Postuar më: 11 Qershor 2017

Arrestohet autori i dyshuar i vrasjes së ish-oficerit Cuku

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Haki Çako, së bashku me Prokurorin e Krimeve të Rënda Henrik Ligori, konferencë për media pas arrestimit të autorit të dyshuar të vrasjes së ish-oficerit të Policisë së Shtetit, Artan Cuku:

Haki Çako: Pas një pune intensive profesionale të strukturave për Hetimin e Krimeve të Rënda në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit si dhe ato të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, në bashkëpunim të ngushtë dhe në drejtimin procedurial të Prokurorisë për Krimet e Rënda Tiranë, në vlerësim të informacioneve, formave dhe metodave policore dhe shkencore, por edhe në bashkërendim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë dhe policitë e vendeve të Bashkimit Europian,  më datë 10.06.2017, u bë i mundur ekzekutimi i urdhër-ndalimit të Prokurorit, për të dyshuarin e vrasjes së ndodhur më datë 08.04.2017, ku është vrarë me armë zjarri, shtetasi Artan Cuku, ish-oficer policie.

Autor i kësaj ngjarjeje është shtetasi Mikel Edmond Shallari, i datëlindjes 1993, lindur në Kuçovë dhe banues në Qytetin Studenti, Tiranë.

Vazhdon puna intensive për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje.

Pyetje: Z. Çako mund të na thoni cili është roli i të dyshuarit Shallari në ngjarje, është ekzekutor apo porositës i krimit?

Haki Çako: Roli i Mikel Shallarit në këtë ngjarje është ekzekutor.

Pyetje: A keni shpallur në kërkim ndonjë person të dyshuar si porositës dhe mund të na thoni cila është pista në të cilën dyshohet ky person?

Haki Çako: Sigurisht që ka edhe persona të tjerë të shpallur "në kërkim", të cilët janë bashkautorë, roli i të cilëve do të përcaktohet gjatë hetimit me kalimin e kohës.

Pyetje: Po përsa i përket pistës?

Haki Çako: Është sekret profesional, besoj që prokurori mund të shpjegojë më shumë.

Pyetje: Z. Çako, në momentin e largimit, autori është fiksuar shumë mirë nga pamjet filmike dhe është Mikel Shallari, por a keni arritur të gjeni prova përsa i përket armës së krimit dhe a janë këta të dy, bashkëpunëtorët e tjerë të cilët e kanë ndihmuar Shallarin për ta fshehur atë?

Haki Çako: Sigurisht që provat e administruara deri në këto momente janë të konsiderueshme, bazuar në kodin e Procedurës Penale vazhdojmë punën për dokumentimin e plotë edhe të bashkautorëve, por edhe sqarimin e motiveve të kësaj ngjarjeje.

Pyetje: Nga momenti i kryerjes së krimit, Mikel Shallari ka dalë jashtë vendit, pra ka lëvizur, a ka qenë në vëzhgim dhe a dyshohet se është një vrasës me pagesë i përfshirë dhe në krime të tjera?

Haki Çako: Tashmë thashë që detajet i përkasin hetimit dhe çdo gjë tjetër do të zbardhet në një moment të dytë.

Pyetje: Më lejoni edhe një pyetje të fundit, e cila nuk lidhet shumë me ngjarjen, por me aktualitetin. Prej disa ditësh jeni personi i akuzuar nga forca të ndyshme politike, përfshirë edhe Lëvizjen Socialiste për Integrim. Keni një koment?

Haki Çako: Faleminderit, Policia e Shtetit është e angazhuar totalisht në zbatimin rigoroz të ligjit, në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe aktet e tjera normative që rregullojnë punën e saj. Mirëkuptoj çdo subjekt të caktuar politik, që në emocionet e veta dhe kushtet e etheve dhe të temperaturave të fushatës elektorale, ka shprehjet dhe të drejtat e veta.

Pyetje: Z. Çako, burimet flasin edhe për dy të shoqëruar të tjerë. Është mikesha e z. Shallari dhe një person tjetër. A janë të dyshuar këta për ndonjë vepër penale, apo do të lirohen nga policia e Tiranës?

