Postuar më: 03 Mars 2017

Kjo qeveri është e vetmja që ka një plan për të luftuar drogën

VIDEO / 3 Mars, Tiranë – Fjala e ministrit të Punëve të Brendshme Saimir Tahiri gjatë takimit me Kryeministrit Edi Rama dhe drejtues të lartë të Policisë së Shtetit, për prezantimin e Planit Kombëtar për Luftën kundër Kanabisit 2017-2020:


I nderuar Zoti Kryeministër,
I nderuar Prokuror i Përgjithshëm,
I nderuar Drejtor i Shërbimit Informativ,
Të nderuar drejtues të Policisë,

Unë besoj se nuk e ekzagjeroj me konstatimin se ditën kur kjo qeveri mori detyrën Shqipëria ishte turpi i botës për shkak të drogës. Nga njëra anë heshtja dhe mbështetja e pushtetit, kriminalizimi i Policisë, korruptimi dhe heshtja e medias, e shoqërisë civile, indiferenca kolektive e diktuar nga të gjithë këta faktorë bashkë, kishte sjellë një paqe për trafikantët të cilët bënin të qetë biznesin e tyre kriminal.

Përpara se kjo qeveri të merrte detyrën, zjarrfikëset e Shtetit dhe autobotet e Ujësjellësit ujisnin parcelat publikisht – por çuditërisht nuk kishte asnjë debat për Kanabisin. Askush nuk fliste. Askush nuk dukej i shqetësuar. As qeveria e atëhershme nuk shqetësohej. As analistët (që sot nuk lenë ekran), as gazetarët, as media, as shoqëria civile, askush nuk fliste. Heshtje. Ndonëse jo vetëm Lazarati ishte mu në kokën tonë, por e gjithë Shqipëria ishte e mbytur në Kanabis, të gjithë të qetë. Të gjithë në paqe. E mbi të gjitha trafikantët, në qetësi e në paqe. E që tamam atë qetësi e paqe e kishin parajsë për biznesin e tyre të pashqetësuar.

Sot është e kundërta. Është krejtësisht e kundërta: të gjithë janë të shqetësuar! Dhe shumë mirë. Sepse kjo është arritja jonë më e madhe: shqetësimi i të gjithëve. Askush nuk është i qetë. Askush nuk fshihet. Askush nuk bën “sikur”. Dhe pikërisht kjo qeveri, ne, Policia e Shtetit, i vuri gishtin problemin dhe filluam ta zgjidhnim.

Dhe bashkë me ne, shumë mirë, u zgjuan të gjithë. Pavarësisht se sot bëjnë si të shqetësuar edhe ata që dje ishin  në qeveri – dhe flinin. Edhe ata që ishin dhe janë në media e bëjnë analizë. E kushdo tjetër që, pikërisht lufta jonë kundër Kanabisit, duket se u hapi sytë dhe panë se “e paska ky vend këtë problem”. 

E rrallë është, por ndodh këtu që po të luftosh të akuzojnë se je pjesë e problemit. Të jesh në vendin tim (dhe e them pa ekzagjerim) duket gati-gati se është apo paska qenë më mirë të mos bëj asgjë, gjumë në zyrë, asnjë luftë e asnjë përpjekje – siç bënë të gjithë Ministrat e Brendshëm përpara meje – dhe të paktën do shpëtoje nga akuzat. Ndërkohë ne, që po luftojmë nga dita e parë e detyrës, po mbajmë mbi kurriz akuzat e atyre që deri dje ishin në qeveri dhe nuk bënë jo një ditë, por asnjë orë luftë.

E rrallë është, por ndodh këtu, që rezultatet tona dhe të Guardia di Finanza për drogën janë ekzaktësisht akuza kundër nesh. Po na akuzojnë se të shkatërrosh shumë më shumë seç është bërë në të kaluarën qenka “problem”. Madje jo vetëm kaq por je “pjesë e problemit”. Pra të shkatërrosh fare pak je “më i mirë”. Të mos shkatërrosh fare siç bënte qeveria e kaluar je “akoma më i mirë”.

E rrallë është, po ndodh vetëm këtu, po na thonë “Ikni, se po luftoni shumë” (!). Këtë idjotësi dhe mediokritet kolektiv po e bëjnë ata që ishin në qeveri deri dje. E rrallë është, po ndodh vetëm këtu, “Kanë ardhur tre avionë të marrin drogën, dëshmi se drogën e bën qeveria”, edhe këtë po na e thonë. Mendoni për një çast sa do habitej supozoj qeveria amerikane kur gjeti mijëra kilometra tunel për transportin e drogës në kufirin e saj, sa do habitej po t’i thuhej se “kjo ishte dëshmia e lidhjeve të saj me kartelet e drogës”, kur në fakt kjo nuk është e rrallë. Bota e ka ndarë me kohë këtë punë, arsyeja e ka ndarë prej dekadash këtë punë: sa më shumë lufton dhe shkatërron drogë aq më mirë është – dhe jo e kundërta. Sa më shumë të vështirë t’ua bësh trafikantëve, aq më shumë do gjejnë mënyra nga më të çuditshmet. Por të gjitha këto janë prova të luftës sonë. E nuk janë e as mund të jenë njëkohësisht akuza kundër nesh.
 
