Postuar më: 29 Shtator 2017

Miratohet marrëveshja e ndihmës suedeze për policimin në komunitet

Parlamenti miratoi me 126 vota pro dhe asnjë kundër marrëveshjen e qeverisë shqiptare me qeverinë suedeze për programin e forcimit të Policimit në komunitet në Shqipëri, 2017-2020.

Objektivi kryesor i programit është rritja e besimit dhe partneritetit të ndërsjelltë mes Policisë së Shtetit dhe komuniteteve për të krijuar zona banimi të sigurta. Ai bazohet në konstatimin dhe pranimin se ka një nevojë të fortë për të rritur besimin dhe partneritetin midis policisë dhe komunitetit.

Zbatimi i programit ka sjellë një sërë risish, që lidhen me përdorimin e perceptimit të publikut si një mënyrë alternative për matjen e performancës së policisë. Kjo qasje ka përfshirë “Sistemin e Matjes së Sigurisë në Komunitet”, si mjet informues në hartimin e strategjive dhe të planeve të punës në njësi të vogla policore.

Projekti do të përmirësojë aftësinë e Policisë së Shtetit për të ofruar siguri e garanci në mënyrë të vazhdueshme, bazuar në profesionalizmin e dhënies së shërbimit, si dhe rritjes së besimit e dëshirës, nga ana e individëve dhe komuniteteve, për të bashkëpunuar në mënyrë aktive me Policinë e Shtetit.

Në tërësi qëllimi është reduktimi i veprave penale dhe rritja e pjesëmarrjes së Policisë në bashkësi. Programi do të financohet nga qeveria suedeze për periudhën 2017-2020 dhe do të ketë një buxhet prej 3.3 milion euro.