Haki Çako: Gjithçka është në ndjekje, gjithçka është në procedurë, do të sqarohet pozita e gjithësecilit që është i shoqëruar në lidhje me këtë ngjarje. Për më shumë do t'ju informojmë me kalimin e kohës.

Pyetje: Të lutem edhe një herë tek pista, nëse prokurori nga ndihmon. Burime të rezervuara flasin për vrasje për motive të gjakmarrjes. A mund ta analizoni në këtë pikë?

Henrik Ligori: Nuk e dimë. Ne aktualisht dimë që dora që ka tërhequr këmbzën, është e Mikel Shallarit. A është njëkohësisht edhe ideatori i këtij krimi? Këtë nuk mund ta themi dot. Megjithatë për neve është shumë e rëndësishme që puna të vazhdojë më tej. Ne sot dimë me siguri ekzekutorin material të krimit. Ideatorin ende nuk e dimë. Mund të jetë Mikel Shallari, mund të jenë edhe persona të tjerë. Për këtë gjë, ne po hetojmë në vazhdimësi.

Pyetje: Z. Ligori, a ka pranuar të flasë për hetuesit ose për ju, Mikel Shallari, gjatë kohës që ka qenë i shoqëruar?

Henrik Ligori: Jo, unë kam pasur dy komunikime me të, ai vazhdon të këmbëngulë, të mohojë përfshirjen e tij në këtë krim, si ekzekutor material i tij. Nga ana ime së bashku më kolegët e Policisë, të cilët gjej rastin t'i falënderoj për punën shumë profesionale që kanë bërë, që nga data 8 Prill 2017, kur u konstatua vrasja e të ndjerit Artan Cuku dhe deri në ndalimin e këtij personi, ky i fundit është marrë në pyetje, i janë ofruar të gjitha indiciet dhe provat që e ngarkojnë atë me përgjegjësi, të cilat duhet të themi që janë të rëndësishme, janë të sakta, dhe të gjitha na çojnë drejt faktit që ai është ekzekutori material i krimit, për këtë nuk ka dyshime.  Ai është njohur me to, ka një modifikim të qëndrimit, natyrisht nga ana jonë i janë ofruar të gjitha lehtësitë që parashikon ligji në rastin e bashkëpunimit me drejtësinë, ende nuk kemi një përgjigje prej tij. Ne jemi në komunikim të vazhdueshëm me të.

Pyetje: Z. Çako një pyetje të fundit. Nga hetimet që keni bërë për personin në fjalë, a rezulton ai të jetë një ish - i arrestuar në Zvicër për vepra të tjera penale dhe ndërkohë i arrestuar të paktën dy herë këtu në Tiranë për kudërshtim ndaj forcave të Rendit? Çfarë skede personale ka ai përsa i përket aktivitetit kriminal?

Haki Çako: Sigurisht që është një person me precedentë, i evidentuar dhe i skeduar, më lejoni tashmë të përcjell dhe një herë ngushëllimet, për familjarët e mikut dhe kolegut tonë Cuku, dhe t'i siguroj ata për një hetim të gjithëanshëm në lidhje me këtë çështje.

Ju faleminderit!

Mesazhi i ministrit Demiraj për Policinë e Shtetit, pas zbardhjes së ngjarjes:

Ministri i Puneve te Brendshme Dritan Demiraj ka pergezuar Policine e Shtetit per arrestimin e te dyshuarit per vrasjen e Komisar Artan Cukut.

Ministri ka ndjekur ne vijimesi ecurine e hetimit te kesaj ngjarje te rende dhe ishte angazhuar prane familjes se Cukut (ne viziten e 29 majit 2017) se Policia e Shtetit ishte e angazhuar maksimalisht per zbardhjen e plote te ngjarjes, kapjen dhe dergimin para drejtesise te autoreve.

Ne vijim, Ministri Demiraj konfirmon mbeshtetjen e fuqishme per Policine per rritjen e kontrollit te territorit kunder trafiqeve, dhe pastrimin e radheve te Policise nga te inkriminuarit dhe personat e perfshire ne trafikun e droges.