, sidomos me vëllain tuaj. A keni ndonjë shpjegim pse rikthehen këto akuza dhe a keni menduar ndonjëherë ta çoni në organet e drejtësisë për t’i dhënë përfundimisht një përgjigje.

Ministri Xhafaj: Kam 15 vite që merrem me këtë histori. Kam 15 vite që më mbajnë të njëjtin avaz. Është çështje e tyre, nuk është çështja ime. Unë kurrë në jetën time nuk jam marrë me familjarët e kurrkujt dhe as nuk kam ndërmend të merrem ta bëjë një gjë të tillë. Unë nuk jam këtu në politikë për tu marrë me familjarët e kundërshtarëve të mijë politikë. Unë jam këtu për të bërë detyrën time, për të shfaqur përgjegjësitë e mia dhe ata i shikoj si konkurrent dhe jo si armiq. Të jem i sinqertë, e kam thënë dhe nuk merrem më me këtë histori se është thjesht një histori përbaltje. Natyrisht kam një lloj keq ardhje për të sepse, kur shikoj nënën, kunatat, nipërit mbesat që cenohen nga e gjithë kjo që për shkak të qenies time në politikë apo për shkak rolit tim aktiv në politik, detyrohen që të mbajnë mbi vete disa sulme të tilla të egra të kësaj natyre që ja vështirësojnë jetën dhe ja bëjnë të pakuptimtë. Por gjithsesi është një kosto që duhet ta paguaj sa kohë që bashkëjetoj me këtë lloj politike që bëhet sot në Parlamentin shqiptar dhe në përgjithësi nga kundërshtarët politik. Natyrisht është edhe pak hipokrite e gjithë kjo histori, kur e shikoj këtë që sulmohem për të kaluarën time politike nga disa njerëz që kanë njolla të errëta pikërisht në të djeshmen e tyre dhe për më tepër kur shikoj sot që flasin për familjarët e mi, njerëz që do të duhet të flasin për përgjegjësitë e tyre, për krimet që kanë... për abuzimet që kanë bërë në raport me qytetarët e këtij vendi.

Ilva Tare: Ata mbase nuk kanë pse flasin. Duhet të flasin institucionet e shtetit shqiptar.

Ministri Xhafaj: Kjo do të duhej të ishte logjika dhe ajo që do të duhet të..... Shiko, Ministër i Brendshëm apo deputet jam bërë unë, nuk janë bërë familjarët e mi. Ajo që nuk arrijë të kuptojë ndonjëherë është, ku jam unë këtu? Që do të thotë: Do të duhej që ata të më vlerësonin mua për atë që bëj unë, për atë që shfaq unë, për përgjegjësitë e mia në raport me detyrën dhe ligjet e shtetit. Në fakt ndodh e kundërta. Nuk merren me mua, por merren me familjarët e mi. Nuk merren me mua dhe jam i bindur pse nuk merren me mua. Se nuk kanë çfarë të merren me mua. Dhe për këtë gjë jam shumë krenar në jetën time. Unë jam qenë disa herë funksionar i lartë zyrtar. Kam qenë Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave. Kam qenë Ministër i Rregullimit të  Territorit dhe Turizmit. Kam qenë Ministër i Drejtësisë, jam aktualisht Ministër i Brendshëm  dhe nuk ka një dritë hije në gjithë karrierën time në raport me përgjegjësitë e mia, politike kushtetuese dhe ligjore. Nuk gjendet qoftë një rast i vetëm që ta kem ngritur karrierën time apo të kem ushtruar detyrën time në shkelje të ligjit apo në çfarë do lloj abuzimi sa do të vogël, dhe për këtë gjë unë jam shumë krenar.

