Postuar më: 16 Qershor 2017

Ministri Demiraj takon Drejtorët e Policisë për masat për zgjedhjet

VIDEO - Ministri i Punëve të Brendshme Dritan Demiraj ka zhvilluar një takim me drejtuesit vendorë të 12 qarqeve dhe drejtuesit kryesorë të Policisë në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

Në fokus ishte marrja e masave konkrete në parandalimin dhe evidentimin e personave dhe grupeve kriminale në drejtim të:

• shit-blerjes së votës;
• presionin ndaj zgjedhësve;
• përdorimin e parave nga burime të paqarta në ndikim të procesit elektorale
• marrjen e bllokimin e kartave përkundrejt shpërblimit monetar me qëllim heqjen e së drejtës për të votuar.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Haki Çako, 12 drejtorë vendorë të Policisë në qarqe, drejtori i për Hetimin e Krimin Ekonomik e Financiar dhe Drejtori për Sigurinë Publike në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit raportuan konkretisht evidentimin e të gjithë rasteve konkrete të shit-blerjes së votës, krimeve të tjera elektorale dhe planin e masave për javën e fundit të fushatës zgjedhore ku shtohen aktet e blerjes së votës dhe krimet elektorale.

Po ashtu rëndësi iu dha plani i masave për të ngjarjet para, gjatë dhe pas ditës së zgjedhjeve.

Ministri i Punëve të Brendshme Dritan Demiraj kërkoi nga Policia e Shtetit përmbushjen e të gjitha përgjegjësive ligjore që i jep ligji dhe tha se 'nuk është e nuk do të jetë e toleruar mbështetja e subjekteve politike nga efektivë me uniformë. Çdo tolerim ndaj këtij fenomeni do të penalizohet rreptësisht. I gjithë zinxhiri drejtues i policisë së shtetit do të mbajë përgjegjësi sipas përcaktimeve të ligjit'.

Ministri i Punëve të Brendshme Dritan Demiraj vlerësoi rezultatet e policisë së Shtetit në luftën e përditshme dhe pa kompromis ndaj kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike.

Zv/ministrja e Punëve të Brendshme Rovena Voda, e cila drejton Task-Forcen Qendrore në kuadër të Planit kombëtar antikanabis shprehu mirënjohje për punën e vyer në këtë drejtim dhe kërkoi një angazhim të gjithanshëm.