Postuar më: 09 Tetor 2013

Operacioni "Ikona"

Policia e Shtetit ka rënë në gjurmë të grupit të trafikantëve rreth 1 vit më parë, kur njëri prej personave të përfshirë në këtë aktivitet u arrestua nga policia e Maqedonisë me akuzën e vjedhjes së veprave të artit. Informacioni u vlerësuar me vëmendje maksimale nga specialistët e Sektorit të Luftës kundër Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë e Policisë së Tiranës.  

Nën drejtimin e Drejtuesit Ardian Çipa, grupi i përbërë nga Kryekomisar Arben Joca, Kryekomisar Ardrit Elmazi, Nënkomisar Kledian Caushi dhe Nënkomisar Elton Shima ka nisur hetimet dhe verifikimet e duhura lidhur me personat e dyshuar. Nga mbikqyrja dhe informacionet e mbledhura në rrugë operative  është bërë e mundur të identifikohet baza ku të dyshuarit mbanin veprat e artit.

Mesditën e 8 tetorit, pasi kishin mbledhur provat dhe faktet e nevojshme policia planifikoi dhe organizoi operacionin me emrijn e koduar “Ikona”, gjatë të cilit kontrolloi banesat e dy të dyshuarve kryesorë, në të cilat gjeti plot 477 vepra arti dhe kulture të objekteve të kultit, pjesë e fondit të trashëgimisë kulturore.

Pas arrestimit në flagrancë të dy të dyshuarve kryesorë, Policia e Shtetit në bashkëpunim të ngushtë me prokurorinë vazhdon punën e saj për të zbuluar të gjithë elementët e këtij rrjeti. Hetimet janë shtrirë edhe përtej kufijve për të identifikuar plotësisht strukturën e grupit, si dhe destinacione të veprave të tjera të trashëgimisë kulturore të vjedhura e trafikuara nga dy të arrestuarit, apo bashkëpunëtorë të mundshëm të tyre.