Postuar më: 30 Korrik 2017

EC: Situata dhe masat për shkak të zjarreve

Gjatë 24 orëve të fundit deri ne oren 09:00 te mengjesit te sotem, në të gjithë vendin janë shënuar 8 vatra zjarri në pyje e kullota ne qarqet Berat, Elbasan, Durres, Vlore e Gjirokastër. 

Ne qarqet e tjera të vendit nuk raportohet për raste zjarresh dhe vatra te vogla që kanë qenë aktive janë shuar.

Specialistët e Emergjencave Civile, janë duke mbajtur situatën në monitorim të vazhdueshëm në të gjithë vendin. 

Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile, në Ministrinë e Punëve të Brendshme përsërit thirrjen ndaj të gjithë qytetarëve që në rast se konstatojnë zjarre, të njoftojnë menjëherë në numrat e emergjencave 112, 129 dhe 128.

Qarku Berat.

Në fshatin Kutalli, bashkia Ura Vajgurore, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre, ferra dhe ullinj në pronësi. Shërbimi vendor i MZSH i bashkisë Berat ka dërguar në vendngjarje 1 automjet zjarrfikës me personelin shoqërues, të cilët kanë shuar zjarrin. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe prej 2 ha shkurre dhe ferra dhe 500 rrënjë ullinj. Nga zjarri nuk pati njerëz të lënduar.

Qarku Durrës. 

Ka rënë zjarr në shkurre dhe ferra pranë disa banesave në lagjen “Meçe” të qytetit Krujë. Shërbimi vendor i MZSH të bashkisë Krujë ka dërguar në vendngjarje 1 automjet zjarrfikës, 3 autobote me ujë së bashku me personelin shoqërues dhe disa vullnetarë kanë punuar me intensitet për disa orë dhe kanë shuar zjarrin. Si pasojë e zjarrit u dogj 10 ha me shkurre dhe ferra dhe u përshkuan nga flakët 60 rrënjë ullinj. Nga zjarri nuk pati njerëz të lënduar. 

Ka rënë zjarr në sipërfaqe me shkurre e ferra në Fushë Draç, Njësia Administrative Ishëm, bashkia Durrës. Shërbimi vendor i MZSH të bashkisë Durrës ka dërguar në vendngjarje 3 automjete zjarrfikëse me personelin shoqërues kanë punuar dhe kanë shuar zjarrin. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe prej rreth 5 ha me shkurre e ferra.   

Qarku Elbasan. 

Ka rënë zjarr në sipërfaqe me shkurre e ferra pranë ish-rrobaqepësisë në lagjen “Xhami” të qytetit Peqin. Shërbimi vendor i MZSH të bashkisë Peqin ka dërguar në vendngjarje 1 automjet zjarrfikës me personelin shoqërues që ka shuar zjarrin. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe prej rreth 0.2 ha me shkurre dhe ferra.

Ka rënë zjarr në sipërfaqe me shkurre e ferra dhe pyll Ahu në Malin Babje, Njësia Administrative Qendër, bashkia Librazhd. Shërbimi vendor i MZSH të bashkisë Librazhd ka dërguar në vendngjarje 1 automjet zjarrfikës me personelin shoqërues dhe disa vullnetarë të cilët me mjete rrethanore për shkak të terrenit kanë punuar dhe kanë shuar zjarrin. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe prej rreth 1 ha me shkurre e ferra dhe disa drurë ahu.   

Qarku Vlorë. 

Ka rënë zjarr në sipërfaqe me shkurre, ferra dhe ullishtë në fshatin Treblovë, bashkia Selenicë. Shërbimi vendor i MZSH të bashkisë Vlorë ka dërguar në vendngjarje 1 automjet me forca zjarrfikëse, si dhe disa banorë të fshatit, të cilët kanë arritur të shuajnë zjarrin. Si pasojë e zjarrit u dogj rreth 2.5 ha sipërfaqe me shkurre, ferra dhe 200 rrënjë ullinj shekullor.

Ka rënë zjarr në sipërfaqe me shkurre, ferra dhe pyll pishe në fshatin Rusan, bashkia Delvinë. Shërbimi vendor i MZSH të bashkisë Delvinë ka dërguar në vendngjarje 1 automjet zjarrfikës me personelin shoqërues, të cilët kanë arritur të shuar zjarrin. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe prej 0.2 ha shkurre dhe ferra.

Qarku Gjirokastër. 

Ka rënë zjarr në shkurre dhe ferra në fshatin Mashkullorë, Njësia Administrative Cepo, bashkia Gjirokastër. Shërbimi vendor i MZSH të bashkisë Gjirokastër ka dërguar personelin shoqërues për shkak të terrenit malor, kanë punuar me mjete rrethanore dhe kanë shuar zjarrin të ndihmuar nga forca të pyjores, punonjës të policisë së rendit dhe banorë të fshatit. Si pasojë e zjarrit u dogj rreth 6.5 ha shkurre dhe ferra. 

Janë shpëtuar banesat e fshatrave Mashkullorë dhe Cepo dhe disa ullinj e vreshtari.