Postuar më: 09 Maj 2017

Durrës, ministri Xhafaj takim me Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë

Durrës - Ministri i Punëve të Brendshme Fatmir Xhafaj ka zhvilluar një takim me të gjitha strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, ku ka folur rreth prioriteteve të punës së efektivave të Policisë, me theks të veçantë për sigurinë publike gjatë procesit zgjedhor si dhe për luftën kundër narkotikëve.

Në takim, Ministri Xhafaj shoqërohej nga Drejtori i Policisë së Shtetit Haki Çako.

Gjatë fjalës së mbajtur me këtë rast, ministri i Brendshëm ka kërkuar nga punonjësit e policisë që të rrisin angazhimin për të plotësuar detyrat specifike sipas sektorëve të caktuar.

Ministri nënvizoi rëndësinë kyçe që ka ruajtja e rendit dhe sigurisë publike gjatë fushatës zgjedhore dhe çdo aspekt që lidhet me procesin e zgjedhjeve parlamentare. Ai vuri theksin në paanshmërinë që duhet të karakterizojë Policinë e Shtetit gjatë procesit zgjedhor, duke theksuar se nuk do të tolerohet përfshirja e strukturave të saj në fushata paraelektorale apo elektorale, të kujtdo force politike qofshin ato. Në rast se konstatohen implikime të tilla, masat që do të merren do të jenë ekstreme, deri në largimin nga detyra.

Në fjalën e tij, Ministri Xhafaj u ndal në punën e policisë kundër kultivimit dhe trafikimit të drogës. Ai kërkoi nga strukturat e policisë që të zhvillojnë një luftë të vazhdueshme e të pandërprerë për kontrollin, evidentimin, raportimin dhe goditjen e çdo rasti të kultivimit të bimëve narkotike. Ai solli në vëmendje të efektivave të policisë se do të ketë përgjegjësi personale në rast të implikimit të ndonjë punonjësi policie në këtë aktivitet të paligjshëm kriminal.

Më pas ministri u ndal në çështjet që lidhen me sezonin turistik. Xhafaj tha se tani që po afron sezoni turistik, efektivët e Policisë duhet të zbatojnë me rigorozitet masat e posaçme, me qëllim sigurimin e një mjedisi sa më të qetë dhe të sigurt për turistët.

Në lidhje me luftën ndaj kriminalitetit, ministri tha se duhet punë e vazhdueshme dhe e përditshme, në funksion të parandalimit të nivelit të kriminalitet në nivel qarku.

Ministri Xhafaj deklaroi se kusht thelbësor për përmirësimin e imazhit të Policisë së Shtetit dhe veprimtarisë së saj është integriteti moral e profesional i efektivëve në radhët e saj.

Në përfundim Xhafaj ka falënderuar punonjësit e Policisë së Shtetit për punën dhe sakrificat e bëra, duke i siguruar për mbështetjen maksimale dhe me vullnet të plotë në goditjen e paligjshmërisë.