Ilva Tare: Pyetja e fundit për këtë pjesë, sepse dua të hyjë në çështjet e Ministrisë së Brendshme. Kur u dekretuat për herë të parë Ministër i Brendshëm, Presidenti i Republikës në atë kohë Bujar Nishani foli në konferencë dhe tha se të ishte për të nuk do të ishte dekretuar, por nuk ja lejonte kushtetuta ta bënte këtë. Si e vlerësoni këtë qëndrim?

Ministri Xhafaj: Meqenëse më pyetët, unë dua të them që unë kam respekt për institucionet sepse jam vetë zyrtarë. E respektojë vetë detyrën dhe kam respekt për institucioni e Presidentit edhe kur në atë funksion ulen njerëz që nuk e meritojnë. Në atë rast, nuk besoj se ka folur Presidenti i Republikës, por ka folur ushtari politik Bujari. Mua nuk më intereson Bujari, më intereson Presidenti.

Ilva Tare: Ok. E kalojmë edhe këtë qëndrim sepse duhet t’i rikthehem pjesës së opozitës. Mendoni se do t’ia fitoni besimin opozitës në kushtet kur ata hodhën akuza sërish ndaj jush dhe menduan që Vetting-u mund të jetë një SHOË, mund të jetë një gjueti e mundshme shtrigash. Nivel i ulët besimi. Mendoni se mund ta fitoni atë, dhe si?

Ministri Xhafaj: Unë nuk jam këtu për të fituar dashurinë dhe besimin e opozitës.

Ilva Tare: Por dhe ju duhet. Se opozita përfaqëson, është e votuar nga shqiptarët.

Ministri Xhafaj: Dakord. Qëllimi im kryesor është të firoj besimin e qytetarëve. Dhe unë, nga mëngjesi deri në darkë, punoj pikërisht për këtë gjë: si të zbatoj ligjin dhe t'u shërbej me ndershmëri e përkushtim njerëzve të këtij vendi në përgjegjësinë që unë kam. Nëse në këtë proces opozita do të kujdeset se si çështjet e rendit dhe sigurisë publike të trajtohen më mirë, nëse do të vihen në fokus pikërisht këto çështje, e nëse ajo do të diskutojë për atë që unë bëj dhe nuk bëj, atëherë besoj se do kemi një raport krejt tjetër.

Ilva Tare: Do ia shtrinit dorën e bashkëpunimit opozitës?

Ministri Xhafaj: E thashë në parlament. Në diskutimin tim në parlament iu kam thënë që jam shumë i gatshëm, nga mëngjesi deri në darkë, të ulem të diskutoj me kolegët e mi të opozitës për çështje që kanë interes për qytetarët. Natyrisht ata kanë të drejtën e tyre të bëjnë oponencën, vlerësimin, kritikën e punës sime dhe të tregojnë si ata do ta kishin bërë më mirë nga ç'po e bëj unë. Natyrisht kanë gjithë të drejtën e tyre të jenë skeptikë e të ngrenë pikëpyetje - prandaj janë në opozitë. Por besoj se nëse do të mund të vendosim një raport ose marrëdhënie të qartë institucionale dhe respekti për njëri-tjetrin në funksion të një debati të shëndetshëm, absolutisht kam qenë dhe mbetem i hapur. Unë kam marrëdhënie shumë të mira me një pjesë të tyre. Edhe marrëdhënie personale shumë-shumë të mira. Shpresoj që ata të dinë e të kuptojnë qartë dhe përgjegjësitë që kanë edhe si opozitë në raport me fatet dhe shqetësimet që kanë qytetarët e këtij vendi.

Ilva Tare: Pas një muaji aktivitet gjatë atij mandati të shkurtër kur u bëtë Ministër i Punëve të Brendshme, morët komplimente nga disa eksponentë të opozitës për punën tuaj - sidomos në luftën kundër kanabisit por dhe për lëvizjet që bëtë të drejtorët e Policisë së Qarqeve. Besoni se mund ta keni sërish këtë frymë komplimentesh nga opozita?