Ata që Shqipërinë e lanë të masakruar duke na hapur punë që fare mirë sot mund të ishin të zgjidhura, sot minimumi duhet të ulnin kokën dhe të heshtnin. Në mos nuk arrijnë dot të përgëzojnë Policinë e të ndihmojnë që të ketë më shumë mundësi dhe potencial të luftojmë drogën, të paktën të mos hedhin baltë, ose të binden të gjithë bashkë dhe kjo është rruga e vetme, dhe kjo nuk është as e rrallë. Ashtu grumbull siç janë te Fronti i së Keqes. Se as na lëkundin, as na ndalin dhe as na e vështirësojnë dot përpjekjen tonë për të bërë shtet, për të luftuar krimin dhe korrupsionin, për të luftuar drogën, për të bërë Reformën në Drejtësi për gjyqtarët e korruptuar që më shpejt i nxjerrin kriminelët se sa u japin dënimin e merituar sipas ligjit.
 
Dhe veçanërisht luftën me kanabisin ne pa diskutim do e fitojmë. Ne pa diskutim do e fitojmë! Siç fituam në Lazarat vitin e parë, këtë vit pa diskutim ne do e fitojmë në çdo centimetër katrorë të Republikës së Shqipërisë luftën me kanabisin. Deri ditën e fundit të detyrës sime do kemi mbyllur përfundimisht kapitullin 20 e kusur vjeçar të Shqipërisë së kultivuar me kanabis.

Unë nuk jam i kënaqur me sa kemi bërë deri më sot. Por jam i bindur se fuqia për të bërë më shumë është këtu. Unë nuk jam i kënaqur me sa punonjës policie janë arrestuar deri më sot, pikërisht pse kanë mbyllur një apo të dy sytë. Por siç kemi bërë me ata 3.200 policë në procedim penal dhe disiplinor dhe me ata që janë arrestuar deri më sot, ashtu do bëjmë dhe me këdo tjetër në Polici që kaq sa kemi bërë, nuk u ka mjaftuar dhe nuk i ka bindur ende për të ndarë mendjen se duhet të jetë përfundimisht në krah të ligjit. Unë nuk jam i kënaqur me arrestimin e atyre që organizojnë, përfitojnë dhe pastaj nuk është habi të shfaqen në mes të Tiranës si investitorë apo biznesmenë me paratë e krimit. Kaq sa kemi bërë nuk mjafton, por kemi fuqi dhe jam i bindur që kemi fuqi ta bëjmë akoma. Dhe pa asnjë diskutim kjo fuqi është këtu.

Por unë kuptoj çdo qytetar, burrë apo grua, të rinj në fshatra dhe zonat më  të thella të Shqipërisë. Politika në 25 vite ju ka mbushur me fjalë se do ju sillte mrekullinë, vaska floriri, lugë të argjendta, gjithçka që ju ka premtuar, për t’ju lënë në fatin tuaj, në varfërinë dhe mjerimin më të thellë. Por askush prej jush nuk është kolumbian, siç thotë qeveria e djeshme. Askush prej jush nuk është  trafikant dhe kriminel pse varfërinë që ju la politika në derë në 25 vitet e kaluara kërkuat ta luftonit me këtë sipërmarrje të paligjshme.

Burra e gra, të rinj në fshatrat më të thellë të Shqipërisë janë viktimat më të pafajshme të kriminelëve dhe trafikantëve të vërtetë, që ndryshe nga trafikantët dhe kriminelët e rrugës kanë pasur prej 25 viteve të kaluara kostumin dhe kollaren për të qeverisur këtë vend dhe kanë mbjellë – përveç kanabis – edhe varfëri, mjerim, papunësi, të cilin për fat të keq këta njerëz janë mundur ta luftojnë duke mbjellë kanabis.

Kjo qeveri, Kryeministri dhe kushdo që e do këtë vend më shumë se karrigia, është aty për të zgjidhur gjithçka na kanë lënë barrë ata që ikin dhe që sot duan ta mbajnë vendin peng. E siç po bëjmë Policinë, ashtu do të zgjidhim edhe varfërinë, edhe mjerimin, edhe papunësinë. Siç po bëjmë shtet, ashtu do të bëjmë më shumë punë për të shkulur mjerimin nga shtëpitë tuaja. Siç po forcojmë ligjin, ashtu do të bëjmë edhe më shumë punë për shkulur papunësinë nga e ardhmja e fëmijëve tuaj. Siç po bëjmë Reformën në Drejtësi, ashtu do të bëjmë edhe ekonominë e familjes tuaj edhe të vendit, ku i varfëri të mos jetë skllav i papunësisë, por të ketë një punë. Dhe jo çfarëdolloj pune, por të ketë një punë të denjë, të paguar mirë dhe mundësi për të mbajtur familjen dhe të ardhmen e fëmijës.

Kjo qeveri ka një plan – dhe është e vetmja që ka një plan – për të luftuar drogën.
Ka një plan për të ringritur Policinë.
Ka një plan për të bërë shtet.
Ka një plan për të bërë Reformën në Drejtësi duke hequr gjyqtarët e korruptuar që e kanë mbajtur peng drejtësinë.
Ka një plan për të përmirësuar ekonominë, për punësimin, për mirëqenien e atyre njerëzve që nga varfëria janë të dëshpëruar jo pa shkak në 25 vitet e fundit.

Këtë vit ne do të fitojmë luftën tonë me drogën. Siç kemi fituar luftën tonë me ata që vidhnin energjinë. Me ata që shkelnin ligjin – nga semafori tek rripi i sigurimit. Me ata që ndërtonin pa leje lokale, motele, biznese. Siç do fitojmë me ata që mbajnë peng Drejtësinë për shqiptarët, do fitojmë edhe me varfërinë, edhe me papunësinë. Siç bëmë Policinë që duam (dhe po vazhdojmë ta bëjmë).

Për Drejtësinë që duam.
Për Shtetin që duam.
Për Shqipërinë që duam.

Ju faleminderit.