Postuar më: 08 Mars 2017

"Dhunuesit e gazetarit Fundo do mbajnë përgjegjësi, opozita të mos e politizojë ngjarjen"

VIDEO / 8 Mars, Tiranë - Prononcim i Ministrit të Punëve të Brendshme Saimir Tahiri pas vizitës që i bëri gazetarit Elvi Fundo në Spitalin e Traumës:

Erdha të vizitoj, bashkë me drejtorin e Tiranës, gazetarin Fundo. I shpreha gjithë keqardhjen time për gjithçka ka ndodhur. Dhe e garantova, bashkë me drejtuesit e Policisë, që do bëjmë maksimumin që kjo ngjarje të zbardhet dhe përgjegjësit të dalin para përgjegjësisë.

Do i bëja thirrje kujtdo, mbi të gjitha opozitës, që të ndalë një orë e më parë politizimin e kësaj historie. Nuk bëhet politikë dhe nuk fitohen vota duke politizuar çdo ngjarje në Shqipëri. E mira është që të bëhemi të gjithë bashkë për të garantuar që Shqipëria të bëhet një vend më i sigurt dhe ku gjithkush të ketë mundësi të ushtrojë profesionin e tij, pa pasur asnjë problem dhe asnjë çështje shqetësuese.

E dëgjova pak deklaratën e opozitës dhe të them të drejtën nuk ndjej gjë tjetër veçse trishtim. Askujt nuk i shërben politizimi i panevojshëm i çdo situate. Të gjithë duhet të bëhemi bashkë të inkurajojmë forcat e zbatimit të ligjit, që të bëjnë gjithçka është e mundur për të çuar përpara drejtësisë ata që mbajnë përgjegjësi për këtë rast apo për cilindo rast tjetër.

Faleminderit.