Ministri Xhafaj: Sërish nuk jam shumë i interesuar për komplimente sa jam për një bashkëpunim konstruktiv dhe të shëndetshëm me ta. Komplimentet le t'ua lemë qytetarëve, nëse do ketë nevojë për të tilla. Gjithsesi ajo ishte një periudhë intensive. Dhe besoj se edhe ato raste që janë shprehur, kanë qenë më shumë një dalje jashtë kontrolli nga linja politike zyrtare e Partisë Demokratike. Se nuk është në natyrën e (saj).

Ilva Tare: Pra nuk ka folur Partia Demokratike por eksponentë të caktuar që kanë dalë nga linja.

Ministri Xhafaj: Besoj.

Ilva Tare: Megjithatë mos i paragjykoni se mund t'ju komplimentojnë sërish nëse ndjejnë se po e bëni punën ashtu siç e duan dhe ata, ndoshta.

Ministri Xhafaj: Komplimente me gurë dhe baltë unë nuk kam parë. Nëse keni parë ju një politikë të tillë, të ngjashme, të kësaj natyre, është çështje tjetër.

Ilva Tare: Jo, dua të them që nuk është kurrë tepër vonë që të ndërrojë politika dhe në këtë vend.

Ministri Xhafaj: Absolutisht kështu do ishte mirë. Dhe unë besoj se nëse do ndodhte kjo, nuk do ishte mirë thjesht dhe vetëm për maxhorancën. Në radhë të parë do ishte mirë për qytetarët, por besoj se do ishte akoma më mirë për opozitën.

Ilva Tare: Për t'iu kthyer pak luftës kundër kanabisit. Ministri teknik, z.Demiraj (nuk e di marrëdhënien që patët me të, i latë detyrën, e rimorët detyrën prej tij)...

Ministri Xhafaj: Po, thjesht jemi takuar vetëm në dy raste, në momentin kur i kam dorëzuar atij detyrën dhe kur ai bëri të njëjtën gjë me mua.

Ilva Tare:... dhe ka thënë se "lufta ndaj kanabisit ka qenë rezultative këtë muaj".

Ministri Xhafaj: Po, ka thënë disa të vërteta në fakt, që shkojnë përkundër deklarimeve zyrtare të Partisë Demokratike. Por besoj se kanë qenë deklarata të sinqerta, të një njeriu që e njohu realitetin nga afër, dhe me sa duket duhet të ketë pasur një raport të mirë me të vërtetën që nuk ka vendosur ta përdhosë atë.

Ilva Tare: Ne do shkojmë në publicitet. Por kur të rikthehemi do të ndalemi pikërisht këtu. Se Kryeministri ka thënë se "ky do jetë viti që do të marrë fund kanabizimi dhe kanabisi në Shqipëri". Si do ta mundësoni këtë?

Ministri Xhafaj: Ky është një realitet.

Ilva Tare: Realitet që "do të marrë fund"?

Ministri Xhafaj: Është duke marrë fund.

Ilva Tare: Jemi drejtpërsëdrejti me Ministrin e Brendshëm. Po flasim tani për ndoshta për një nga çështjet më të diskutuara jo vetëm politikisht. Zoti Xhafaj besoj se ju e keni ndjerë këtë edhe po nuk ishit pjesë e Ministrisë së Brendshme. Kanabizimi i Shqipërisë, futja në një hartë që nuk besoj se nuk i ka bërë krenar shqiptarët, por edhe partnerët tanë në lidhje me një realitet që u duk se u luftua me Lazaratin, por më pas u kthye në një ‘’Lazaratizim’’ të gjithë vendit. Sa realist është premtimi i Kryeministrit se kjo do të shënoj fundin, ky vit, dhe në çfarë faze është kjo luftë me kanabisin?

