Postuar më: 08 Maj 2017

Ministri Xhafaj i ftuar në emisionin Top Story

Dokumentat e bashkëngjitura

Ministri i Punëve të Brendshme Fatmir Xhafaj, i ftuar në emisionin ‘Top Story’, në Top Channel – 8 maj 2017

Sokol Balla: Mirë se erdhët në 'Top Story'!

Sot është 8 Maji dhe normalisht duhet të kishim folur për zgjedhjet e Kavajës, që nuk u mbajtën për shkak të tërheqjes së kandidatit të vetëm zyrtar, atë të Partisë Socialiste nga ana e mazhorancës dhe personalisht nga Kryeministri Edi Rama. Natyrisht në atë konferencë për shtyp u thanë dhe u deklaruan dhe gjëra të tjera si – ajo më e rëndësishma do thoja unë dhe më dramatikja – fakti se qeveria dispononte prova se kishte një plan për destabilizimin e situatës në qytetin e Kavajës. Natyrisht në këtë klimë kur opinionet kanë qenë pro dhe kundër dhe ndaj KM Rama, shtohen dilemat: nëse ka patur një tërheqje të parë, a do të ketë dhe një tjetër? Pra a do të vihen në dyshim zgjedhjet e 18 Qershorit, tashmë kur duket se jo vetëm Partia Demokratike dhe aleatët e saj nuk do të marrin pjesë në to, por nisur dhe nga ngjarjet e paralamërimet për Kavajën ankthi dhe dilemat janë shtuar po nga pikëpamja e sigurisë e destabiliteti? Dhe a ka elementë të tjerë që janë të interesuar të shfrytëzojnë këtë destabilitet politik për qëllime të tjera?

Unë sot kam kënaqësinë të nxjerr jashtë ‘bunkerit’ për herë të parë nga momenti që ai u dekretua Ministër i Punëve të Brendshme, z.Fatmir Xhafaj. Faleminderit që jeni me mua sonte dhe kënaqësi që në daljen tuaj të parë publike vini në “Top Channel”.

Fatmir Xhafaj: Nuk kam dalë nga bunkeri, por nga Ministria e Punëve të Brendshme.

Sokol Balla: E thashë me shaka. Pasi do flasim pak dhe për profilin tuaj të punës i cili është krejt ndryshe nga ai i parardhësit tuaj. Pra keni zgjedhur një tjetër stil pune që është konceptuar në një mënyrë të caktuar ose pozitive. Z.Ministër, përse nuk u mbajtën zgjedhjet në Kavajë? Flas nga pikëpamja e sigurisë dhe e rendit publik?

Fatmir Xhafaj: Duhet të sqarojmë që në fillim se vendimi lidhur me zgjedhjet në Kavajë nuk ka qenë i lidhur me një vendimmarje të Policisë së Shtetit. Përkundrazi. Policia e Shtetit – nga fillimi i radhës së detyrave të saj sipas ligjit deri në momentin që u vendos pikërisht moszhvillimi i zgjedhjeve në Kavajë – ka qenë në krye të detyrës dhe në asnjë rast nuk ka shprehur pamundësinë e saj për të siguruar zhvillimin normal të zgjedhjeve në Bashkinë e Kavajës. Policia e Shtetit në zbatim të ligjit kishte marrë të gjitha masat për të kryer jo vetëm ato detyra që i cakton Kodi Zgjedhor në mbështetje të procesit zgjedhor. Pasi është një fakt i njohur juridik dhe si precedent në gjithë këto vite që administrimi i procesit zgjedhor nuk është i Qeverisë, por i Komisioneve Zgjedhore të ngritura mbi bazën e përfaqësimit politik. Dhe Policia e Shtetit në këtë proces (dhe Ministria e Brendshme përsa u përket listave) kanë thjesht dhe vetëm rol mbështetës, jo në organizimin dhe administrimn e procesit.

Situatat e reja të krijuara të konfliktualitetit politik të thirrjeve për një konflikt të hapur, përfshirë në procesin zgjedhor të Kavajës, i kanë dhënë një rol tjetër Policisë së Shtetit: garantimin e sigurisë për zhvilimin e të drejtës kushtetuese, pra të zgjedhjeve të lira e të ndershme...

(bashkëlidhur e plotë)