Postuar më: 02 Tetor 2017

Fushata Kombëtare “Muaji i Luftës kundër Trafikimit të Personave”

Ministria e Brendshme/Zyra e Koordinatorit Kombëtar për Çështje të Luftës kundër Trafikimit të Personave, në bashkëpunim me Komitetet Rajonale të Luftës kundër Trafikimit të Personave, institucionet shtetërore dhe organizatat kombëtare dhe ndërkombëtare, partnere në përpjekjet e përbashkëta në luftën kundër trafikimit të personave, prej 4 vitesh, në kuadër të Ditës Evropiane kundër Trafikimit të Personave, përgjatë tetorit, i nominuar "Muaji i Luftës kundër Trafikimit të Personave" organizon aktivitete sensibilizuese dhe ndërgjegjësuese për parandalimin e trafikimit të personave në 12 qarqet e vendit.

Me sloganin #Bashkë Mundemi! # Luftojmë Trafikimin!, sot, hapim Fushatën Kombëtare “Muaji i Luftës kundër Trafikimit të Personave”.

Gjatë këtij muaji do të zhvillohen aktivitete në të gjithë vendin, të cilat do të përfshijnë gjithë territorin e vendit, që nga Gjirokastra e Erseka dhe deri në Koplik, Has, Bulqizë e Tropojë.

Pjesë integrale e këtyre eventeve do të jenë mbi 100 institucione/struktura shtetërore, Bashki e Njësi Administrative dhe, sigurisht, organizata kombëtare dhe ndërkombëtare, të cilat kanë qenë bashkudhëtare të iniciativave tona në luftën pa kompromis kundër trafikimit të personave.

Të gjitha këto aktivitete janë të finalizuara në kalendarin e aktiviteteve, i cili do të publikohet në faqen zyrtare të Ministrisë së Brendshme.

Sigurisht që kalendari nuk është shterues, ai do të përditësohet, në të do të përfshihen propozime që mund të vijnë nga aktorë apo partnerë, të cilët kanë vullnetin të japin kontributin e tyre në këtë sipërmarrje të përbashkët antitrafikim.

Gjatë këtij Muaji, do të zhvillohen:

  • rreth 60 forume e grupe diskutimi me profesionistë, studentë dhe përfaqësues nga komuniteti;
  • mbi 80 aktivitete ndërgjegjësuese;
  • 20 trajnime, workshope dhe tryeza të rrumbullakëta;
  • 12 ekspozita rajonale me punime të nxënësve të shkollave të mesme dhe 9-vjeçare;
  • 1 ekspozitë Kombëtare ku do të prezantohen punimet më të mira të nxënësve nga 12 qarqet dhe punime të viktimave të trafikimit që janë akomoduar në 4 qendrat pritëse dhe riintegruese;
  • rreth 50 takime ndërgjegjësuese;
  • mbi 10 emisione televizive në mediat lokale dhe kombëtare;
  • 5 marshime sensibilizuese në qarqe dhe 1 Maratonë në Tiranë;
  • mbi 30 sesione informuese me komunitetin, nxënës, mësues, psikologë, etj.
  • 1 konferencë Kombëtare, në datë 18 tetor, në Ditën Evropiane kundër Trafikimit.

 

Trafikimi i personave është një krim i rëndë që shkel të drejta dhe liritë themelore të njeriut. Si i tillë, ai nuk mund të luftohet i vetëm. Vetëm strukturat shtetërore nuk mund ta shkulin nga rrënjët këtë fenomen. Duhet angazhim mbarë shoqëror.

Prandaj, sot në hapjen Muajit Antitrafik, përtej falënderimeve për angazhimin tuaj në gjithë këto vite, ju ftoj, ju dhe gjithë qytetarët shqiptarë të bëheni pjesë e organizimit dhe zhvillimit të aktiviteteve ndërgjegjësuese.