Ministri Xhafaj: Mendoj që ka qenë një premtim goxha i rëndësishëm dhe sot mund të themi që kjo është një premtim i mbajtur. Më ka ndodhur dy herë kjo histori, kur në 2015 kur filluan klithnin për Reformën në Drejtësi, një pjesë kishte shumë skeptik dhe sot ka ende. Kemi kohë për ta rrëzuar murin e spekticizmit. Por kishte ironi, kishte lloj- lloj gjërash rreth kësaj, mos t’i kthemi asaj. Në mars të këtij viti kur deklarova publikisht vullnetin e qeverisë shqiptare me marrjen e detyrës si Ministër i Brendshëm që kanabisi.. do t’i jepej fund historisë me kanabisin dhe Shqipëria do të largohej nga harta e vendeve që kultivojnë kanabisin. Ka pasur shumë, jo vetëm që ishin skeptik, por edhe më përfolën edhe nëpër media për një lloj marrëzie ministrore të mësuar me këtë SHOË-n e herë pas hershëm ndonjëherë të politikës. Sot është një realitet konkret. Po them që mbjelljet e këtij viti të kanabisit janë nën mesataren e të gjitha viteve po se po, por edhe me mesataren e kultivimit po flasim të kanabisit, nga viti 1995 e deri më sot.

Ilva Tare: Shifra nuk jepni dot, janë thjesht nën mesataren. Flasim për mbjelljen se është dhe sezoni.

Ministri Xhafaj: Jo, jo shifra kemi. Jo sezoni ka mbaruar.

Ilva Tare: Ka mbaruar sezoni?

Ministri Xhafaj: Sigurisht. Praktikisht janë rreth 32 mijë e 300 bimë kanabisi të identifikuara dhe asgjësuara. Është shifra më e ulët e identifikuar në gjithë këto vite. Janë evidentuar rreth 228 raste konkrete me rreth 50 e ca mijë .....

Ilva Tare: Janë kapur kultivuesit?

Ministri Xhafaj: Në shumicë po.... në pjesën më të madhe dërrmuese të tyre, përgjithësisht po

Ilva Tare: Flasim sërish për fermerët fakir apo kokat që e bëjnë

Ministri Xhafaj: Jo ka pasur edhe ... Po flasim për kultivim. Trafiku i kanabisit dhe përgjithësisht i drogës është histori tjetër. Në rastet e kultivimit rezultatet janë vërtetë pozitive. Janë  vërtetë pozitive. Janë vërtet shumë pozitive dhe Shqipëria besoj që me rezultatet që do të bëhen publike shumë shpejt, besoj që do t’i japi të drejtë gjithë kësaj çfarë ne kemi deklaruar dhe kemi bërë gjatë gjithë këtij vitit. Dhe natyrisht këtu, Policia e Shtetit ka një meritë të veçantë.

Ilva Tare: Çfarë ndodhi që u kultivua kaq pak?

Ministri Xhafaj: Mendoj që në 2016-n pati një fenomen masiv të mbjelljes, të kultivimit të kanabisit që është rezultat i disa arsyeve.

Së pari, mungesë vëmendjeje ose një lloj po e them, u quajt e kapërcyer kjo me goditjen e veçantë që iu dha çështjes së kanabisit në Lazarat dhe në Dukagjin. Përgjithësisht strukturat u gjendën të papërgatitura për këtë çyshtje. Nga ana tjetër u rrit shumë oferta në tregun europian për kanabis. Dhe ajo që do ta konsideroja një gjë shumë të dëmshme dhe faktin që një pjesë në këtë proces, një pjesë e policisë u implikua. U implikua dhe kjo që edhe policia të mos kishte forcën e duhur për të reaguar. Ishte një realitet i cili për hir të së vërtetës u pa me shumë përgjegjësi nga qeveria. Kjo ishte ajo arsyeja që qeveria përgatiti një plan të posaçëm Kombëtar të Luftës Kundër Kanabisit duke mos e konsideruar të thjeshtë dhe vetëm një çështje që i përket Policisë së Shtetit, por një çështje që i përket të gjithë strukturave shtetërore, opinionit publik dhe përcaktoi një sërë masash të nevojshme që do ta shihnin këtë edhe nga një këndvështrim tjetër.  

Një nga gjërat e domosdoshme ishte për të siguruar një ndarje të qartë ndërmjet fermerëve dhe interesave të tyre në këtë fushë dhe grupeve kriminale për t’i përdorur tokat bujqësore apo interesat e fermerëve në funksion të aktivitetit të tyre kriminal. U morën një sërë masash të rëndësishme gjatë këtij viti. Nuk është vetëm çështje e vullnetit politik, kjo është edhe një çështje organizimi, koordinimi dhe përgjegjësie më të madhe të strukturave përkatëse të angazhuara në këtë proces, të Policisë në radhë të parë. Dhe po ju them ajo çka ishte ndryshe, ishte një kontroll shumë më i mirë i territorit dhe i strukturave të Policisë në terren. Një monitorim shumë më eficient i aktivitetit të veprimtarisë së këtyre strukturave. Një kombinim më i mirë i punës dhe përgjegjësisë që ka Policia  dhe strukturave Vendore, përfshi dhe deri drejtuesit administrativë në territor apo shërbimet e tjera të  shtetit që ushtrojnë aktivitetin në territor, siç janë ata që merren me pyjet, me mjedisin etj. etj.  E gjithë kjo mendoj se ishte një kombinim masash institucionale, organizative dhe policore, të cilat dhanë këtë rezultat.

Ilva Tare: Më lejo të bëjë disa pyetje që të hyjmë pak më...

Ministri Xhafaj: ...Duhet të jemi të qartë dhe ky realitet nuk është një pohim i vetë Policisë së Shtetit. por ky është një pohim i strukturave, agjencive ndërkombëtare që e kanë monitoruar. Le të mos harrojmë që këtë e monitoron fort nga ajri strukturat e Guardia di Finanza-s, pra të Policisë Italiane, përmes teknologjisë bashkëkohore. Tashmë është angazhuar edhe vetë Brukseli në mbështetje të këtij operacioni. 

Unë besoj që në fund të tetorit të kemi rezultatin zyrtar të këtyre agjencive mbi situatën e kultivimit të kanabisit në Shqipëri. Deri atëherë duhet të presim se cili do të jetë ky rezultat. Nuk besoj që do t’i vërsulen. Ndoshta do të ketë dhe nga ata që tani, kësaj radhe siç u vërsulën për Reformën në Drejtësi apo ambasadorit amerikan dhe ambasadorit të BE-së, tani do t’i vërsulen Qeverisë Italiane dhe Brukselit për monitorimin e kanabisit në Shqipëri.

Ilva Tare: Në çfarë niveli arrinte implikimi që ju e pranuat që kishte në forcat e Policisë, ishte në nivele të ulëta, polic të thjeshtë apo në nivelet më të larta. Ju shkarkuat, lëvizët nga posti edhe drejtorë të Policisë së qarqeve.

Ministri Xhafaj: Jo të gjithë ata lëvizën për këtë motiv, vetëm. Por gjithsesi, besoj që...

Ilva Tare: Shkonte deri lart, edhe te drejtorët apo flasim për implikim të policëve të thjeshtë?

Ministri Xhafaj: Padyshim edhe te drejtues të niveleve të ndryshme të Policisë së Shtetit.

Ilva Tare: Dhe çfarë ndodhi me këta, thjesht u larguan nga policia dhe kaq. Do të ketë një pasojë për implikim e tyre?

Ministri Xhafaj: Unë di që ka pasur dhe ka çështje Prokuroria.

Ilva Tare: Që janë referuar nga Policia?

Ministri Xhafaj: Po unë di që ka çështje që i ka nisur kryesisht por dhe që janë referuar. I takon Prokurorisë të flasë.   

Ilva Tare: Nuk kemi dëgjuar të ketë ndonjë të proceduar ose që të jetë në hetim.

Ministri Xhafaj: Ky është një problem që edhe mua më shqetëson. Ky është realisht një problem sepse shpresoja që Prokuroria të kishte lëvizur më mirë në këtë aspekt.

Ilva Tare: Kur përmendet 228 rastet që po ndiqen, janë më shumë fermerët apo janë personat që janë marrë me trafikimin e kanabisit?

Ministri Xhafaj: Përgjithësisht ka një shkëputje ndërmjet atyre që kultivojnë dhe atyre që trafikojnë, për shkak se pjesa e trafikantëve tregohen më të kujdesshëm. Por nga aq sa e njoh unë, sepse nuk jam një njohës në detaje, nuk jam drejtor i policisë, sigurisht jam ministër, por ka edhe raste kur ka një lidhje ndërmjet atyre që kultivojnë dhe atyre që e trafikojnë, të drejtpërdrejtë. Pra edhe ata që e trafikojnë, janë njëkohësisht edhe kultivues.

Ilva Tare: A mund të shmanget ai rrezik që ndodhi me reformën në sektorin energjitik psh., kur ata persona që nuk kishin realisht, ishin të varfër, në kushte të pamundësisë për ta paguar u dënuan dhe shkuan në burg, dhe kompani të fuqishme që nuk paguanin energjinë vazhdojnë ndoshta edhe sot e kësaj dite kanë probleme me faturat e energjisë?

Ministri Xhafaj: Nuk e di që të jetë kështu kjo e energjisë, por di që është kështu te rasti i trafikut. Unë jam i vetëdijshëm se ne kemi goditur fort aspektin e kultivimit në nivel territori, por ende nuk i kemi agresuar fort grupet kriminale që merren me çështjet e trafikut të kanabisit. Këtu jam plotësisht i ndërgjegjshëm dhe i përgjegjshëm dhe them që kjo është padyshim një nga sfidat kryesore që do të duhet të përballem unë në cilësinë e ministrit dhe pa dyshim, në radhë të parë, gjithë efektivi i policisë së shtetit dhe ne po përgatitemi seriozisht  për këtë gjë.

Ilva Tare: Z. Xhafaj, jeni i vetëdijshëm për problemet që mund të shkaktojë përballja me këto grupe kriminale, qoftë edhe përplasje të forta?

Ministri Xhafaj: Përplasje të forta, në ç‘kuptim?!

Ilva Tare: Me policinë e shtetit, me shtetin, flasim për grupe kriminale të mirorganizuara, shumë të pasura...

Ministri Xhafaj: Ju e dini që unë jam lindur dhe rritur në një qytet që nuk e ka problem përballjen, po të jetë personalisht, nëse ...

Ilva Tare: Jo vetëm personalisht. Këto janë tronditje, përplasje tektonike që mund të sjellin shqetësim edhe për mbarë shoqërinë?

Ministri Xhafaj: Në këtë sens mund të them që pa dyshim që po, dhe kjo është një ndër arsyet që edhe vetingut synon pikërisht këtë gjë, ta pastrojë policinë nga njerëzit e inkriminuar, në mënyrë që pjesa e shëndetshme të forcohet dhe të zgjerohet për t’i bërë ballë pikërisht një përballjeje të tillë me struktura kriminale, të mirorganizuara dhe të forta ekonomikisht. Ne jemi të vetëdijshëm që do të jetë një betejë shumë e fortë dhe jemi të përgatitur për këtë gjë. Por të jeni të bindur që do të ketë rezultate konkrete.

Ilva Tare: Ok, kjo mbetet për t’u parë por e vlerësoj optimizmin tuaj...

Ministri Xhafaj: Nuk është optimizëm, është përgjegjësi, nuk është çështje optimizmi, është çështje përgjegjësie, dhe për këtë unë jam shumë i vetëdijshëm, jam shumë i qartë për këtë gjë. E kam diskutuar qartazi edhe me bashkëpunëtorët e mi, do ta ndajmë këtë në ditët në vijim edhe me strukturat e policisë, por edhe me partnerët.

Ilva Tare: Përmendët kultivimin, gjendjen aktuale të kultivimit që është në nivele më të ulëta, krahasuar me vitet e mëparshme. Po magazinimi, në ç‘gjendje është? Dmth ka ende rezerva të mëdha, sepse Italia duket se po jep herë pas here alarmin, 4 tonë u kapën pak ditë më parë, në  një jaht që kaloi nga Shqipëria...

Ministri Xhafaj: Tani duhet të ndajmë një gjë, pjesa e krimit që operon në këtë sektor, do të vazhdojë të ushtrojë aktivitetin e vetë dhe në asnjë rast nuk kemi thënë dhe nuk e themi që kjo do të jetë një gjë e lehtë. Është një gjë e vështirë dhe për sa kohë që edhe bota e krimit në këtë fushë është sofistikuar dhe ashpërsuar. Padyshim që kjo do të jetë një betejë që do të zgjasë dhe do të ketë një sërë përballjesh në këtë aspekt.

Ilva Tare: Ok. E kalojmë edhe këtë qëndrim sepse duhet t’i rikthehem pjesës së opozitës. Mendoni se do t’ia fitoni besimin opozitës në kushtet kur ata hodhën akuza sërish ndaj jush dhe menduan që Vetting-u mund të jetë një SHOË, mund të jetë një gjueti e mundshme shtrigash. Nivel i ulët besimi. Mendoni se mund ta fitoni atë, dhe si?

Ministri Xhafaj: Unë nuk jam këtu për të fituar dashurinë dhe besimin e opozitës.

Ilva Tare: Por dhe ju duhet. Se opozita përfaqëson, është e votuar nga shqiptarët.

Ministri Xhafaj: Dakord. Qëllimi im kryesor është të firoj besimin e qytetarëve. Dhe unë, nga mëngjesi deri në darkë, punoj pikërisht për këtë gjë: si të zbatoj ligjin dhe t'u shërbej me ndershmëri e përkushtim njerëzve të këtij vendi në përgjegjësinë që unë kam. Nëse në këtë proces opozita do të kujdeset se si çështjet e rendit dhe sigurisë publike të trajtohen më mirë, nëse do të vihen në fokus pikërisht këto çështje, e nëse ajo do të diskutojë për atë që unë bëj dhe nuk bëj, atëherë besoj se do kemi një raport krejt tjetër.

Ilva Tare: Do ia shtrinit dorën e bashkëpunimit opozitës?

Ministri Xhafaj: E thashë në parlament. Në diskutimin tim në parlament iu kam thënë që jam shumë i gatshëm, nga mëngjesi deri në darkë, të ulem të diskutoj me kolegët e mi të opozitës për çështje që kanë interes për qytetarët. Natyrisht ata kanë të drejtën e tyre të bëjnë oponencën, vlerësimin, kritikën e punës sime dhe të tregojnë si ata do ta kishin bërë më mirë nga ç'po e bëj unë. Natyrisht kanë gjithë të drejtën e tyre të jenë skeptikë e të ngrenë pikëpyetje - prandaj janë në opozitë. Por besoj se nëse do të mund të vendosim një raport ose marrëdhënie të qartë institucionale dhe respekti për njëri-tjetrin në funksion të një debati të shëndetshëm, absolutisht kam qenë dhe mbetem i hapur. Unë kam marrëdhënie shumë të mira me një pjesë të tyre. Edhe marrëdhënie personale shumë-shumë të mira. Shpresoj që ata të dinë e të kuptojnë qartë dhe përgjegjësitë që kanë edhe si opozitë në raport me fatet dhe shqetësimet që kanë qytetarët e këtij vendi. ... vijon..